• |
ide | kryesore

Kush ishte Oliver Ivanoviç, politikani serb i vrarë në Mitrovicë

Kryesore



Oliver Ivanoviç sapo kishte dalë nga shtëpia e tij këtë mëngjes, kur u qëllua për vdekje me breshëri armësh nga një makinë në lëvizje. Tre plumba kanë qenë fatalë për liderin e serbëve në veri të Kosovës. Kreu i Iniciativës Qytetare, Ivanoviç nuk i mbijetoi plagëve të marra ndërsa transportohej në spital.

Kur mbërriti në sallën e operacionit, mjekët thanë që nuk shfaqte asnjë shenjë jete. Sipas dëshmitarëve, nga makina e atentatorëve ishte vetëm një person që nxorri armën dhe gjuajti drejt Ivanoviqit. Makina me të cilën u krye sulmi u gjet pak minuta më vonë e djegur.

“Mund ta konfirmoj se persona ende të panjohur kanë shtënë drejt viktimës mashkull. Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja”, ka thënë Besim Hoti për Express.

Menjëherë pas vrasjes, erdhi reagimi i Serbisë. Delegacioni i Serbisë në Bruksel ka ndërprerë bisedimet që nisën sot dhe mësohet se ata do të kthehen me urgjencë në Beograd për shkak të vrasjes së liderit serb të SDP-së në Mitrovicë të Veriut, Oliver Ivanoviq.

Gazeta “Blic” e Beogradit thotë se delegacioni i Serbisë i ka ndërprerë bisedimet në Bruksel, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjithnjë sipas “Blicit”, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë, transmeton Koha.net.

Kush është Oliver Ivanoviç

I lindur në Irzniq të Deçanit dhe i rritur në Gjakovë e Mitrovicë, karateisti Oliver Ivanoviç do të shndërrohej në liderin kryesor të serbëve të Kosovës pas përfundimit të luftës.

Ai përfaqësonte një frymë të re në politikën serbe që në atë kohë përfaqësohej nga Zoran Dindic. Ndërkombëtarët i kishin varur shpresat te ky politikan nga Mitrovica, por nuk do të vononte shumë dhe imazhi i tij do të rrënohej. Ivanoviç rezultoi se kishte marrë pjesë në masakra kundër shqiptarëve.

Oliver Ivanoviç lindi më 1 prill 1953 në fshatin Irzniq afër Deçanit. Ai mbaroi shkollën fillore dhe inxhinierike mekanike në Mitrovicë. Ishte kadet i Akademisë Ushtarake në Zagreb, por u largua pas tre vjetësh. Ai u diplomua nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Mitrovicë dhe u diplomua nga Fakulteti i Ekonomisë në Prishtinë.

Kur u formua Këshilli Kombëtar Serb në vitin 1999, Ivanoviq u bë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të tij për veriun e Kosovës. Prej atij vendi ai u zëvendësua në vitin 2001. Kur qeveritë e RFJ-së dhe të Serbisë formuan “Qendrën Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë”, të emëruar si Shef i Shërbimit për Zhvillim Ekonomik dhe Rindërtim.

Që nga viti 2008, ai ishte sekretar i shtetit në Ministrinë e Kosovës. Ai ishte anëtar i Partisë Social Demokratike që nuk ekziston më. Ai ishte një instruktor dhe një arbitër ndërkombëtar karate. Ai ishte kryetar i klubit të karatesë “Trepça”.

Për një kohë të gjatë, ai konsiderohej si një prej politikanëve më të moderuar serbë të Kosovës. E madje, ndërkombëtarët kishin investuar goxha shumë tek ai. Ndryshe prej politikanëve tjerë serbë të Kosovës, Ivanoviq nuk hezitonte të merrte pjesë në konferenca bashkë me përfaqësuesit politikë të Kosovës, kurse gazetarëve gjithmonë u fliste shqip.

Por imazhi i tij pësoi një goditje të fortë kur disa familje shqiptare dëshmuan se Oliver Ivanoviç kishte marrë pjesë në një masakër në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë.

Gjykata Themelore e Mitrovicës në vendimin e 30 marsit 2016, e shpalli fajtor Oliver Ivanovicin për veprën penale të Krimeve të Luftës kundër Popullatës Civile dhe ndaj tij e shqiptoi një dënim prej 9 vjet burgim.

Por në shkurt të vitit të kaluar ta ndryshojë masën ndaj Ivanoviqit në burg shtëpiak.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *