• |
ide | kryesore

“7 xhuxhat” ose si bëhet plaçkë në Shqipëri

Blog



Nga Arlind Qorri/Ajo që i ndodhi këndit të lojërave te rruga e Elbasanit tregon se si është bërë plaçka tash e çerekshekulli në Shqipëri. Në fillim kemi një qendër publike të argëtimit të fëmijëve, ku gocat dhe çunat e brezit tim kanë luajtur derisa u kanë rënë këmbët. Shteti e lë qëllimisht pas dore duke pretenduar se nuk ka kapacitete administruese, a thua se po vë në punë General Motors-in dhe jo një hapësirë me një tren e disa lodra të thjeshta për fëmijë. Për të mos e zhdukur fare ua jep me koncesion privatëve, të cilët e rihapin në vitin 2001 (me mbishkrimin e Edi Ramës).

Mirëpo, si çdo trualli, edhe atij i del pronari (i vërtetë apo i sajuar). Meqenëse nuk është në administrim publik, por privat, trualli i kthehet më kollaj pronarit. Ky i fundit, me forcat e veta, nuk do të kishte fuqi të bënte asgjë tjetër përpos se të merrte qira nga firma që administronte këndin e lojërave. Po ai nuk është vetëm. Ka mbi krye një oligark ndërtimi dhe një kryetar bashkie, interesat e të cilëve kërkojnë që në atë vend, në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për hapësirë, të ndërtohet një pallat aq katesh sa të merren mendtë. Diçka të vogël do të marrë edhe pronari i truallit, po pjesën e luanit do ta shqyejë ndërtuesi dhe kryetari. Në të do të banojnë e hapin biznese miqtë ose miqtë e miqve të tyre në allishverishe, të cilëve ua mban xhepi të blejnë apartamente në mes të Tiranës.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *