• |
ide | kryesore

Debati / A po i mbron Rama deputetët e vet nga burgu?

Kryesore, Lajme



Një ndryshim në rregulloren e kuvendit për mënyrën se si do të procedohet për arrestimin e mundshëm të deputetëve, ka shkaktuar një debat të nxehtë politik. Mazhoranca ka çuar në kuvend një propozim për të rregulluan mënyrën se si i hapet rrugë prangosjes së deputetëve. Pak a shumë në projekt është formalizuar seanca që u zhvillua mes prokurorëve të krimeve të rënda dhe Saimir Tahirit. Sipas këtij versioni, prokurori që ka dorëzuar kërkesën për arrestimin e deputetit apo ministrit, duhet të shpjegohet para anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, se përse po e hedh këtë hap. Pra, deputetëve u lind e drejta në rregullore që t’i bëjnë pyetje prokurorit dhe ky i fundit duhet t’u përgjigjet atyre (shiko poshtë ligjin e plotë).

Por, duke u nisur nga precedenti Tahiri dhe nga nga mënyra se si u përdor kjo procedurë për të penguar arrestimin e tij, opozita e ka quajtur këtë nismë një skandal. Lulzim Basha tha sot para mediave “Rama ka propozuar një ligj të posaçëm për të mbrojtur peshqit e mëdhenj. Kushdo që priste arrestimin e peshqve të mëdhenj, tani do të përballet me cironka. Kjo do e kthejë SPAK-un në një organizatë jo qeveritare. Do të jetë Rama ai që do vendosë për arrestimin. Rama po kthen në ligj modelin që mbrojti Sajmir Tahirin. Qytetarët e panë sesi Rama ktheu Kuvendin në Gjykatë dhe mbrojti Sajmir Tahirin”, u shpreh Basha.

Po kush ka të drejtë? Si qëndron e vërteta?

Nga pikpamja formale socialistët janë në rregull dhe natyrisht që kjo procedurë duhet të rregullohet ligjërisht. Në anën tjetër edhe pretendimi i deputetëve për t’u mbrojtur nga një pushtet tjetër si ai i drejtësisë duket me vend. Sepse formalisht një deputet edhe mund të sulmohet dhe të kërkohet të burgoset politikisht. Prandaj ligji parashikon që ndryshe nga qytetarët e thjeshtë, prokuroria duhet t’i kërkojë leje kuvendit përpara se të vendosë ta burgosë një të zgjedhur të popullit. Pra e parë nga ky këndvështrim sanksionimi me ligj i detyrimit të prokurorisë për të dhënë shpjegime nuk është ndonjë mëkat.

Por, kjo çështje ka edhe anën tjetër të medalies. Në Shqipëri problemi nuk ka qenë abuzimi i prokurorisë me të drejtën dhe ndëshkimi politik i deputetëve dhe ministrave. Në shqipëri problem ka qenë tjetër: pandëshkueshmëria e tyre. Dhe pikërisht për të zgjidhur këtë u bë reforma në drejtësi thelbi i së cilës është forcimi i prokurorisë dhe gjykatave dhe pamvarësimi i tyre nga politika.

Ndërsa projekti i Ramës shkon në tendencë të kundërt me këtë frymë. Ai i shton të drejtat e parlamentit, në këtë rast të shumicës qeverisëse, për të mos e lënë drejtësinë të shkëputet nga kthetrat e saj. Prandaj ai përbën një nismë që duhet parë me shqetësim.

Ky projekt që do të qe krejt normal në Britani apo Francë, ku pushtetet janë të ndara dhe drejtësia kryen e pavarur punën e saj, është paradoksalisht një kthim pas në një vend si Shqipëria ku po bëhen të gjitha përpjekjet për një drejtësi më të fortë që do të godiste peshqit e mëdhenj.
©Lapsi.al

 

PROPOZIMI PËR NENIN 118 TË RREGULLORES SË KUVENDIT
Autorizimi për procedim

1. Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

2. Kryetari i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe vë në dijeni Kuvendin dhe deputetin.

3. Kryetari i Kuvendit pas konsultimit me Këshillin, cakton dy relatorë për çështjen, respektivisht nga shumica dhe opozita parlamentare.

4. Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

5. Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje prokurorit.

6. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit, i jep fjalën deputetit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim. Deputeti dhe ose përfaqësuesi i tij ligjor, ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me goje, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje deputetit.

7. Shqyrtimi i çështjes në Këshill, kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.

8. Përpara diskutimit të çështjes, kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas, vijohet me diskutimin në Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.

9. Si rregull, mbledhja e Këshillit, për pikat 6-8 të këtij neni, zhvillohet me dyer të hapura. Këshilli, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllur.



2 Comments

  1. O Dele!!!! Me te vertete menduat se do hani peshk te madh ne janar? Po jo o Dele, jo vetem qe nuk do hani peshk te madh, por as cironka te thara nuk do hani as ne janar, as ne shkurt e as ne ndonje muaj tjeter. Nese me te vertete do bien ne rrjete peshq te medhenj , mund te jete nga janari i per 2197 ne 200-vjetorin e rremujave, por me pare jo. Nese Shqiperia nuk behet nga shqiptaret, me siguri qe kinezet nuk do ta bejne ndonjehere…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *