• |
ide | kryesore

Bugajski: Rusia, lojtar negativ në raportet Serbi – Kosovë

Lajme, Të fundit



Janusz Bugajski, ekspert për Ballkanin në Qendrën për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA), me seli në Uashington, ka thënë se Rusia është sabotuesi kryesor i bisedimeve midis Kosovës e Serbisë dhe pengesa kryesore për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“… kush është ai që do të dëshironte t’i sabotonte bisedimet ndërmjet dy kryeqyteteve? A janë ata politikanë nacionalistë, a janë elemente kriminale brenda Serbisë, brenda Kosovës Veriore, apo është ndonjë fuqi e jashtme?”, ka shtruar pyetjen Bugajski.

“Mos harroni, Rusia ishte përpjekur t’i sabotonte zgjedhjet në Mal të Zi. Nuk ka arsye, do të thoja, të ketë dyshime se Rusia do të ishte e lumtur t’i pengonte raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka theksuar Bugajski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Bugajski e ka përjashtuar mundësinë që Rusia të përfshihet në dialogun midis Kosovës e Serbisë.

“Përse do të duhej të përfshihej Rusia? Rusia nuk është palë neutrale në këtë çështje. Ajo është, do të thoja, një lojtar negativ në raportet ndërmjet dy vendeve”, ka theksuar ai.

Bugajski e ka quajtur të dëmshme përpjekjen për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ai ka thënë se kjo mund t’i dëmtojë edhe marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Kjo do të indikonte se Qeveria e Kosovës diçka po fsheh… se ajo nuk është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar. Kjo mund ta pengojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Po ashtu, kjo mund t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara ishin mbështetësi kryesor për pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar ai.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *