• |
ide | kryesore

Dokumenti/ A po favorizohet banda e lidhur me Qazim Sejdinin nga prokuroria e re

Kryesore

Shkëlzen Hasanpapaj, autor i një atentati ndaj anëtarëve të fisit Çapja në Elbasan ka marrë një lajm të mirë nga prokuroria.

Akuza fillestare për të ka qenë “vrasje në rrethana cilësuese”, por gjatë hetimeve akuzat u lehtësuan duke kaluar në “kanosje me armë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosje e lehtë me dashje”.
20 vjeçari Shkëlzen Hasanpapaj është nga njerëzit e rrallë të arrestuar për luftën mes grupeve kriminale në Elbasan. Ai dyshohet se u kontraktua si vrasës me pagesë nga banda rivale e fisit Çapja.

Eshtë e njëjta bandë që sulmoi policinë në postbllokun e famshëm, pranë tregut të qytetit dhe që la të ngrirë shefat e policisë.

Dyshimet janë se ky grup kriminal drejtohet nga Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari. Ky i fundit është dhëndëri i Qazim Sejdinit, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, i zgjedhur nga Partia Socialiste që prej vitesh akuzohet për lidhje me krimin.

Ndryshimi i akuzave për një njeri kyç në luftën mes bandave të Elbasanit ndodh pas ndryshimeve të fundit në prokurorinë e qytetit.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina u zëvëndësua nga Ardian Nezha. Ishte një nga vendimet më të forta dhe më të zhurmshme që mori Arta Marku.

Një dokument që ka siguruar Lapsi.al tregon se dërgimi i dosjes në gjykatë me akuzat e ndryshuara është firmosur në 19 Janar, pra 10 ditë pasi ishte larguar Dritan Gina nga prokuroria e Elbasanit.

Dërgimi i dosjes në gjykatë është nënshkruar nga drejtuesi i ri i prokurorisë, Ardian Nezha, që me këtë firmë i ka qëndruar traditës së tërheqjes së shtetit përballë dy bandave që përplasen në Elbasan.

Në përshkrimin që i bëhet ngjarjes së qershorit në dosje, ajo ngjan me një atentat tipik mafioz, ku dy shënjestrat Florenc Çapja dhe Bledar Muça kanë shpëtuar vetëm falë makinës së blinduar.

Mesditën e 6 qershorit 2016, Hasanpapaj ka qenë i veshur me uniformë ushtrie. Automatikun e kishte futur në një çantë kamoflazhi. Ai ka qëlluar dhjetëra plumba mbi automjetin ku udhëtonin Bledar Muça dhe Florenc Çapja.

Megjithëse Hasanpapaj është filmuar nga kamerat e bizneseve aty pranë dhe arma e krimit u gjet, ai do t’ia hedhë me një “plagosje të lehtë me dashje”.©Lapsi.al

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu