• |
ide | kryesore

Arta Marku pranon skandalin: Ekstradimi i Nezar Seitit ka probleme, do marrim masa

Lajme, Të fundit



Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet për mënyrën se si u ekstradua drejt Italisë, Nezar Seiti. Sipas zyrës së Arta Markut transferimi i “krahut të djathtë” të Habilajve ka probleme procedurale.
Prokurorja e Përgjithshme deklaron se menjëherë mblodhi strukturat përkatëse dhe udhëzoi verifikimin e rastit brenda pak orësh. Hetimet u shtrinë në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Prokurorinë Për Krime të Rënda dhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

“Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje më procedimin penal ndaj shtetasit Nazer Seitaj nga Prokuroria Për Krime të Rënda” – thuhet në reagimin e Arta Markut.
Sipas njoftimit zyrtar “aktet e vetme që ka disponuar kjo drejtori janë aktet që kanë lidhje me procedurat e ekstradimit të shtetasit Nazer Seitaj, në funksion të drejtësisë italiane”.

Prokuroria thotë se policia gjyqësore e drejtorisë së Policisë Tiranë ka arrestuar për qëllime ekstradimi Seitajn. Arrestimi u krye pasi Zyra Interpol Roma, në datë 20 tetor 2017, ka bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tij, për shkak të urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Gjykata e Catania-s.

Prokuroria e Tiranës ka vazhduar procedurat për ekstradimin në mbështetje të rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” fillimisht me afat 20 ditë dhe më pas ky afat është zgjatur dhe për 50 ditë të tjera. Më 5 dhjetor 2017, Gjykata e Tiranës mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës ka vendosur miratimin e kërkesës dhe lejimin e ekstradimit të tij në Itali.

“Ky vendim sipas ligjit i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë si autoriteti i fundit që vendos në lidhje me ekzekutimin ose jo të vendimit të ekstradimit. Prokuroria e Përgjithshme në procedurën e ekstradimit, të vetmin rol që ka është ai i koordinatorit ndërmjet prokurorive të Shkallëve të Para dhe ministrisë së Drejtësisë. Nuk ka pasur asnjë komunikim të Prokurorisë Tiranë me Prokurorinë Për Krime të Rënda në lidhje me çështjen” – thotë kryeprokurorja.

“Kjo prokurori (Prokuroria për Krime të Rënda) më datë 19.10.2017 ka urdhëruar ndalimin e Seitaj i dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”. Ndalimi i tij është vlerësuar i ligjshëm nga Gjykata për Krime të Rënda dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” me afat 20 ditë dhe në përfundim të këtij afati është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”.
Kjo prokurori nuk ka asnjë komunikim në lidhje më çështjen as me Prokurorinë e Tiranës dhe as me Prokurorinë e Përgjithshme.
Vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për vlerësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit i janë dërguar për zbatim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Pavarësisht nga kjo, Prokuroria Për Krime të Rënda vazhdon me intensitet hetimet” – thotë Arta Marku.

“Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku pasi shqyrtoi aktet e sa më siper, ka marrë këto masa:
1. Në mbështetje të nenit 160 pika 5, në lidhje me Kreun V, të Ligjit nr. 96/2016 “Për Satusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të fillojë hetimin disiplinor për rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë disiplinore nëse ka, të prokurorëve që kanë trajtuar çështjet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Prokurorinë Për Krime të Rënda.
2. Të dërgojë aktet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe t’i kërkojë asaj prokurorie regjistrimin e procedimit penal, për të hetuar rastin dhe për të vënë para përgjegjësisë penale cilindo që mund të ketë shkelur ligjin.
3. T’i kërkojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të verifikojë procesin gjyqësor të ekstradimit të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë nëse, gjatë gjykimit të çështjes ka shkelje të karakterit procedural.
4. Ngarkon Drejtorinë e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme të studiojë rastin dhe të nxirren udhëzimet me karakter të përgjithshëm për të njehsuar praktikat në procedurën e ekstradimeve dhe më gjerë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm” – thuhet në reagim.



7 Comments

  1. Une jam pedagog i te drejtes penale ne Fakultetin e Drejtesise ne zbatim te mareveshjes se ekstradimit qe kemi me Italin , ekstradimi eshte plotesisht i lejuar ne kete rast , eshte e shkruar e zeza mbi te bardhe nuk ka nevoj per interpretim fare.

    1. a.sh .shko rruaji bythen negjmijes se anonimus don lesh.po ku ka len rama kriminel pa liruar,a nuk iken drejtoret e policise,a nuk e liruan frroun etj.

      1. Ari po flasim per procedure dhe marreveshje nderkombetare shoku une e di qe ti paguhesh qe te politizosh komente por ky nuk eshte rasti.

  2. Pasi vjen kerkesa nga vendet e huaja per ekstradim i niset prokurorise dhe kjo me pas ja dergon gjykates e cila ben verifikimin e rastit dhe vendos per masen e sigurise . Ne momentin qe gjykata vendos masen e sigurise vlereson edhe ekstradimin a duhet te behet apo jo, perpilon aktin dhe ja nis Ministrise se Drejtesise qe ne kte rast nuk ben gje tjeter thjesht frmos mbi nje relacion qe eshte kompetenc e gjykates. Po ka shkelje e ka bere gjykata.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *