• |
ide | kryesore

Nisin hetimet në prokurori, pse ndryshuan akuzat për vrasësin me pagesë në Elbasan

Lajme, Të fundit



Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme do të hetojë përse janë ndryshuar akuzat për vrasësin e dyshuar me pagesë, Shkëlzen Hasanpapaj, i cili në qershor të vitit 2016 qëlloi me breshëri Kallashnikovi ndaj Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës në Elbasan.

Dosja u dërgua në gjykatë nga drejtuesi i ri i Prokurorisë së Elbasanit, Ardjan Nezha në datën 19 Janar, sipas një dokumenti që publikoi Lapsi.al.

Ndryshimi i akuzave është një lehtësim që i bëhet të të arrestuarit, që është nga të paktët e arrestuar në luftën mes dy bandave në Elbasan.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina u largua nga detyra në datën 9 Janar dhe u zëvëndësua nga Ardjan Nezha. Veprimet hetimore janë kryer në kohën kur prokuroria drejtohej nga Dritan Gina, por firma për ta dërguar në gjykatë dosjen është hedhur nga drejtuesi i ri i prokurorisë, Ardjan Nezha, i sapoemëruar në atë post nga Arta Marku.

Shkëlqzen Hasanpapaj qëlloi me breshëri automatiku ndaj Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës pak metra larg gjykatës. Të dy shpëtuan falë makinës së blinduar.

Hasanpapaj dyshohet se u dërgua nga banda rivale në Elbasan, e njëjta që sulmoi policinë dhe që përflitet për lidhjet me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe Partinë Socialiste. Ndërsa prokurorët e Arta Markut do të merren me detajet se kush dhe pse i ndryshoi akuzat e vrasësit me pagesë, ky i fundit pret të nisë gjyqin duke përfituar nga lehtësirat që i mundësuan prokurorët e Elbasanit.

Hasanpapaj u akuzua fillimisht për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe më pas akuza për të ndryshoi në “armëmbajtje pa leje”, “plagosje e lehtë” dhe “kanosje me armë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *