• |
ide | kryesore

Rinisin kërkimet për dosjen e Kozma Janos në arkivat e Sigurimit

Lajme, Të fundit



Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit po riverifikon emrin e Kozma Janos, kandidatit të rrëzuar nga Parlamenti për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Me një shkresë drejtuar Kuvendit muaj më parë, Autoriteti vërtetoi pastërtinë e figurës për avokatin Kozma Jano, i cili kishte shprehur interes për të kandiduar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kur fati i goglave i buzëqeshi për të qenë ai një nga kandidatët e KLP-së, Partia Demokratike publikoi në media dokumente që vërtetonin bashkëpunimin e tij me Sigurimin e Shtetit gjatë sistemit komunist.

Në dokumentet e publikuara nga PD, avokati Kozma Jano rezultonte të kishte qenë bashkëpunëtor me Sigurimin dhe kishte mbajtur pseudonimin “telefoni”.

“Zëri i Amerikës” ka mësuar se Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur rivlerësimin e dosjes së Janos, për shkak të disa fakteve të reja që janë zbuluar në të.

Burime të “Zërit të Amerikës” pranë Autoritetit për Informimin, shpjeguan se në kontrollin e parë nuk ishte gjetur asnjë gjurmë, për shkak se disa elementë të gjeneraliteteve ishin dhënë me gabime, shto këtu edhe faktin që marsin e kaluar, kur është bërë verifikimi Autoriteti, nuk kishte marrë ende në administrim të gjitha dosjet.

Nga rikontrollet e para, megjithatë, rezulton se kartela e publikuar nga Partia Demokratike nuk figuron në dokumentacionin në dispozicion të Autoritetit për Informim.

I pyetur nga gazeta “Panorama”, avokati Kozma Jano deklaroi se akuzat e Partisë Demokratike për të, se ka qenë ish bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, nuk është i vërtetë.

“Ato janë tërësisht akte të falsifikuara. Asnjë akt nuk është i imi, vetëm se është vënë emri im mbi to. Është direkt një dorë politike për të dëmtuar figurën time, për shkak se unë u zgjodha nga radhët e avokatëve për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Do të bëj një kallëzim penal, pasi kjo është një shpifje shumë e rëndë vetëm për të denigruar figurën time. Unë e kërkoj atë akt, dua të njihem me të, sepse nuk më përket mua. Është një fotokopje, mbi të cilin është vënë emri im. Do të bëj një kallëzim penal, pasi kjo është një shpifje shumë e rëndë vetëm për të denigruar figurën time”, deklaroi Jano.

Listat me 10 kandidatët për të dy institucionet u rrëzua dje nga Parlamenti, pasi opozita votoi kundër emrave të zgjedhura në Kuvend. Sipas opozitës, të paktën gjysma e kandidatëve të përzgjedhur ka probleme serioze. Njëri prej tyre, kandidati Altin Hazizaj, rezulton se nuk ka deklaruar një dënim të marrë në vitin 1996.

Demokratët thanë se përfaqësuesve të tyre u është mbajtur i fshehtë dokumentacioni i dërguar nga zyra e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Për dy kandidatë të tjerë, problemet sipas demokratëve, lidhen njëri me angazhimin politik dhe tjetri me mosshlyerjen e detyrimeve tatimore. Ndërsa kandidati Alfred Balla përbën, ndoshta, dhe rastin më problematik.

Ai ishte skualifikuar nga ekspertët e huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por u rifut në listë nga Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, ndonëse ligji në dispozitat kalimtare parashikon qartë se për rastet e emërimeve të para në këto dy institucione, “Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në listat e kandidatëve që i përcjell komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, reflekton vlerësimin e përcjellë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimi”. Socialistët, nga ana e tyre, iu referuan nenit të ligjit, i cili në fakt është i vlefshëm për përzgjedhjet që do të bëhen në të ardhmen.



2 Comments

  1. tashi ktu jon 3 gjona
    ose kto te pds kon fallcifiku ket dokumentin ose e kon mor dokumentin nga arkivi i min se mrenshme dhe ato qi e kerkojshin nuk e gjeshin dot ose ato qe jon pagu me e kerku nuk i kon hap syt mir ne nuk e kon gjet
    thirrini kto te pds ne prokurori qi ta thojn ku e kan gjet ket dokumentin ne zgjidhet kjo pun zgjidhet shpejt
    nqoftse dokumenti osht i vertet ky spiuni mos ta qisi mo fytyren per poste publike
    nqoftse dokumenti osht ne arkiv po ato punonjsit nuk din me e gjet pushojini nja 2 punonjsa ne shifeni si e kerkojn tjeret masanej
    nqoftse kon fallcikifu dokumentin kto te pds duhet me tregu kush ja dha ket dokumentin e fallcifikum

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *