• |
ide | kryesore

Liza e qymyrit

Blog



Ajo ishte një nga personazhet më të rëndësishme të rrugëve të Tiranës.

Padyshim nga të vetmet personazhe që si femër, a mashkull, nuk bën propagandë për veten e vet, nuk bëhet e njohur duke paguar, a duke u prishur mendjen popullit me propagandë zyrtare, krejt idiote, por që vlerësohej nga të tjerët.
Këta janë njerëzit e mëdhenj që Tirana ka njohur. Të tjerët, shumica, nuk janë veçse karagjozë dhe karagjoze, pa pikë vlere, fallco, dhe që nuk meritojnë as emra rrugësh dhe as emra shkollash.

Liza e qymyrit. Kështu e thërrisnin. Më kujtohet se ishte e zeshkët në fytyrë. Midis ngjyrave të kuqe, të verdhë, jeshile që mund të ketë te një femër ajo ishte e zeshkët. Si qymyr. Thonë se njeriu mban në fytyrë karakterin e tij.

Ka femra që janë si bretkoca, të tjera si dhelpra, ca si kukumjacka, ca si pula të rrjepura, nuk ka problem fiziku, por aty reflektohet karakteri. Sikurse ka edhe burra si derra, si arinj, si veshgjatë, si gjarpërinj, përsëri nuk është fiziku, është karakteri që u jep këtë pamje. Liza ishte si qymyri.

Por, ende sot pas gjysëm shekulli nuk e di nëse ajo ishte e zeshkët për shkak të qymyrit me të cilin ajo punonte, pra mund të ishte kuqe e bërë zeshkane, apo bjonde e bërë zeshkane, sikurse ndodh e kundërta sot, apo sepse qymyri e kishte nxirë të shkretën. Ajo ishte e vetmja grua që kam parë të mbrehej në karrocë dhe e tërhiqte atë duke vendosur gjoksin e saj të sheshtë dhe të rënë te trari i karrocës me dy rrota që i vinte nga pas. Ishte mbrehur në tërë kuptimin e fjalës. Nxirrte bukën e gojës me djersën e ballit.

Nuk vidhte, nuk prostituohej, nuk lajkosej si e përdalur, nuk ndiqte as modën, asgjë nga këto. Vetëm rrugëve të Tiranës transportonte qymyr në disa thasë të rëndë që mbushnin kacik karrocën e saj. Ajo punonte për veten e saj, nuk dukej se festa e grave kalonte afër saj, askush nuk e dinte se nga e kishte origjinën, a ishte nga Veriu a nga Jugu.

Kjo ndodhte sepse Liza e Qymyrit punonte, por nuk fliste, në ndryshim nga shumë gra llapazane që flasin, por nuk punojnë. Nuk i shihte burrat në sy, as gratë, nuk dinte të qeshte, nuk nxirrte asnjë rënkim a tregonte shënjë lodhje. As britma, lëre më fjalë. Nuk e di ta them se çfarë theksi kishin fjalët e saj.

Do të ishte e pabesueshme se Liza e Qymyrit të kishte bërë ndonjëherë dashuri. Dilte që pa gdhirë në rrugë dhe kthehej me karrocën bosh natën duke u bërë njësh me errësirën e qytetit. Si një hije vërtitej në qytet, pa folur. Askush nuk e dinte se ku flinte, a kishte familje, sa fitonte, ku i mbante lekët që fitonte. Ajo ishte simboli i gjithçkaje kontradiktore në botë.

Eshtë njëra nga tre gratë publike që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen time. Të tjerat janë disa shkallë poshtë tyre. Liza e Qymyrit është midis këtyre tre grave. Prindërit trembnin fëmijët e vegjël kur këta nuk silleshin mirë ose kur nuk hanin ushqimin : Do t’i them Lizës të Qymyrit të vijë!!! Kur dikush ishte bërë pak pis, i thoshin me tallje : Si më je bërë si Liza e Qymyrit!!!

Ecte rrugëve të qytetit dhe nuk ndihej, por të gjithë kishin nevojë për praninë e saj madhështore duke shtyrë karrocën e saj si një Zhanvalzhan i kohëve tiranase. Të gjithë e ndjenin pranë, por bënin sikur nuk e shihnin. Ndofta nga turpi sesi një shoqëri mund ta linte ashtu një grua.

Nuk besoj se ishte as e metë dhe as e çmendur. Sillte siguri në ndërgjegjen kolektive. Të gjithë ishin të kënaqur sepse e masnin veten dhe gjendjen e tyre me atë të Lizës të Qymyrit. Flokët e shtrirë si presh. Vetullat e trasha. Trupin e shkurtër, por të ngjeshur. Këmbët e mëdha futur në disa opinga të sheshta me shoje meshini. Vishej me pantallona shpesh dhe mbi to një fustan me pala. Veshje e paparë gjëkundi.

Kokëulur, por ato pak vetura që qarkullonin i hapnin rrugë. Ajo ishte mbretëresha e punës. Askush besoj nuk i tha një fjalë inkurajimi a lajkimi sikurse bandillët u thonë grave që kanë nevojë për to. Liza e Qymyrit ishte nyje paradoksesh. Emri i saj ishte perëndimor. Nuk dihej nga vinte. Po ta krahasoje me emrat e grave të tjera të kohës, ca emra fatosesh dhe pioneresh, ca emra sofikash, e myftijesh, emri i Lizës ishte një yll që ndriçonte mbi gjithçka. Ishte Perëndimi në gojët tona. Edhe Lizë edhe e Qymyrit. Emri dhe mbiemri që kurrë nuik rrinin bashkë. Liza dhe Qymyri – dy vlera të pabashkueshme. Një Lizë që e kishin vendosur në vend të kalit.

Pastaj ishte qymyri, një lëndë e parë që ende nuk njihet në qytetet tona. Nuk dihet se ku e çonte, kush e donte. E donin farkëtarët, ngroheshin familjet me soba qymyri??? Gjithçka ishte dhe mbeti mister.

Mbi të gjitha ajo nuk jepte asnjë moshë. Ishte si një statujë që lëviste rrugëve të qytetit. Nuk foli kurrë. Fliste me figurën e saj madhështore. Nuk dihej se kush e paguante, ku e gjente qymyrin, a kishte një vatër apo jo? Ka gra që llomotosin por një punë nuk dinë të bëjnë. Ose janë të afta vetëm për kurthe, sharje, prapaskena, gënjeshtra, llomotitje pa kuptim, fjali të gatshme të dëgjuara diku, por jo për punë.

Liza e Qymyrit nuk ishte veçse një qenie pune, pa fjalë. I çuditshëm fundi i saj. Aty nga fillimi i viteve 80, në histerinë e vrasjeve të armiqve, doli fjala se Liza e qymyrit paskësh qenë agjente e huaj. E kishin arrestuar. Me siguri një thashethem nga ata që ushqehen nga deliri dhe ankthi kolektiv. Por, Liza nuk u pa më në qytet. U zhduk. Dhe njerëzit që harrojnë shpejt, megjithatë kujtoheshin për të : Ore, e keni parë më Lizën e Qymyrit! Qyteti kishte humbur një nga personazhet e vet më të njohur dhe autentikë.

Sa do të doja që përmendorja e saj të ngrihej në ndonjë shesh të qytetit sikurse edhe e Saçit, e Li Pazarit, etj., njerëz të punës, dhe të gjithë të vinin një lule në këmbët e tyre, si shenjë e protestës ndaj famës idiote të personazheve të sotëm, blerë me korrupsion ose pushtet.



6 Comments

  1. Profesor, edhe lalieri i ka vene gjoksin punes, po ky ngjason ndopak me Lizen? Te pershendes prpfesor i madh!

  2. ke harru lymin e tutit, xim kulufin ,ver llapen ,qamushin ,haxhi plasen, li pazarin ,kizin e selvies ,titin e 21, gzim parisin, shabon qosen ,gxim palluqen, lemen e hales k- partizoni, besim dylekshin tore bythen, ajka e tirones

  3. Profesor,zakonisht ti shkruan,per gjera qe i din,por me Lizen e qymyrit,e ke menderosur fare.Ti vete,si tiroc i vjeter,nuk ma merr mendja se nuk paske fare dijeni per heroinen e shkrimit tend.Duke supozuar,se ti,qenke”, marre me filozofi”qe ne femijerine tende (kohe kur ka jetuar dhe punuar heroina e shkrimit),dhe nuk qenke informuar fare,per kete person,te cilen e ke patur edhe shume afer (keni jetuar ne nje lagje),po te informoj une,komshiu i saj,njekohesisht edhe mehadheli me ty,por qe nga qe nuk jam marre me” filozofi teorike”,,jam ne dijeni te plote ,per te (Lizen).Profesor,mesoje,se Liza,ka jetuar ne lagjen e Xhafeve,ne nje shtepi qe i ndante vetem nje mure,nga shkolla,qe dikur quhej “Luigj Gurakuqi”Porta e shtepise saj,ishte perkarshi,shtepise se futbollistit tironas,Gani Xhafa (besoj se kete e njeh dhe ja din edhe shtepine).Liza jetonte me te vellane dhe familjen e tij (gruan ,dy vajza dhe dy djem).Vellai saj vdiq heret (ishte i semure nga profesioni-punonte ne shtrimin e rrugeve me asfalt-ishte shoferi i rulit) keshtu qe Liza,me punen e saj,ka ndihmuar ate familje,deri ne rritjen e femijeve te te vellait.Me origjine,ishin nga Shkodra.Lizen,ne kete familjee vleresonin dhe respektonin shume.Por edhe e gjithe lagjia tone e respektonte,sepse ajo ishte shume korrekte me te gjithe porositesit per qymyr,ja dergonte mejehere,simbas kerkeses dhe pranonte ,sa t’i jepnin (por jo se ishte…por vete njeresit,mundoheshin ta paguanin me korrektese.Profesor,Liza ishte nje grua pak ezmere,me floke te zeza (por jo nga qymyri-profesor),vishej me rroba pune (ashtu sic t’u kujtoka ty),por kur kthehej nga puna,e priste uji i ngrohte (ja pregatiste e kunata dhe te bijat e saj),lahej,krihej e vishte rrobat e shtepise dhe dukej krejtesisht normale,te priste e te fliste me shume vleresim,natyrisht me ato qe i njihte.Ishte shume e njerezishme dhe fetare.Ishte katolike,bile kishte edhe nje moter,e cila ka sherbyer tek kisha katolike, ne rrugen e kavajes ,ne kohen kur feja akoma nuk ishte ndaluar.Liza,more profesor, qe kur nuk perdorej me qymyri i drurit,ajo e la punen, dhe u plak te ate shtepine mes niperve e mbesave qe e respektuan deri ne fund duke i bere edhe varrimin,sic e meritonte.Profesor,sa per fjalet qe u thane per te,ishin fjale -e vetem fjale,te thena nga vete spiunet e asaj lagjeje,e cila,sikunder duhet ta dish,apo te pakten ta kesh degjuar,quhej si lagjja e sportisteve dhe e spiuneve,per faktin se prej saj dolen shume sportista,dhe te degjuar,futbolliste-Vogli,Sallakja,Bathorja,Xhafa,Faja,Deliu, Janku.Po ashtu atlete,artiste si L.Miloti, (Lucia kishte lidhje familiare me familjen e Lizes)M.Fejzo,Papajani,por kishte edhe shume punonjes te sigurimit,sepse aty banonte edhe nje nga zv/ministrat e brendeshem te kohes.Here tjeter profesor,shkruar me konkretisht dhe jo ne hava se ndryshe nuk ta kupton mileti ate lloj filozofie.

  4. Per tironcin e vjeter: E shof se i jnjifke mire patriotet e tu,por qe jane edhe te mijte,vetem se dua te te kujtoj ,se te gjithe personat ,qe permend,kane qene njerez te mire,te bute,te dashur ,te sjellshem,por natyra i kish lene pak sicyryk.ata,jo vetem nuk i benin dem njeriu,por edhe punonin ku dhe si te mundeshin, dhe shume prej tyre,ndihmonin edhe familjet.Ndersa sot,sic po e shikon edhe vete,shume te “mencur”kane dale me budallenj se ata qe i privoi natyra,por keta te sotmit,nuk ta zgjasin,shume se jane edhe te armatosur dhe ta numurojne ne lule te ballit,per banalitete.Ne fakt,keta te “mencur” duhen izoluar neper cmendina,i dashur tironc i vjeter.

  5. Hamburgu ka nje simbol po ka dhe monument te nje njeriu popullor qe shperndante uje per njerzit Hans Hummel e perkthyer Hans Grenca se ishte shume i pa pertuar si nje blete. Per kohen qe ka jetuar Hansi njerzit u talleshin me te po sot nderohet me nje monument dhe emra rrugesh.

  6. MILENA…..nuk kam pas qellim te keq vetem sa i permenda, nuk ofendova asnje .thjesh nje kujtese e atyre viteve kur ishim te vegjel na benin pershtypje kaq. flm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *