• |
ide | kryesore

Strategjia e re e grabitjet e bankave shqiptare, pse ndodhin në dhjetor dhe ditën e premte

Lajme, Të fundit
vjedhja-grabitje-2-milione-rinas-qafe-kashar-3-33-696x417.jpg



Grabitja e bankave nuk është një fenomen i ri, por është shqetësues fakti se, pas një periudhe “pushimi”, grabitja e bankave po shfaqet përsëri në skenë, madje me një frekuencë jo normale…

Nga Roland Tashi
Ekspert i çështjeve të sigurisë

Duket rastësi, por viti që kaloi u mbyll për sistemin bankar me grabitjen e një objekti në qytetin e Laçit, ndërsa viti që sapo ka nisur është “përshëndetur” nga grupet kriminale me grabitjen e një tjetër objekti bankar në qytetin e Tiranës, duke shënuar kështu dy ngjarje në harkun e 20 ditëve. “Rastësia” në dukje duhet përkthyer dhe analizuar shumë mirë nga strukturat dhe përgjegjësit për sigurinë në banka, si dhe nga agjencitë ligjzbatuese përgjegjëse për sigurinë njerëzore dhe atë publike, pasi veprimet kriminale, grabitjet si dhe situata të tjera me qëllime abuzive, janë të mirëstudiuara dhe vështirë të mendosh se ndodhin në kushtet e rastësisë.

Është shumë e njohur teoria e “valvulave” të krimit, nëpërmjet të cilave krimi mundohet të nxjerrë, të marrë, të përfitojë të ardhura, vlera monetare apo përfitime të tjera në zonën, qytetin, rajonin ku vepron. Kur shteti dhe të gjitha strukturat përgjegjëse veprojnë me fuqinë e ligjit, frenojnë dhe pengojnë veprimtaritë e paligjshme, pra bllokohen “valvulat funksionale”. Në këto kushte, krimi mundohet me të gjitha format dhe mënyrat për të hapur shtigje dhe për të krijuar valvula të reja për arritjen e qëllimit fitimprurës.
Grabitja e bankave nuk është një fenomen i ri, por është shqetësues fakti se, pas një periudhe “pushimi”, grabitja e bankave po shfaqet përsëri në skenë, madje me një frekuencë jo normale.

Studimi, peridha kur ka më shumë vjedhje

Në një studim të Komitetit të AAB (Shoqata Shqiptare e Bankave) për Sigurinë Bankare, është marrë në analizë një periudhë 12-vjeçare, 2000-2012, ku nëpërmjet përpunimit të të dhënave të siguruara nga bankat e nivelit të dytë, Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, jepen statistika për grabitjet e ndodhura në sistemin bankar të vendit dhe disa prej vendeve të rajonit, metodologjinë e përdorur si dhe rekomandime për rritjen e kujdesit dhe nivelit të sigurisë e mbrojtjes.

Nëpërmjet rezultateve të analizave statistikore mësohet se numri më i madh i grabitjeve kryhet gjatë muajit dhjetor dhe dita e premte, e quajtur “black friday”, është dita me ngarkesën më të madhe kriminale. Në 13 raste, ose 37.14%, për periudhën e analizuar, ngjarjet janë regjistruar ditën e premte. Duhet theksuar se kjo ditë ka ngjashmëri me ciklin javor të ngjarjeve kriminale në banka edhe në disa vende të tjera europiane.

Vjedhjet e bankave, në numrin më të madh të rasteve, ndodhin në gjysmën e dytë të orarit të punës, deri në mbylljen e veprimtarisë ditore. Objektet më të sulmuara mbeten ato në qytete me ngarkesë të lartë të veprave penale, objektet jashtë unazës rrugore të qytetit dhe periferi, objekte përgjatë autostradave, si dhe objekte në qytete ku mundësia e largimit dhe fshehjes është më e shpejtë.
Dy grabitjet e fundit të ndodhura në njësitë e biznesit të sistemit bankar, duket se janë brenda “parametrave statistikore” të hulumtuara nga studimi.

“Strategjia” e kriminelëve dhe masat që duhen marrë

Krahasimi i këtyre dy ngjarjeve me ngjarjet e analizuara në studimin e Komitetit të Sigurisë në AAB, si dhe referenca në përvojat europiane, tregon se krimi përdor gati të njëjtat elemente dhe metodologji për arritjen e qëllimit.

Ky fakt, padyshim edhe pas analizave të tjera, duhet t’i orientojë dhe ndihmojë strukturat përgjegjëse për sigurinë dhe sidomos ato drejtuese në banka, për të marrë masat e duhura për përmirësimin e gjendjes, për diferencimin e mënyrës së konceptimit të planimetrive të brendshme dhe hyrjes për në objekt, duke u fokusuar tek ato më të rrezikuarat, si dhe duke planifikuar masa shtesë sigurie në ditët, muajt me ekspozimin më të madh ndaj rrezikut të grabitjes.

Studimet, statistikat, materialet e ndryshme informuese të përgatitura nga ekspertë të fushës së sigurisë, eksperiencat bashkëkohore të vendeve të tjera, me karakteristika të ngjashme me vendin tonë, nuk duhet të mbulohen nga pluhuri dhe të mbeten sirtarëve të harresës, por duhet të shfrytëzohen, të “shtrydhen”, të përmirësohen më tej me studime më të thelluara, për të shërbyer si referenca dhe materiale orientuese për rritjen e njohurive, si dhe masave të sigurisë.

Është shumë e kuptueshme që nuk mund të ketë të njëjtat parametra të mbrojtjes fizike dhe elektronike një objekt i vendosur në qendër të Tiranës, me një objekt të vendosur në periferi të saj apo në qytete të cilat kërkojnë masa shtesë sigurie.
Baza për të konceptuar një sistem eficient sigurie, duhet të jetë rezultat i analizës së detajuar të elementeve dhe funksioneve të rrezikuara. Për të mbrojtur një degë, agjenci bankare, zyrë këmbimi valutor apo për të kryer transportin e vlerave monetare, kërkohet që baza e analizës së faktorëve që krijojnë e favorizojnë rrezikun të jetë sa më e gjerë, duke analizuar edhe ngjarjet e mëparshme nëpërmjet ndërtimit dhe aplikimit të matricave të analizës së riskut.

Disa nga elementet kryesore që duhet të marrë në analizë dhe përpunojë specialisti i sigurisë, nëpërmjet matricës së riskut, duhet të jenë; ngarkesa kriminale në qytet sipas të dhënave të Prokurorisë, pozicioni i vendosjes së bankës, largësia nga rrugët kryesore, mënyra e hyrje-daljes dhe qarkullimit në objekt dhe vendqëndrimi i punonjësit të sigurisë, mënyra e ndërtimit të sporteleve, shpejtësia e mbërritjes së grupeve të gatshme të Shoqërive Private të Sigurisë Fizike (SHPSF) dhe forcave të Policisë së Shtetit, etj./ Monitor



1 Comment

  1. Pa merak se do beje Fevziu emision te henen per ta sqaruar pse ndodhin te premten e ne dhjetor. Nuk ka lajm me te mire per te terhequr vemendjen nga thirrja e Shkelzen Berishes ne prokurori per aferen Cez dhe arrestimin e drejtoreve te lsi e pd

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *