• |
ide | kryesore

Erion Veliaj sfidon Europën: Tirana është më e sigurtë se Roma, Milano, Brukseli dhe Parisi!

Lajme, Të fundit



Mëngjesin e të hënës Erion Veliaj rreshtoi policët e bashkisë para tij dhe deklaroi se Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë.

Kryebashkiaku përmendi disa kryeqytete që sipas tij, Tirana i ka lënë pas në çështjet e sigurisë si Athina, Roma, Milano, Brukseli dhe Parisi dhe sikur të mos kishte jetuar asnjë ditë në Tiranë, tha se i referohej një renditjeje të faqes së internetit Numbeo.

“Ishte një krenari shumë e madhe kur pashë sesi agjensia europiane Numbeo që bën një indeksim të të gjithë statistikave europiane, e nxirrte Tiranën si një nga qytetet më të sigurta sot në Europë. Më shumë kishte pasiguri Athina, Roma, Milano, Brukseli, Parisi, arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, numrat e emigrantëve, situatat informale, çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin, nuk po i hyj kësaj, por statistikat europiane sot na flasin për një kryeqytet që është shumë herë më i sigurt se ç’ka qenë dhe sot renditet me krenari si një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë. Kur e thonë kryetarë bashkie, të vendeve europiane që vijnë për të vizituar Tiranën dhe teksa shikojnë statistikat si menaxhohet qyteti ynë, atëherë ndihem dyfish krenar” tha Veliaj në aktivitetin e organizuar me policët e Bashkisë dhe shefat e Policisë së Shtetit.

Veliaj tenton ta shesë Numbeo si një “agjensi europiane” për t’i dhënë besueshmëri referencës, por në fakt kemi të bëjmë me një një faqe interneti me seli në Beograd, që nxjerr statistika për shërbimet shëndetësore, trafikun, ndotjen e mjedisit, kriminalitetin etj, për qytete nga e gjithë bota.

Nga një vëzhgim në Numbeo, rezulton se vërtet ekziston një renditje në lidhje me kriminalitetin, ku Tirana lë pas disa nga kryeqytetet më të mëdha të Bashkimit Europian, por metoda e përdorur për të nxjerrë statistikat lë hapësirë për dyshime.

Rezultatet e Numbeo përftohen nga votimi online i vizitorëve të faqes së internetit. Kushdo është i lirë të japë vlerësimin e tij në bazë të perceptimit personal.

Në renditjen për Tiranën kanë votuar 63 persona. Pra, bazuar në përceptimet personale të 63 personave, Erion Veliaj sfidon realitetin duke thënë se Tirana është më e sigurtë se kryeqytetet e Bashkimit Europian.

Perceptimet personale mund të kishin vlerë për elementë si “trafiku” apo “cilësia e jetës”, por situata e krimit është e matshme përmes statistikave të policisë. Madje edhe përmes statistikave të policisë, mbetet e vështirë të kuptohet natyra e kriminalitetit, për shkak se ngjarjet raportohen njësoj, si kur janë për shkaqe momentale, ashtu edhe kur janë goditje të krimit të organizuar.

Por në nevojë urgjente për një lajm të mirë në funksion të propagandës, kryebashkiaku i ka shpërfillur krejtëisht statistikat e policisë dhe nuk ngurron të bëhet qesharak, sepse deri tani Tiranën e kishte krahasuar me Vjenën, ndërsa sot Tirana ia paska kaluar edhe Parisit, edhe Romës.

Pak ditë më parë në Tiranë ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale, siç ishte ajo e vrasjes së Devi Kasmit nga një vrasës me pagesë të ardhur nga Greqia, por kjo duket se nuk përbën asnjë problem për kryebashkiakun.

Ndoshta ka qenë një mënyrë për t’i hequr frikën punonjësve të Bashkisë, të cilët u alarmuan pak ditë më parë, sepse panë një çantë të dyshimtë pranë kazanit të plehrave pranë Bashkisë. Nga verifikimet doli se kishte qenë një alarm i rremë, por paniku i krijuar mund ta ketë bërë kurioz Veliajn të kontrollojë mes statistikave të Numbeo dhe të gjejë aty një lajm më shumë për propagandë, pavarësisht se çfarë lidhje ka me të vërtetën.©Lapsi.al



6 Comments

  1. Që ky karafili me nofkën “Lali Eri” e ka bërë veten gaz i botës me marrëzitë e tij, kjo duket tashmë fare kjartë.
    Por ajo që të habit është fakti se pse mediat shqiptare janë bërë si dikur “Zëri i popullit” duke propoganduar thuajse çdo ditë, të gjitha “sukseset e mëdha” të lulëzimit të Shqipërisë socialiste nën drejtimin e shokëve Edi e Erion.
    Edhe ky meraku i madh për budalleqet e Erionit, sepse më duket se e ka zanafillën tek meraku se mos ky do t’ja zerë vendin Edit, apo së paku për t’ja larguar vëmendjen opinionit publik nga bëmat e krieministrit.
    Po dëgjoja live në tv Ora News lajmet e ditës.
    Mu duk sikur ishte rikthyer RTSH i viteve 80.
    80% të “lajmeve” e zinin njoftimet se ku kanë qenë e cfarë kanë thënë apo bërë Edi Rama e Erion Veliaj.

    1. numov a gligorov bravo i thon gomarit kur del nga balta.por po duket se ka ngec ne balt dhe kerkon JASTEK GRISELDE per ta nxjerr.me 700 mij banor sa ka tirana prin per kriminalitet ne bot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *