• |
ide | kryesore

Do të zbulosh një sekret të vogël që fsheh Tirana?

Lapsi Leaks



Zakonisht paraditet e të dielave në Tiranë janë disi monotone. Dikush zgjedh të dalë shëtitje, dikush të dalë jashtë qytetit, ndërsa të tjerë zgjedhin thjeshtë të pushojnë pas një jave në punë. Por jo të gjithë i ndjekin këto ‘rregulla’. Duke ecur në rrugët e kryeqytetit më ndalojnë dy të rinj shumë të sjellshëm dhe fillojnë të më flasin për një revistë filozofike që ata kishin publikuar. Duke më tërhequr mënyra e tyre e komunikimit, por edhe ideja e një botimi filozofik, në këtë kryeqytet që është mësuar më së shumti me party, dalje për kafe, apo me smog, trafik, lajmet të përditshme dhe rrjete sociale, vendosa që të ulem në kafe me ta për të kuptuar më shumë rreth kësaj reviste dhe vetë tyre. Edhe pse e diel, dy të rinjtë kishin zgjedhur që të promovonin këtë revistë tek sa më shumë persona.

Në bisedë e sipër ata po më tregonin se janë pjesë e një organizate jofitimprurëse të quajtur ‘Akropoli i Ri’, një organizëm filozofik dhe kulturor, që ndodhet në 64 shtete të botës dhe mbi 424 qytete, ndërsa prej 10 vitesh ndodhet edhe në Shqipëri e themeluar nga Kastriot Gjini, drejtori i kësaj qendre. Lisian Roseni, drejtori i ‘Botime Akropoli i Ri’, më shpjegon se kjo revistë në veçanti, së bashku me botimet e tjera, janë një qasje e asaj që ky organizëm ndërkomëtar bën në tërësi. Ai u shpreh se ky organizëm mbështetet në 3 shtylla kryesore: Filozofi, Kulturë dhe Vullnetarizëm. Revista Filozofikja është një lloj kanalizmi i sektorit të filozofisë dhe kulturës, shprehet ai.

Ky është botimi i tretë i kësaj reviste që botohet çdo 3 muaj, vëllimi i fundit i së cilës është ka dalë në librari pak ditë më parë. Roseni shpjegon se ky vëllim i tretë përmban një sërë temash filozofike dhe psikologjike si:

  • Çfarë është lumturia?
  • Parimet e ezoterizmit
  • Luftëtarët samuraj
  • Imperativi kategorik te Kanti
  • Tipologjitë e temperamenteve
  • Bioritmet te njeriu dhe natyra
  • Pse jemi të varur nga veset?
  • Fuqia magjike e mitit

Ai vazhdon duke thënë se pjesa dërrmuese e artikujve janë shkruar nga vetë anëtarët apo personat që japin mësim në qendrën kulturore dhe filozofike Akropoli i Ri, gjë e cila, sipas Rosenit, ia shton origjinalitetin kësaj reviste, përpos faktit që e gjithë puna e bërë me këtë revistë apo çdo botim tjetër është tërësisht vullnetare.

Kjo është përpjekja jonë për të ofruar në Shqipëri diçka ndryshe dhe si e tillë nuk mund ta cilësojmë si një punë ku merr një rrogë dhe kaq. Jo, dija nuk mund të blihet me para, por vetëm mund të ofrohet apo transmetohet dhe ne këtë përpiqemi të bëjmë, duke ofruar veten në mënyrë vullnetare, pa marrë diçka në shkëmbim. Të gjithë ne jemi nëpër punë të ndryshme, nëpër fakultete, kemi jetën tonë personale, por kjo nuk na pengon që të bëjmë gjërat që duam dhe të japim një kontribut sado të vogël në shoqëri duke vënë në shërbim aftësitë tona dhe veten tonë.” – shprehet Roseni.

Ai shpjegon duke thënë se një pjesë e mirë e këtyre temave janë të panjohura për lexuesin shqiptar, pasi kanë një karakter ezoterik. Ai përmend temën ‘Parimet e ezoterizmit’ duke u përpjekur të më shpjegojë thjeshtë 3 nga parimet kryesore të kësaj filozofie, apo traditat dhe kodet e luftëtarëve samuraj në Japoni, të cilët nuk ishin vetëm luftëtarë, por edhe njerëz me parimet e virtyte të larta. Me pas përmend ‘Bioritmet te njeriu dhe natyra’ ku përciptazi cek disa cikle të natyrës që janë edhe te njeriu si pjesë e kësaj natyrë duke funksionuar si një njësi e madhe. Shpjegimin ai na e mbyll me ‘Fuqinë magjike të mitit’ pasi sipas Roseni, mitet nuk janë thjeshtë legjenda të mbushura plot me fantazi, por modele të edukimit dhe të lartësimit të qenies njerëzore. Në këtë formë, shton ai, ata duhet të imitohen dhe të arrihen nga njerëzit pasi janë arketipe të zhvillimit njerëzor dhe kjo revistë këtë qëllim ka; të përçojë tek lexuesi disa dije universale, por të humbara ose të harruara.

Ai  pastaj flet edhe për rolin e vullnetarizmit dhe se si kjo revistë është e gjitha një nismë e tillë. Për të dhe qendrën ku ai bën pjesë, filozofia nuk shihet si vetëm si një akt me anë cilit lexon libra apo bën debate të ndryshme, por shihet si një veprim aktiv jetësor, ku njeriu, apo filozofi duhet të praktikojë ato që di dhe mendon.

Botimet Akropoli i Ri është një nismë e qendrës kulturore dhe filozofike ‘Akropoli i Ri’ që merret me botimin e revistave, librave apo çdo botimi tjetër me karakter filozofik dhe psikologjik. Vetë qendra është një nismë e madhe botërore që fokusohet në 3 sektorë kryesorë si filozofia, kultura dhe vullnetarizmi. Botimet Akropoli i Ri në këtë aspekt janë një ndërthurje e sektorit filozofik dhe kulturor. E kemi ndërmarrë këtë nismë pasi besojmë se bota nuk mund të ndryshohet me anë të teknologjisë, ekonomisë, politikës apo diçkaje tjetër, të paktën jo nga ana brendësore, por mund të ndryshohet përmes edukimit. Ajo çka po përpiqemi të bëjmë me Botime Akropoli i Ri është një qasje me anë të cilës njerëzit, përmes librave dhe revistave, të mund të fillojnë të njohin veten e tyre dhe këtë proces të mundohen ta implementojnë edhe në shoqërinë ku jetojnë. Për këtë arsye sjellim në shqip për herë të parë botime të një karakteri gati të panjohur masivisht për lexuesin shqiptar, siç janë temat me karakter ezoterik, filozofik, psikologjik, papapskilologik, mitologjik etj. Për ta aktualizuar këtë filozofi, apo thënë më mirë për ta vënë në praktikë, ne nuk mbetemi vetëm në nivel teorik, pasi bota nuk ndryshon vetëm me ide. Kjo e jona është një iniciativë totalisht vullnetare, fjalë që përshkruan edhe karakterin e gjithë aktiviteteve të qendrës kulturore dhe filozofike Akropoli i Ri. Në perceptimin tonë e konsiderojmë vullnetarizmin si aktin e parë të një njeriu të lirë. Si rrjedhojë, filozofia jonë është po aq praktike sa edhe teorike. Askush prej anëtarëve të qëndrës nuk paguhet, pasi dija në thelb nuk shitet. Përndryshe ku do të ndryshonte një biznesmen nga një filozof?  Kur themi se nuk paguhet kjo nuk na heq seriozitetin e punës tonë, pasi pikërisht prej këtij fakti e bëjmë atë me një vullnet të lirë dhe një vetëdije për t’i ofruar diçka ndryshe lexuesit shqiptar dhe shoqërisë në përgjithësi, pa pritur një shkëmbim monetar.” – u shpreh drejtori i Botime Akropoli i Ri, Lisian Roseni.

Kur e pyes se çfarë do të sjellë si risi vëllimi i tretë i kësaj reviste, ai më përgjigjet:

Revista Filozofikja vazhdon dhe do të vazhdojë t’i qëndrojë besnike parimit ‘një filozofi për të gjithë’. Është e dobishme të studiohet se çfarë mendimi kanë pasur filozofë të ndryshëm, pra, ‘studimi i historisë së filozofisë’, por për ne është e nevojshme dhe emergjente kuptimi e integrimi i këtyre filozofive në jetën tonë të përditshme. Të gjitha pyetjeve ekzistenciale tu përgjigjemi këtu dhe tani, secili sipas kuptimit dhe nevojës së tij si qenie. Revista Filozofikja 3 sjell si risi një ndryshim nga dy vëllimet e para, së pari punën kërkimore teorike dhe praktike të disa prej drejtuesve dhe mësuesve të qendrës Akropoli i Ri. Artikujt janë shkruar sipas metodologjive të ndryshme, nga ato publicistike deri ato me karakter shkencor. Po ashtu kemi sjellë një larmishmëri më të madhe krahasuar me dy vëllimet e para, si dhe një thellim më të madh tek kategoritë e revistës. P.sh. tek kategoria psikologji kemi studimin e temës ‘Çfarë janë veset?’, tek kategoria qytetërim kemi studimi i kodeve të samurajëve, ndërsa tek kategoria analogji kemi trajtimin e temës ‘Bioritmet tek njeriu dhe natyra’. Një tjetër risi është lidhja logjike mes temave të ndryshme tek një volum i vetëm ku mund të shohim me qartë temat plotësuese më njëra-tjetrën në volume të ndryshme të Filozofikes.” – tha Roseni.

Përpos Filozofikes ju u shprehët se merreni edhe me botime të librave të tjerë. Çfarë do të na sillni në të ardhmen?

Revista Filozofikja nuk është i vetmi botim që ne publikojmë. Ne kemi botuar deri më tani një sërë librash, kryesisht me karakter psikologjik dhe filozofik si: Alkimisti, Qeni Moasi, Ankor, Filozofia si mënyrë jetese, Lojërat e Majas, Të njohësh vetveten dhe Në këmbët e mësuesit. Po ashtu, kemi në plan që muajin e ardhshëm të botojnë 3 libra të rinj. Njëri prej librave titullohet Tebas dhe flet për qytetin e lashtë egjiptian. Në këtë libër do të shohim një studim mbi qyteterimin egjiptian dhe Tebas-in në veçanti në dy plane; historik dhe mitogjik. Ndërsa dy librat e tjerë po i lë surprizë.  Po ashtu, në vijim, siç do tre muaj do të nxjerrim volumin e ri të Filozofikes, në këtë rast Filozofikja volumi 4.” – përgjigjet Roseni.

Çfarë ndikimi apo fryme të re sjellin këto botime tek lexuesi shqiptar?

Libri është forma kryesore e edukimit të njeriut. Mëgjithëse sot fatkeqësisht mund të themi se është e vetmja. E them edukimi dhe jo arsimimi, pasi ai që të edukon duhet të jetë vetë i edukuar. Nuk mund të transmetosh tek dikush diçka që nuk e ke. Pra, nuk mëson thjeshtë si është diçka, apo një njohje të thjeshtë, por edhe të dish, pra ajo që thua, ndjen dhe bën të jenë e njëjta gjë. Ne ofrojmë jo vetëm librin si një mjet edukimi, por specifikisht libra edukues. Pra, libra që mund t’i shërbejnë një fëmije ose adoleshenti për të kuptuar më mirë botën e vet dhe atë të të rriturve, dhe anasjelltas. Mund t’i mësojë një studiuesi se si të dashurojë atë që bën dhe një njeriu të dashuruar me jetën të dijë se çfarë do. Si rrjedhojë, këto botime na ndihmojnë të cekim sadopak veten tonë reale. Kësisoj, të ndryshojmë botën duke ndryshuar veten. Përmes këtyre botimeve duam të përcjellim këndvështrimin se ne mund të jetojmë në një botë e cila është njëherësh absurde dhe e kuptueshme, egoiste dhe bashkuese, tragjike dhe komike, e trishtuar, por edhe e lumtur. Këto nuk do të ndryshojnë, por mënyra se si ne i shohim, si ndihemi dhe si veprojmë në raport me këto gjëra mund të ndryshojë. Kjo na bën sadopak filozofë të vetes” – përfundon ai.

Ngrihemi nga kafja dhe përshëndetem me dy të rinjtë duke i lënë që të vazhdojnë me promovimin e revistës. Vazhdoj të ecurën time duke menduar se në këtë qytet kaq të zhurmshëm me zhvillim kaotik plot me rendje pas materializmave, ka edhe të rinj që mundohen të dalin nga kjo e përditshme rutinore dhe të guxojnë t’i kundërvihen kësaj epoke të fokusuar në materializëm. Në ditën tona nuk ka më heronj legjendarë që bëjnë bëma epike, por ama ka heronj të vegjël të përditshmërisë që nuk pranojnë të dorëzohen. Shpeshherë është e vështirë t’i vësh re, pasi ata nuk bërtasin dhe nuk kërkojnë vëmendje, por ndonjëherë mjafton ndonjë “e diel” për ta kuptuar që janë vërdallë./ Lapsi.al

 

 



2 Comments

  1. J’u prifte e mbara djema!. Sado jane me shume te rinjte qe zderhallen, perplasen, zhyhen, zhyten e bejne hije kot, jane te tillet si ju, sado pak, qe e shpetojne boten.
    Paci shendet, gezim, miq e familje te mira, miq!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *