• |
ide | kryesore

Risitë që do të sjellë CNN në Shqipëri. Një investim i madh në tregun mediatik shqiptar

Lajme, Të fundit



Lajmi se media e njohur ndërkombëtare, CNN, ka hyrë në tregun shqiptar, ngjalli jo pak interes në publik. Në Shqipëri, ndryshe nga rajoni, kanë munguar emrat ndërkombëtarë në media.

I pari që tentoi ishte Waz Media Group, një nga grupet më të mëdha mediatike në Evropë me seli qendrore në Gjermani, i cili bleu 67% të aksioneve të Vizion Plus për 2.4 milionë euro në shkurt të vitit 2009, por më pas i shiti sërish aksionet në korrik të vitit 2012.

Tregu i vogël i reklamave, që vlerësohet deri në 40 milionë euro në vit dhe konkurrenca e lartë, shpesh informale, mes mediave vendase, i kanë mbajtur larg të huajt nga ky sektor.

 Megjithatë, Gener 2, një nga kompanitë më të mëdha private shqiptare në fushën e ndërtimit dhe punimeve civile inxhinierike, arriti të sjellë në një partneritet ekskluziv me CNN, hapjen e stacionit të parë informativ A2.

“Gjendemi në kushtet kur ekonomia shqiptare ka nevojë të rritet dhe të diversifikojë portofolin e investimeve. Nisur nga kjo, menduam se është koha e duhur t’i japim tregut një investim të madh në industrinë e medias, një investim të qëndrueshëm që do të ndryshojë, e për këtë ne jemi të bindur, realitetin mediatik shqiptar”, pohoi Dorina Troka, Drejtore e Marketingut dhe Komunikimit, Gener 2, e cila dha për “Monitor” disa detaje se kur do të fillojë aktiviteti dhe çfarë risish do të sjellë në treg hyrja e një media ndërkombëtare.

Transmetimet nisin në fund të 2018-s

A2 do të jetë një televizion tërësisht i ri me zyra qendrore në Tiranë. Do të ketë studio televizive dhe çdo lehtësi të mundshme për prodhimin e përmbajtjeve informative në formatet kryesore të tij.

“Ne jemi optimistë se do të përmbushim të gjitha angazhimet që kemi ndërmarrë dhe A2 do të nisë transmetimet direkte në fund të vitit 2018”, tha Troka.

Aktualisht po punohet për të ndërtuar identitetin e këtij televizioni bazuar në standardet dhe guidën e markës CNN.

Stacioni i ri televiziv, A2, do të ofrojë përmbajtje informative, si për shqiptarët brenda vendit, ashtu edhe për ata të diasporës dhe më gjerë. I gjithë informacioni i CNN, që do të transmetohet ekskluzivisht nga CNN, do të përkthehet në gjuhën shqipe, tha Troka.

“Ne besojmë se do të kemi të gjithë potencialin e duhur për të sjellë një stil të ri të të bërit të gazetarisë në Shqipëri. Kjo edhe për vetë faktin se jemi në partneritet ekskluziv me CNN dhe do të mund të kemi akses në një rrjet të përbërë nga 1,100 degë që shtrihen në të gjithë botën”, shtoi ajo.

Si do të përzgjidhet personeli

Zgjedhja e personelit do të kryhet duke ndjekur udhëzimet dhe standardet e CNN dhe stafi vendas do t’i nënshtrohet një procesi të rreptë përzgjedhjeje. “Në bashkëpunim të ngushtë me CNN dhe këshilluesit tanë, jemi duke finalizuar kërkesat për çdo element të strukturës organizative. I gjithë procesi do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e të gjitha palëve të përfshira.

Rekrutimi do të fillojë së shpejti. Të gjithë profesionistët e interesuar do të mund të aplikojnë sapo të njoftohet nisja e procesit”, pohoi Drejtorja e Marketingut dhe Komunikimit në Gener 2.

Totali i personelit do të arrijë në rreth 100 persona.

Konkurrenca

Hyrja e CNN në tregun shqiptar pritet të rrisë konkurrencës por dhe t’i japë një tjetër dimension cilësisë së raportimit të lajmit bazuar në standardet ndërkombëtare.

“Ne arritëm të firmosnim një marrëveshje me CNN, pasi kaluam një proces të rreptë dhe të kujdesshëm. CNN do të na furnizoje me lajme, informacion dhe përmbajtje ekskluzive. Paralelisht, në kohë reale, përmbajtjet tona do të furnizojnë CNN. Procesi do të jetë i monitoruar”.

Objektivi është që të ofrohen lajme të shpejta, të thelluara, të kuruara dhe mbi të gjitha të besueshme për audiencën.

“Për të realizuar këtë sipërmarrje do të mbështetemi nga ekspertë mediash me përvojë të gjerë në këtë industri. Gjithashtu do bashkëpunojmë me kompani të njohura në sektorin e teknologjisë, krijimtarisë dhe komunikimit etj.”, tha Troka.

“Në këndvështrimin tonë, edhe kompanitë e tjera që janë të pranishme tashmë në këtë industri do të nxiten për të rritur standardet, për të investuar më shumë në teknologji dhe për të trajnuar stafin. Në këtë mënyrë, CNN, nuk do të jetë thjesht dhe vetëm një markë ndërkombëtare mediatike e pranishme në tregun shqiptar, por do të ofrojë garanci dhe nxitje për rritjen e standardeve”.

A do të jetë fitimprurës

Tregu i vogël i reklamave dhe konkurrenca e lartë në media nuk e kanë trembur investitorin Gener 2, që të sjellë CNN në Shqipëri. “Numri i mediave që operojnë në treg është i madh në krahasim me popullsinë”, thotë Troka. “Ne e respektojmë konkurrencën, por një lojtar i ri po bëhet pjesë e lojës”.

“CNN është një kompani shumë fitimprurëse. Ne besojmë në modelin e tyre dhe do të ndjekim udhëzimet për ta bërë stacionin tonë fitimprurës në Shqipëri”, tha Troka.

Risi do të jetë dhe teknologjia. “Do të përdoret teknologjia e fundit të industrisë. Kjo do të na lejojë të ulim kostot dhe të rrisim performancën e prodhimit. Këto detaje të rëndësishme operacionale do të na japin një avantazh në konkurrencë me tregun aktual”.



2 Comments

  1. Me mire shof TVSH se cnn e dhjere. Media me komuniste e hipokrite ne amerik. Pabesushmeria e publikut amerikan ndaj ksaj media eshte ne kulmet e papara ndonjehere.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *