• |
ide | kryesore

Trump ‘me shpatullat pas muri’, dhëndrit të tij i ndalohet aksesi tek dokumentet sekrete të Shtëpisë së Bardhë

F1, Planet
Trump



Më parë, dukej se nuk kishte asnjë punë që dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, nuk e bënte në Shtëpinë e Bardhë.

Kujtojmë këtu përfshirjen e tij në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, udhëheqjen e marrëdhënieve me Kinën, dhe përmirësimin e mënyrës si qeveria vepron, për ta bërë atë më efikase. Këto janë vetëm tre nga shtatë ‘punët’ që Kushner bënte dikur në Shtëpinë e Bardhë.

Për shkak të shqetësimeve në lidhje me financat e tij gjatë procesit të tranzicionit presidencial, Kushnerit iu hoq leja për të parë shumë nga dokumentet Top-Secret që shihte më parë, si dhe informacionet që vjehrri i tij, Donald Trump merrte çdo ditë.

Ndërkohë, Ëashington Post raportoi se katër vende, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Izraeli dhe Meksika, kishin filluar të dyshonin se Kushner mund të ishte lehtësisht i manipulueshëm, për shkak të problemeve komplekse me pasuritë e tij, si dhe mungesa e eksperiencës në politikën e jashtme.

Ky artikull raportoi edhe se Kushner kontaktonte me zyrtarë të qeverive të huaja pa njoftuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster. Një veprim i tillë përbën shkelje të rëndë protokolli.

Ky paragraf nga artikulli i Washington Post ishte tejet i çuditshëm.

“Brenda Shtëpisë së Bardhë, mungesa e përvojës qeveritare dhe borxhi i bizneseve të Kushnerit, u panë si pika të mundshme ku qeveritë e huaja mund të kapen dhe t’i përdorin për të influencuar politikën e Shtëpisë së Bardhë. Kjo u konfirmua si nga zyrtarë të tanishëm, edhe të mëparshëm të qeverisë amerikane”.

Të martën, zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders këmbënguli se heqja e lejes së Kushnerit për të pasur akses në informacione të klasifikuara, nuk do të ndikonte qëndrimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai është një anëtar i vlerësuar i ekipit dhe do të vazhdojë të bëjë punën e rëndësishme që ka bërë që kur ka filluar në administratë” – u shpreh Sarah Sanders.

Donald Trump mund të mos jetë një person jashtëzakonisht besnik, por një nga ‘grupet’ që ai mbështet dhe mbron gjithmonë është familja e tij. Dhe Kushneri është familje për Trump-in. Ai është burri i vajzës së madhe të Presidentit, Ivankës.

Image result for trump kushner ivanka

Përkundër deklaratës së Sanders, se Kushner do të vazhdojë punën e rëndësishme që bën në administratë, është e vështirë të kuptohet si do të vazhdojë ai t’a bëjë këtë punë.

Pa akses në të dhënat e klasifikuara, Kushner nuk do të lejohet të shohë asnjë dokument që ka të bëjë me çështjet e jashtme.

“Kjo duket se do të jetë dëmtuese” – u shpreh John Kirby, ish-zëdhënës i Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit në administratën e Obamës.

Natyrisht, Trump, si President, ka mundësinë të deklasifikojë informacionet, dhe mund të veprojë kështu që Kushneri të shikojë disa, ose të gjitha dokumentet.

Këtu vijmë tek pjesa më e rëndësishme.

Edhe nëse Trump do të mund t’a mbajë Kushnerin në detyrën që ka, a duhet t’a bëjë?

Në fund të fundit, ne e dimë, falë Washington Post, se çështjet financiare të Kushnerit dhe mungesa e eksperiencës së tij e kanë bërë objektiv për qeveritë e huaja, që të përpiqen t’a manipulojnë. Ne gjithashtu e dimë se në të kaluarën Kushner u takua me zyrtarë të huaj pa dijeninë e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare.

Kjo ngjarje do të përbënte shqetësim për çdo administratë, për cilindo punonjës. Duhet të jetë një shqetësim serioz kur bëhet fjalë për Kushnerin, i cili, deri kur iu hoq aksesi për dokumentet Top-Sekrete, shihte gjithçka që dëshironte.

Imagjinoni për një moment sikur burri i vajzës së Bill Clinton, Marc Mezvinsky, të kishte të njëjtin rol në Shtëpinë e Bardhë siç e ka Kushner tani. Shto këtu nëse do të flitej se ai do të kishte të njëjtat probleme si Kushneri.

Republikanët, me të drejtë, do të luanin mendësh.

Sado i afërt që një këshilltar mund të jetë për Presidentin, probleme të tilla duhet të jenë baza për të rishikuar rolin e tij, apo edhe t’a shkarkojnë tërësisht nga Shtëpia e Bardhë. Në fakt, afërsia dhe influenca që Kushner ka me Donald Trump, e bëjnë edhe më të rrezikshëm qëndrimin e tij në administratë.

A do t’i konsiderojë Trump këto ngjarje si të rrezikshme? A do ta pranojë ai se për të mirën e administratës së tij dhe vendit, do të ishte më mirë nëse Kushner të gjentë një punë tjetër?

Me shumë mundësi jo. Për Trump, familja është gjithmonë e para. Dhe Jaredi është pjesë e familjes.

CNN, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *