• |
ide | kryesore

Alarmi/ Ekonomia në rrezik nga mbipërdorimi i Euro-s

Kryesore, Lajme



Nga Endrit Avdullari*

Një hulumtim i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), publikuar në fundjanar 2018, ka kaluar me ose pa dashje pa jehonë në shtypin shqiptar. Studimi analizon praninë e monedhës Euro në tregun shqiptar dhe marredhënien e fortë të Lekut me të, njohur me termin “Euroizim”. Shumë vende në Evropë mundohen të ruajnë një marredhënie pak a shumë të qëndrueshme me një monedhë ndërkombëtare. Vendet evropiane kanë zakonisht euron, disa ish-koloni Britanike kanë sterlinën, në arenën ndërkombëtare shumica janë të lidhura me dollarin, etj. Marredhënia në vetvete pra, nuk ka asgjë të gabuar, por si shumë koncepte të drejta ekonomike, edhe ky, në rastin e Shqipërisë ka dalë jashtë kontrollit.

Siç provon studimi “Shtysat e Euroizimit dhe Reagimi me Politika Efektive” nga Kota et. al. (2018), Shqipëria është tejet e “Euroizuar”. Pra përveç marredhënies normale, Leku ynë ka inferioritet të theksuar në përdorim. Kjo për tre arsye kryesore: shumë aktorë ruajnë rezerva në euro për t’u mbrojtur nga kursi i këmbimit, tregu i brendshëm nuk është i barazpeshuar nga pikëpamja e tregtisë, pra kemi shumë importe bazuar kryesisht mbi monedhën Euro, si dhe vendimet e portofolit pra njerëz që spekulojnë ose thjesht nuk kanë besim te qëndrueshmëria e monedhës vendase lidhur kjo ngushtë edhe me informalitetin e lartë në Shqipëri.

Rreziku i kursit të këmbimit është kaq i madh sa dhe vetë Banka e Shqipërisë ka kërkuar më shumë depozita nga bankat e nivelit të dytë në Euro dhe më pak në Lekë. Është bërë në fakt e udhës në Shqipëri që gjërat të shitblihen direkt në Euro. Pronat e patundshme ka vite që shiten në Euro, udhëtimet, pajisjet elektroshtëpiake, tarifat universitare, veshjet e markës, madje edhe projekte qeveritare, paga, kredi për shtëpi, çmimet në porte, aeroporte, dogana, sigurime, fonde pensioni dhe shumë transaksione të tjera krejt banale, që tashmë injorojnë monedhën vendase e cila në mënyrë të kundraligjshmë, nuk i paguhet prurësit më të parë kudo në vend duke mos pasur as besimin e vetë shtetit shqiptar. Leku është ndër të paktat monedha në botë që nuk këmbehet në asnjë këmbimore të asnjë shteti dhe ndër të vetmit që refuzohet edhe në shitblerje brenda vetë Shqipërisë si në shembujt e mësipërm.

Prej vitit 2015, depozitat në monedhë të huaj kanë kaluar ato ne lekë, ndërkohë kreditë në monedhë të huaj janë rreth 60%!  Ndaj nuk është habi që 75% e kredive të pashlyeshme janë në monedhë të huaj. Një nga arsyet është sigurisht kursi i pafavorshëm i këmbimit që për shumë kreditorë të pafat dhe të mosinformuar (për të mos thënë të  keqinformuar nga oficerët e kredisë që duhen t’i paralajmërojnë për rreziqet siç konstatohet dhe nga FMN), vazhdojnë të marrin kredi në monedhë të huaj joshur nga interesi më i ulët i tyre (mesatarisht 4.8% në € dhe 7.2% në Lekë) pavaresisht se i kanë të ardhurat në lekë, gjë që çon tepër shpesh në një kredi që shtrenjtohet papritur dhe rrjedhimisht bëhet shumë e papërballueshme.

Studimi tregon se këto kredi aprovohen nga bankat edhe pse rreth gjysma e kreditorëve i kanë të ardhurat në lekë. Banka e Shqipërisë e ka konstatuar zyrtarisht këtë duke zgjedhur gjithsesi të mos marrë masa, pra nuk e njeh si shqetësim, megjithë borxhin e keq shumë të lartë që bankat e nivelit të dytë vazhdojnë të kenë në monedhë të huaj.

Ironia e bankave vazhdon më tej kur shikon që ato e kanë rritur investimin e tyre me 28% për shtetas jorezidentë dhe investime jashtë vendit (!) duke preferuar marrjen përsipër të rreziqeve shtesë në këto sipërmarrje kundrejt mbështetjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve banues në vend. As bankat dhe as investitorët nuk duan të investojnë në Shqipëri, nuk duan të investojnë në lekë dhe nuk kanë asnjë detyrim apo inkurajim nga shteti për ta bërë këtë, duke u kthyer keshtu në ndërmarrje të pastra biznesi pa asnjë lloj përgjegjësie sociale ndaj shërbimit publik dhe ekonomisë vendase.

FMN vlerëson se vetëm humbjet nga shtypja e monedhës janë të paktën 6 miliardë lekë çdo vit (0.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto!), dhe kostot nga portofoli i pabalancuar i Bankës së Shqipërisë jane 3 miliardë lekë, e lidhur ngushtë kjo me mosbesimin financiar (pra dëshirën e agjentëve për mbajtjen e parasë në dorë dhe jo në bankë), pa llogaritur humbjet në investime, likuditet, bllokimi i ekonomisë, vendet e punës, kostot e këmbimit etj. etj. të cilat janë të pallogaritshme si në kuptimin e drejtë ashtu edhe në atë metaforik të fjalës.

Ministria e Financave (MF) dhe Banka e Shqipërisë (BSH) kanë mekanizma pa fund për ta kontrolluar situatën. Ato mund të vënë taksa mbi llogaritë dhe kreditë në monedhë të huaja apo agjensitë këmbimore, taksa mbi fitimin për spekulantët, taksa mbi investime të caktuara online apo jashtë vendit – me pak fjalë, taksa si çdo shtet me treg financiar të lirë në botë.

FMN gjithashtu thekson nevojën e Bankës së Shqipërisë për të detyruar bankat e nivelit të dytë të jenë më të sinqerta me kredimarrësit, t’i informojnë ata për rreziqet madje dhe të refuzojnë kredidhënien kur rreziku është qartësisht i lartë, si në rastin kur të ardhurat janë në lekë si dhe të ofrojnë produkte më tërheqëse në lekë. Ata gjithashtu inkurajojnë që të ofrohen më shumë investime- sidomos ato afatgjata- në lekë. Shteti gjithashtu mund të ndërhyjë në taksimin e transaksioneve me monedha jo-Lekë, vënien e çmimeve në Lekë në çdo institucion shtetëror por edhe privat, taksimin e nxjerrjeve të parave jashtë vendit, veçanërisht drejt parajsave fiskale, kufizimin e pagesave me para në dorë etj.

Një tjetër problem madhor që lidhet me mbipërdorimin e monedhave të huaja qëndron tek pavaresia e cunguar e ekonomisë shqiptare. Ky ekspozim i panevojshëm ndaj rrezikut të kursit të këmbimit jo vetëm që mund të shkaktojë humbje të thella që mund të shokojnë ekonominë tonë të vogël si p.sh. një ndryshim i beftë i vlerës së Euros/Dollarit, por edhe kufizon ndjeshëm mundësinë e MF dhe BSH për të ndihmuar ekonominë me politikat e tyre duke qenë se efekti i këtyre politikave do ndihet kryesisht në shitblerjet me lekë pra rreth vetëm 50% të ekonomisë.

Ndër avantazhet e mëdha të të qënit jashtë Bashkimit Evropian janë pavarësia e ekonomisë dhe mundësia për të manovruar marredhëniet tregtare dhe zhvlerësimin e lekut pa patur nevojë për të konkurruar në tregun e brendshëm me ekonomitë më të fuqishme evropiane siç po bëjmë kotësisht tani. Në rastin e Shqipërisë, kjo pavarësi është e cunguar në gjysëm dhe rrjedhimisht e destinuar të dështojë derisa politikëbërësit vendas të vendosin të rimarrin situatën nën kontroll. ©lapsi.al

*Autori eshte MSC nga Roehampton University në manaxhim ndërkombëtar dhe financë



6 Comments

  1. Ekonomia shqiptare nuk është në rrezik nga mbiperdorimi i euros por nga mbiperdorimi i parave të pista $, € £ ¥. të çdo lloj monedhe qoftë që është siguruar nga droga, kontrabanda, prostitucioni e çdo aktiviteti kriminal që fatkeqësisht në vendin tonë jo vetëm që lulëzon por bëhet nën ombrellën e pushtetit (qeverisë).

    1. Eshte korrupsioni i pari or mik. Ai perdor bankat per t’i pastruar parate. Jo rastesisht shumica e politikaneve perfundojne si biznesmene ose drejtoret te rendesishem te ndermarjeve publike behen aksionere neper banka dhe institucione financiare.
      Ja nje shembull :
      Varuzhan Piranjani ka qene Drejtori i INSIG-ut dhe tani eshte aksioner me 10 % i Unionit Financiar qe zoteron mbi 85 % te aksioneve te bankes Union Bank.
      Pra keta qe kane vjedh gjithe keto vite tani drejtojne dhe Bankat dhe jo vetem.
      Nuk jane paret e droges qe zene peshen kryesore ne pastrimine parave ne Shqiperi, por riciklimi i parave te pista nga korrupsioni dhe vjedhja e aseteve publike.

      1. I nderuar lexues, Komenti i mësipërm, është pjesë e një fushate presioni, dezinformimi e përbaltje që ndërmerret nga pushkatarë të paguar të pushtetit, të prekur nga ballafaqimi me të vërtetën gjatë një emisioni televiziv, pjesë e së cilit ishte edhe kryeredaktorja e Revistës Monitor znj. Ornela Liperi, ndaj kompanive e individëve të përfshirë në aktivitetin e biznesit të Union Grup apo kompanive të tjera të lidhura me të (Union Grup është kompania mëmë e Media Union, botuese e revistës Monitor).

        Gazetarët dhe stafi më i gjerë i revistës janë të vendosur që pavarësisht këtij presioni të hapur, të qëndrojnë në pozitat e tyre objektive për të informuar sa më drejtë publikun, ashtu siç edhe e kemi shprehur qartë qëndrimin në editorialin e Revistës, si vijim i përballjes me përbaltjen që vjen nga pushteti.

        Në vijim, linku përkatës:
        http://www.monitor.al/editorial-te-lire-te-pavarur-e-profesionale-kjo-eshte-ajo-qe-kemi-qene-jemi-e-te-jemi/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *