• |
ide | kryesore

Gjykata e lë në burg qytetarin që dhunoi në zyrë prokurorin në Vlorë

Lajme, Të fundit



Një qytetar dhunon në ambientet e organit të Akuzës së Vlorës prokurorin Klodian Llaha. Sipas Policisë, shtetasi Viktor Sherifaj, rreth 50 vjeç është vënë në pranga pas denoncimit të bërë nga prokurori, ndërsa akuzohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur më datë 28 shkurt në ambientet e brendshme të Prokurorisë. Sipas burimeve, shkak është bërë një çështje pronësie, e cila ishte denoncuar nga Sherifaj dhe po hetohej nga prokurori Llaha. Sherifaj ka hyrë në ambientet e Prokurorisë, duke gënjyer rojën se kishte një dokument në dorë për të dorëzuar. Me fletët që kishte në dorë dhe nën shoqërinë e rojës së institucionit është drejtuar drejt zyrës së prokurorit. Aty është ndeshur me prokurorin Llaha.

Mësohet se Sherifaj ka kërkuar të diskutojë me të për çështjen në fjalë, por Llaha nuk ka pranuar, duke i kërkuar të dalë jashtë ambienteve të Prokurorisë dhe zyrës së tij. Pikërisht në këto çaste, pasi situata është nxehur edhe nga debatet mes tyre, Sherifaj ka goditur me kokë prokurorin Llaha, duke i shkaktuar dëmtime në hundë.

Në vend ka ndërhyrë roja, por edhe persona të tjerë, ndërsa më pas është lajmëruar Policia. Blutë kanë ndërhyrë duke arrestuar qytetarin, ndërsa prokurori mësohet se ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal të qytetit të Vlorës. Mësohet se ai punon prej rreth një viti në Vlorë, kryesisht me çështje civile. Pasi ka marrë ndihmë në spital, ai është paraqitur sërish në punë.

Qytetari, që goditi për shkak të detyrës prokurorin e Vlorës, është paraqitur për masën e sigurisë. Sipas të dhënave, ka qenë Gjykata e Fierit e cila ka vendosur masën e “arrestit me burg” për shtetasin Viktor Sherifaj.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *