• |
ide | kryesore

Shqipëria josh të huajt, po blejnë shtëpi në bregdet, kryesojnë nordikët

Lajme, Të fundit



Edhe pse jemi në mars është rritur interesi për të investuar në bregdet. Agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se të huajt, kryesisht nga vendet nordike, po kërkojnë që të blejnë një shtëpi të dytë në bregdet.
Saranda është një nga qytetet më të kërkuara. Shqipëria, falë pozicionit gjeografik, por edhe kostove të lira të jetesës, po josh të huajt

Nga Ledina Loga

Mia Gahne udhëtonte e vetme në qershor të 2017-s përgjatë Rivierës Shqiptare. Pas viteve të gjata të punës si gazetare, Mia, tashmë në pension, po mendonte për pushimet afatgjata, larg Norvegjisë, shtetit të saj amë, që është i ftohtë dhe pa diell. Gjatë verës së 2017-s, ajo nisi një tur në vendet e Ballkanit për të parë mundësitë e blerjes së një prone.

Pas Korfuzit, ajo qëndroi në Sarandë. E nxitur prej fjalëve të miqve të saj se në Shqipëri me vetëm 30 mijë euro mund të blije një shtëpi në një vend me bregdet shkëmbor, me një sezon veror që zgjat më shumë se tre muaj dhe kosto të lirë jetese, ajo ishte nisur drejt Sarandës për të blerë shtëpinë e pleqërimit.

E magjepsur pas natyrës, Mia tha se e shikonte Sarandën si vendin më të mundur për të bërë investimin. “Saranda është shumë pranë Korfuzit, Italia është gjithashtu pranë, nëse dua mund të shkoj të vizitoj edhe Malin e Zi apo Kroacinë, dhe të kem një shtëpi timen për vetëm 30 mijë euro”, – tha ajo për “Monitor”, kur u pyet se përse po zgjidhte pikërisht Sarandën.

Megjithatë, ajo tha se vendi ka vend shumë për përmirësim në shërbim dhe solli si shembull Korfuzin, destinacionin e saj të parë.
“Ju jeni kaq afër dhe ndryshoni kaq shumë për sa i përket shërbimit, në rast se nuk dini, të paktën mund të kopjoni mënyrën e tyre të shërbimit” – tha Mia Gahne kur u pyet se çfarë nuk i kishte pëlqyer gjatë qëndrimit në Sarandë.

Këtë vit, Mia po përgatitet që të rikthehet në Sarandë dhe të përfundojë transaksionin e blerjes së shtëpisë.
Saranda është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët e huaj, veçanërisht nga Europa e Veriut, të cilët të joshur prej çmimeve të ulëta për sa i përket standardit të tyre po zgjedhin Sarandën për të blerë një shtëpi të dytë në bregdet.

Zgjohet interesi te të huajt

Eron Çumari nga agjencia e pasurive të paluajtshme “Saranda Invest Property”, që merret kryesisht me pronat e Jugut, tregon se falë pozicionit gjeografik, për Sarandën ka interesim nga shtetasit ndërkombëtarë për të investuar në pasuri të paluajtshme (kryesisht banesa).
Shqipëria tërheq kryesisht turistë që nuk kërkojnë të shpenzojnë shumë gjatë pushimeve. Sipas zotit Çumari, Saranda fillimisht u zbulua nga pushuesit që vinin të organizuar nga agjencitë e huaja, në bashkëpunim me agjencitë vendase.
“Duke iu referuar klimës shumë të veçantë që ka Jugu i Shqipërisë dhe kostos së jetesës, u rrit interesimi për të blerë banesa nga shtetas të huaj, veçanërisht individët që kanë dalë në pension”, – tregoi Çumari për “Monitor”.

Sipas zotit Çumari, një tjetër kategori blerësish janë ata të cilët e shikojnë si investim të mundshëm blerjen e një prone në bregdet për të përfituar nga rritja e çmimeve dhe sidomos për t’i dhënë me qira gjatë sezonit turistik, gjë që gjeneron të ardhura të konsiderueshme për individët.
Edhe pse kërkesat për pasuri të paluajtshme prej të huajve janë përqendruar kryesisht në Jug të Shqipërisë, Xheni Jahja nga “Tirana Real Estate”, thotë se nuk kanë munguar kërkesat nga turistë të huaj edhe për Durrësin. Sipas saj, interesim të madh po tregojnë dhe shqiptarët e diasporës, të cilët jetojnë kryesisht në vendet e Europës Perëndimore, si Gjermania. Kërkesat kanë qenë në vlera ekonomike, individët kanë shfaqur interes për të investuar në shuma jo të mëdha. Inxhiniere Xheni Jahja shprehet optimiste për tregun, edhe pse shton se çmimet nuk kanë pasur luhatje nga një vit më parë.

Kohët e fundit është rritur interesi edhe nga polakët, bullgarët dhe ukrainasit, të cilët, pasi e kanë vizituar Shqipërinë si turistë, kërkojnë që të blejnë një apartament në një nga zonat bregdetare të Shqipërisë.
Sipas portalit Numbeo, nga të gjitha vendet bregdetare të rajonit, Shqipëria ka kostot më të ulëta të jetesës. Kroacia dhe Greqia kanë një indeks më të lartë se 50, ndërsa Shqipëria e ka këtë indeks 37.8, duke u renditur 35 nga 40 vendet e Europës.

Indeksi i kostove të jetesës është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë ushqimet, restorantet, transportin dhe shërbimet. Indeksi i kostos së jetesës nuk përfshin shpenzimet e akomodimit si qiraja ose hipoteka. Nëse një qytet ka një Indeks të Kostos së Jetës prej 120, kjo do të thotë se Numbeo vlerëson se është 20% më e shtrenjtë se Nju Jorku (me përjashtim të qirasë)./ Monitor



1 Comment

  1. keta kujtojne se me aq para mund te blejne gjithe saranden. ne vendet tyre nje vrime kushton aq e me shume.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *