• |
ide | kryesore

Profil/ Di Maio, fytyra e re e populizmit italian

Kryesore, Planet

I parë si një kukull kokë-boshe nga kundërshtarët e tij, Luigi Di Maio projektoi ngritjen e “Lëvizjes 5 Yjet”, nga një lëvizje populiste, në partinë politike më të madhe të Italisë.

Me një pamje prej çunaku simpatik dhe sjellje prej snobi, 31-vjeçari Luigi Di Maio simbolizon një ndryshim strategjik për partinë anti-establishment, e cila nën themeluesin e saj, komedianit Beppe Grillo, kishte formën e një lëvizje komplotiste, ndërsa tani i afrohet një stili më të matur.

Di Maio është kritikuar për leksikun e tij të varfër, por ka arritur të bëjë një fushatë shteruese në të gjithë vendin, duke marrë vota të reja në shumë rajone të Italisë jugore.

Sondazhet parashikonin që “Lëvizja 5 Yjet” të fitonte mbi 30% të votave kombëtare.

Edhe pse kjo do të thotë që partia e Di Maios zë vendin e dytë, pas koalicionit të djathtë, ky rezultat e bën këtë parti më të madhen në Parlament, e ndjekur nga “Partia Demokratike” e Matteo Renzit, me 20%.

“Lëvizja 5 Yjet” përdori imazhin e saj të ri “të pjekur”, për të kapur votuesit nga partitë tradicionale që 69-vjeçari Grillo kundërshtonte prej kohësh.

Në vend të shpifjeve të ish-shefit të tij, Luigi Di Maio ofrohet më i qetë politikisht.

“Ne nuk duam një Itali populiste, ekstremiste apo anti-europiane” – është shprehur Di Maio.

“Ai është shumë popullor tek mbështetësit e partisë së tij, dhe forca e Di Maio qëndron pikërisht tek të qenit krejtësisht ndryshe nga Beppe Grillo, si në stilin e komunikimit, ashtu edhe të pamjes” – u shpreh Alberto Castelvecchi, professor në Universitetin Luiss të Romës.

Por, përpos ndryshimeve të dukshme, Luigi Di Maio sërish mbetet dishepull i Grillos.

Ai ka qenë i përfshirë në “Lëvizjen 5 Yjet” që në krijimin e saj në vitin 2009, duke bërë fushatë kundër korrupsionit dhe BE-së, teksa nxiste transparencë politike dhe demokraci të drejtpërdrejtë.

Pas zgjedhjeve të shkurtit 2013, “Lëvizja 5 Yjet” fitoi në mënyrë spektakolare çerekun e votave, dhe Di Maio, atëherë vetëm 26 vjeç, ishte midis 108 kandidatëve të partisë që u zgjodhën në Dhomën e Deputetëve.

Vetëm një muaj më vonë, Di Maio u bë zëvendësi më i ri i Dhomës.

Ngjitja e tij e habitshme nuk kaloi pa u vënë re, por mënyra si ai u katapultua deri në pikën ku kandidon për kryeministër të Italisë tërhoqi jashtëzakonisht shumë vëmendje.

I zgjedhur nëpërmjet një votimi online, në të cilin konkurrentët e Di Maios ishin të panjohur, shumë analistë e cilësuan zgjedhjen e të riut si një “kurorëzim të organizuar nga Beppe Grillo”.

“A është ai si njeri që po zgjidhet, apo është gatishmëria e tij për të marrë urdhëra që po zgjidhet?” – pyeti gazeta “La Stampa”.

Të tjerë vunë në dyshim autenticitetin e tij politik, duke e akuzuar 31-vjeçarin si një krijim hybrid të Grillos dhe këshilltarëve të tij.

Luigi Di Maio lindi më 6 korrik të vitit 1986 në një familje të mirë në Avellino, pranë Napolit.

Babai i tij, Antonio, kishte një biznes të vogël ndërtimi dhe ishte aktivist për një parti anti-fashiste, “Lëvizja Sociale Italiane”. E ëma, Paola, ishte mësuese latishinteje.

I madhi i tre fëmijëve, Di Maio ka studiuar inxhinieri kompjuterike, ndërsa më vonë kaloi në studim ligji, por kurrë nuk u diplomua.

Sipas një CV-je të publikuar në faqen e internetit të “Lëvizjes 5 Yjet”, Di Maio themeloi biznesin e vet online të marketingut në mediat sociale, si dhe ka punuar në projekte videosh.

Kjo eksperiencë në marketing dhe prezantim duket se ka ndihmuar partinë të fokusohet në çështjet kyçe të vendit, me Di Maion në krye.

Partia ka kërkuar vazhdimisht që Italia të largohej nga eurozona, por Di Maio kohët e fundit hodhi idenë e qëndrimit në bllok.

Në mes të protestave që shpërthyen kur lëvizje të ekstremit të djathtë plagosën gjashtë emigrantë afrikanë muajin që kaloi, Di Maio heshti për përdorimin e armëve, ndërsa u fokusua të sulmonte ish-kryeministrin, Silvio Berlusconi, duke e bërë përgjegjës për krijimin e një ‘bombe sociale emigracioni’.

Arab News, përshtati ©LAPSI.AL 

2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu