• |
ide | kryesore

Krahasimi/ Si gënjyen Rama dhe Veliaj për Teatrin Kombëtar

Kryesore, Lajme



Edi Rama është përkujdesur që ta nxjerrë veten gënjeshtar ditën e hënë ku prezantoi projektin e Teatrit të Ri Kombëtar. Në një aktivitet të realizuar me regji qendrore, ku të ftuarit ishin përzgjedhur për të shmangur kritikët, Rama shpalosi projektin se si do të jetë Teatri i ri Kombëtar. Rama në fjalët e tij tha se nuk do të jetë një teatër me kullë (shembull i Stadiumit Kombëtar), edhe pse nuk do të ishte një mëkat po të ishte nën kullë, është shprehur ai.

Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale ne qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët. Ne kemi bërë për teatrin aq sa pasur mundësi, por kemi bërë më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku. Nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9 mijë metra katror. Nga 1 sallë do të kemi 4 salla për shfaqje. Teatri është pjesë e një propozimi për një partneritet publik privat. Sipërmarrësi garanton projektin për teatrin e ri, por nuk vjen për të humbur”, – u shpreh Rama.

Por në fjalën e tij, Rama e tradhton veten, tamam si dikush që ka kryer një krim dhe nuk e ka ndërgjegjen e qetë. Ai shprehet se Teatri nuk do të jetë nën kullë, por thotë se nuk ka rëndësi çfarë ka sipër apo anash. Në fakt ajo që Rama e kalon si një gjë parëndësi është ndërtimi i shtatë ndërtesave të larta që vijnë në rritje në lartësi, ku ndërtesa e fundit, sipas pamjeve të publikuara në këtë prezantim të Ramës, e kalon ndërtesën e Torre Drinit (rreth 12 kate) me disa kate me shumë. Këtu del bllof edhe Erion Veliaj, i cili në 22 shkurt në emisionin Opinion iu drejtua gazetares Ornela Liperi me fjalët: “nuk e di kë quan kullë, se ajo që pashë aty ishte vetëm 6 kate”. (video poshtë)

Le t’i kthehemi sërish fjalës së Ramës. Ai ndër të tjera tha të hënën në prezantim se “nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9 mijë metra katror”, duke iu referuar sipërfaqes së hapësirave të brendshme që do të përftohen nga ndërtimi i Teatrit të ri. Por Rama ‘harron’ të përmendë se sa metra katrorë sipërfaqe do t’i zhvaten sipërfaqes aktuale ku ndodhet Teatri Kombëtar. Nëse futemi thjeshtë në Google Maps dhe shikojmë hartën, vëmë re se kjo sipërfaqe e tanishme e Teatrit Kombëtar shkon përbri ndërtesës së Torre Drinit dhe nëse bëjmë disa llogari të thjeshtë rezulton të jetë diku tek 5500-5600 m2 dh jo 3000 m2 sa thonë Veliaj e Rama.

Ndërsa në projektin e prezantuar nga Bjarke Ingels, arkitekti që ka projektuar Teatrin e Ri, mund të shohim qartë se kjo sipërfaqe ku shtrihet Teatri tani, do të spostohet drejt Ministrisë së Brendshme, duke ia zhvatur atë Teatrit. Por për çfarë do të përdoret kjo hapsirë që do t’i merret Teatrit? Sigurisht për kulla. Në këtë sipërfaqe, ashtu siç e tregon edhe projekti i prezantuar nga arkitekti Ingels, do të ndërtohen 7 kulla në formë zig-zag, të cilat, sipas projekt-propozimeve do të kenë një lartësi që fillon nga 6 kate e përfundon në 18-20 kate. Kështu, Rama dhe Veliaj do ta spostojnë me disa metra sipërfaqen e Teatrit Kombëtar, duke i bërë vend hapësirës për ndërtimin e 7 kullave nga privati, në një tokë publike, e cila pritet të shpronësohet nga bashkia Tiranë.

Kjo ‘sakrificë’ e bërë, duke zhvatur gati gjysmën e sipërfaqes aktuale të Teatrit, justifikohet me faktin se privati që do të ndërtojë kullat, do jetë ai që do të japë paratë për ndërtimin e Teatrit të Ri. Por kjo sipërfaqe që i dhurohet privatit është e konsiderueshme dhe e ndodhur në qendër të Tiranës, kap një çmim shitjeje diku tek 2500 euro/m2 për banim, pa llogaritur këtu shitjen e hapësirave për funksione të tjera si dyqane, garazhe apo kafene, ku çmimet janë 4-5 fish më të larta. Si rrjedhojë, privati do të mund të përfitojë miliona euro nga shitja e tyre, pasi duke iu referuar çmimeve për m2 katror në qendër si dhe sipërfaqes që pritet të shfrytëzojë privati, sipas përllogarisë shifra e përfituar nga ky i fundit e kalon disa herë atë të ndërtimit të Teatrit të Ri. Pra, ‘sakrifica’ e Veliajt dhe Ramës është disa herë më e kushtueshme se sa ndërtimi i Teatrit nga vetë qeveria shqiptare.

Pamje nga projekti i publikua të hënën nga arkitekti Ingels ku duket sip. që po i merret Teatrit aktual për kullat

Nga ana tjetër Veliaj e ka pranuar vetë në fushatë se Tirana është e mbindërtuar dhe se kur të vijë ai në krye të bashkisë nuk do të firmojë leje ndërtimi. Edhe nëse e bën për shkak të shtesës së popullsisë, ai është shprehur se ndërtimet e reja do të bëhen në periferi dhe jo në qendër të Tiranës, por koha tregoi ndryshe dhe Veliaj bëri të kundërtën e asaj që tha duke miratuar disa kulla të larta në qendër dhe duke dhënë leje ndërtime në favor të privatëve.

Edhe pse të dy, si Rama si Veliaj, janë mjeshtra të imazhit dhe PR-it, asnjëri nga ata nuk mund të përdorë kamerat HD, regjinë qendrore, fotot e ditës duke mbjellë pemë apo përqafuar fëmijë, si dhe kronikat e gatshme në TV, për të mbuluar kullat e larta që po mbijnë në Tiranë si çibanë duke marrë sipërfaqe nga prona publike dhe duke ia falur atë privatit. ©Lapsi.al

 

 



5 Comments

  1. Problemi më duket se shtrohet sëprapthi.
    Natyrisht që është shqetësuese se Rama po e përdor medemek “teatrin e ri”, për të justifikuar kullat shumëkatëshe që do të ndërtojnë oligarkët pranë këtij teatri e ky vjen ndesh me premtimet elektorale si të Ramës, ashtu edhe të Veliajt. Por këmbëngulja e gjithë shoqerisë civile shqiptare, gjithë aktorëve të teatrit kombëtar, duhet të ishte se po fshihet nga faqja e dheut teatri ekzistues si një vlerë muzeale historike për teatrin shqiptar e hapsira e mbetur për të ndërtuar një park të gjelbëruar që i mungojnë hapsirave të kryeqytetit.
    Me hipokrizi e me gënjeshtra, por edhe me të drejtë pretendohet se ajo godinë ështe e rrezikëshme të përdoret si teatër. Pa sa do të kushtonte që të rinovoheshin muret e kësaj godine e të kthehej në një funksion tjetër si muzeu i teatrit shqiptar ?
    Një teatër tjetër i ri mund të ndërtohej qoftë në hapsira të tjera të qendres ku janë planifikuar të ngrihen kulla, qoftë në bulevardin e ri me një strukturë bashkëkohore. Ështe permendur se një teatër i ri do të kushtonte rreth 30 milion dollarë nga buxheti i shtetit. Rama thotë se nuk kemi aq para që të bëjmë një investim të tillë.
    Po le të na thotë zotëria se sa para ka harxhuar nga buxheti i shtetit në këto pesë vite, për të financuar objekte publike ? Nuk mund të mburet qeveria Rama për asnjë investim të fuqishëm në objekte e rrugë publike.
    Atëhere ku shkojnë këto para taksash të shtuara , kur borxhi publik është rritur 12% mbi borxhin e para 5 viteve ?
    Mos i paska harxhuar Veliaj me palmat që mbolli e me parkun e lodrave për fëmijë në liqenin e Tiranës ?
    Vetëm me 180 milionë eurot e 613 kg kokaine që u kapën “rastësisht” në Maminas, mund të ndërtohen 6 teatro me nga 30 milionë euro, kur dyshohet se paratë e ndërtimit të kullave burimin e kanë nga droga.
    Përveç miliarda eurosh që kanë hyre në Shqipëri nga trafiku i kanabisit vendas, miliarda mund të kenë hyre edhe nga trafiku tranzit i drogave të forta. Nëse Shqipëria do të kishte pasur nje “polici që duam” vetëm me konfiskimin e parave të drogës do të mund të ndertoheshin edhe dy rrugë të tjera të kombit e jo më një teatër me 30 milionë euro

  2. O droga! Meso te shkruash shqip me pare! Si mund te japesh mendime kur nuk je arkitekt ose kur nuk di te shkruash?

  3. Keto vizatimet edhe nje femij ne kopesht do t’i kishte bere me bukur. Po sa te mbaruar qe jeni mor burr?! Pu pu pu! Dhe ka te drejte ai qe ju thote: media kazani. Po jeni pacavure o te zinj.

  4. PPP e Veliajt eshte e frikshme kur shikon arrogancen me te cilen ai mashtron. Nuk jam arkitekt, por Tiranen e kam pare para ketij mashtruesi. E dua me shume se ky mashtrues dhe Rama qe i dha goditjen vdekjeprurese ne vitet 2000! Njerezit lodhen kot duke folur, Tirana ka marre fund me kohe. Nese behet nje hetim vetem se cilet jane, nga vijne dhe cili eshte burimi i parave ” qe ndertuan ” Tiranen mbas viteve 2000 do e kuptoni se perse eshte kriminalizuar kaq shume shqiperia dhe Tirana. Veliaj eshte nje individ i lig, shpirtkeq dhe i paturp. Mos votonj PD dhe LSI-ne se jane te urryera, por ju lutem, mos votoni me as Erjon Veline, eshte i frikshem deri ne paturpsi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *