• |
ide | kryesore

Parrullat antishqiptare në Maqedoni, reagon Ministria e Jashtme: Akte që mbjellin urrejtje, autoritetet t’i ndëshkojnë

Lajme, Të fundit



Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Maqedoni, pas miratimit në Kuvend të ligjit për gjuhën shqipe. Përmes një deklarate për mediat, MEPJ shpreh indinjatën e thellë dhe dënon gjuhën e urrejtjes e sloganet ksenofobe kundër shqiptarëve në muret rrethuese të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

“Kjo është hera e disatë që institucionet kulturore që ruajnë dhe pasqyrojnë historinë, traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare dhunohen qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte, të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve. Këto akte, pikërisht në momentet kur afrimi dhe kohezioni ndëretnik njeh hapa progresi drejt forcimit të mëtejshëm janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, stabilitetit e harmonisë ndëretnike në vendin fqinj.

Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, si dhe veprimet obstruksioniste e retorika e dëmshme e ditëve të fundit nga segmente të politikës së vjetër pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë u kërkon autoriteteve të Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *