Për kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, presidenti Gjorge Ivanov është ‘burracak’. Reagimi i kryeministrit erdhi pasi Ivanov vendosi të mos dekretojë ligjin e gjuhës shqipe për së dyti.
Për Zaevin, zyrtarizimi i përdorimit të gjuhës shqipe përmbush marrëveshjen e Ohrit.
“Më vjen keq që presidenti vendosi të shkelë kushtetutën dhe të mos e dekretojë ligjin për së dyti. Për mua kjo është burracakëri. Institucionet nuk duhet ta lejojnë që kjo të ndodhë. Zbatimi i këtij ligji plotëson detyrimin e fundit që rrjedh nga marrëveshja e Ohrit” – u shpreh Zaev.
Kryeministri kërkoi që për ligjin e gjuhëve të merret opinioni i Gjykatës Kushtetuese por edhe Komisionit të Venecias lidhur me përputhshmërinë e tij me standardet europiane, siç propozoi edhe Komisioni Europian.
Ligji i gjuhëve u miratua për herë të dytë të mërkurën me 64 vota, në një seancë që u bojkotua nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski u përplas fizikisht me kryeparlamentarin shqiptar Talat Xhaferi, me qëllim për t’a penguar atë të zhvillonte seancën për të miratuar ligjin.