• |
ide | kryesore

100 punëdhënësit më të mëdhenj; Ekonomia primitive e …lojërave të fatit

Lajme, Të fundit



Nga 16 ndërmarrje në vend, private dhe publike, që kanë më shumë se 1,000 punonjës, tre janë lojëra fati, tre janë call center, katër janë shtetërore, dy janë prodhim këpucësh.

Kjo është pasqyra më e mirë e ekonomisë sonë primitive, që si avantazh kryesor vijon të ketë krahun e lirë të fuqisë punëtore, që nuk investon në teknologji, nuk arrin të tërheqë investime të huaja me vlerë të shtuar të lartë dhe që pret që fati t’i vijë nga qielli.
Krahasimi i modelit të punësimit me Maqedoninë

Nga Ornela Liperi

Bankat dhe telekomunikacionet kanë qenë historikisht vende pune të lakmuara për këdo. Të mirëpaguara, të sigurta, përgjithësisht korrekte me zbatimin e Kodit të Punës dhe me mundësi për të përparuar në karrierë. Por, vitin e fundit ato janë thuajse të paarritshme. Plus Communication, që kishte 320 të punësuar doli nga tregu vitin e kaluar.

Tre operatorët e tjerë të mbetur në treg, nuk kanë oreks për zgjerim, teksa normat e fitimit janë ngushtuar dhe investimet janë tkurrur. Në vitin 2016, Albtelecom dhe Telecom Albania e reduktuan stafin me përkatësisht 97 dhe 20 persona, ndërsa Vodafone e shtoi vetëm me 9, sipas të dhënave nga Tatimet.

Sistemi bankar prej disa vitesh nuk po e shton numrin e punonjësve. Deri në fund të tremujorit të tretë 2017, në banka kishte gjithsej 6909 të punësuar, duke u ulur me 41 persona në raport me fundin e 2016-s, i treti vit radhazi me tkurrje të lehtë, sipas Shoqatës së Bankave. Tendenca rënëse pritet të përforcohet. Pas përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa Sanpaolo dhe shitjes së NBG te Banka Amerikane e Investimeve, sistemi bankar do të reduktohet nga 16 në 14 banka. Deri në shtator 2017, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, NBG dhe Veneto kishin përkatësisht 304 dhe 130 punonjës.

NBG kishte 26 degë dhe Veneto 15. Ekspertët e tregut bankar pohojnë se procesi i përthithjes së bankave zgjat midis 6 dhe 12 muaj. Banka blerëse do të tentojë të mbajë degët që janë më eficiente dhe do të mbyllë ato që dublojnë njëra-tjetrën, ndërsa dhe administrata qendrore do të shkrihet në një. Në këtë linjë dhe një pjesë e punonjësve të bankave që përthithen do të shkurtohen. Të tjera banka janë në shitje. Si pjesë e strategjisë për ristrukturimin e sistemit bankar grek, edhe Banka e Pireut do të shesë degët e saj në Ballkan, përfshirë Tirana Bank.

Call center, një tjetër sektor që ishte një zgjidhje alternative për të rinjtë, me paga të kënaqshme dhe orare fleksibël, është drejt tkurrjes, që pas sulmit të qeverisë italiane gati një vit më parë, që forcoi rregullat e delokalizimit, si një përpjekje për të ndalur ikjen e vendeve të punës nga Italia. Në vitin 2016, tre operatorët kryesorë në këtë segment, IDS, Albania Marketing Service dhe Albacall raportuan rënie të numrit të punonjësve me 8%, ose 482 persona më pak.

Dhe me çfarë po zëvendësohen këto vende pune të humbura në kompanitë e mëdha. Ironikisht, ashtu si në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha, sipas fitimeve dhe normave të fitimit, edhe këtu dalin në skenë kompanitë e lojërave të fatit. Punëdhënësi më i madh privat, për herë të parë në histori, vjen nga sektori i lojërave të fatit, i ndjekur nga call center dhe fasoni. Nga 16 ndërmarrje në vend private dhe publike, që kanë më shumë se 1,000 punonjës, tre janë lojëra fati, tre janë call center, katër janë shtetërore, dy janë prodhim këpucësh (shiko tabelën Renditja e 100 punëdhënësve më të mëdhenj).

Kjo është pasqyra më e mirë e ekonomisë sonë primitive, që si avantazh kryesor vijon të ketë krahun e lirë të fuqisë punëtore, që nuk investon në teknologji, nuk arrin të tërheqë investime të huaja me vlerë të shtuar të lartë dhe që pret që fati t’i vijë nga qielli.
Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se bizneset po investojnë më shumë në toka e ndërtesa dhe më pak në teknologji dhe kjo po pasqyrohet në rënien e produktivitetit të ekonomisë, duke e bërë atë më pak konkurruese, kur me hapjen e tregjeve, Shqipëria duhet të ishte përgatitur për të kundërtën.

10 punëdhënësit më të mëdhenj 2016

1.Në vend të parë vijon të mbetet Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), një kompani me kapital shtetëror, e cila kishte rreth 6400 punonjës në 2016-n, me një rritje prej 7% me bazë vjetore.

2.Në vend të dytë, por që është punëdhënësi më i madh privat në vend, është ITSGA, një operator në fushën e lojërave të fatit. Kompania kishte mbi 2600 të punësuar në vitin 2016, me një dyfishim në krahasim me vitin e mëparshëm. ITSGA është krijuar që në vitin 2003, sipas ekstraktit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por ka shënuar rritje të aktivitetit nga 2014-a, kur të ardhurat e saj u dyfishuan në 945 milionë lekë, për të arritur në 1.2 miliardë lekë më 2016-n. Kompania u fuqizua pas daljes nga tregu të Top Bast. Kjo e fundit, në 2015-n kishte rreth 2200 të punësuar, por tashmë është nën sekuestro, për shkak të mosshlyerjes së detyrimit tatimor, ndërsa Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit i ka hequr në 2016-n lejen e ushtrimit të aktivitetit.

3.Në vend të tretë është Intercom Data Service, e cila vitet e fundit kishte qenë punëdhënësi më i madh privat në vend. Kompania ka deklaruar rreth 2600 punonjës, me një rënie prej 12%.

4.Posta Shqiptare, kompani me kapital shtetëror, është punëdhënësi i katërt më i madh në vend, me gati 2600 persona në 2016-n, një rritje e lehtë në raport me vitin e mëparshëm.

5.Punëdhënësi i pestë më i madh në vend është Albpetrol, shoqëria me pronësi shtetërore e prodhimit të naftës, me rreth 2300 të punësuar. Kjo kompani do të shkojë drejt shpërbërjes në 2018-n, si një plan i qeverisë shqiptare për ta ristrukturuar atë. Varianti i parë merr në konsideratë mbylljen e kompanisë dhe shteti të mbajë vetëm të drejtat e menaxhimit të kontratave koncesionare.

Pas largimit nga puna, të 2500 punonjësit do të trajtohen vitin e parë me pagë të plotë dhe vitin e dytë pas largimit, me 70% të pagës mujore. Me këtë trajtim financiar, qeveria synon të parandalojë protestat dhe të zbusë disi pasojat sociale që krijon shkrirja. Varianti i dytë parashikon ristrukturimin e kompanisë. Edhe në këtë variant, shteti mban të drejtat e menaxhimit të marrëveshjeve, por disa sektorë si uzina mekanike dhe njësia e remontit mund të ristrukturohen dhe të nxirren në shitje.

6.Albania Marketing Service, një tjetër call center, është në listën e 10 punëdhënësve më të mëdhenj. Kompania kishte rreth 2 mijë të punësuar në fund të 2016-s, me një rënie prej 4% me bazë vjetore.

7.Albaco Shoes, me aktivitet në prodhimin e këpucëve, kishte gati 2 mijë të punësuar në 2016-n, me një rritje prej 16% me bazë vjetore. Industria e tekstileve e këpucëve, që kërkojnë punë intensive, kanë qenë historikisht ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, për shkak të shfrytëzimit të avantazhit konkurrues të krahut të lirë të fuqisë punëtore.

8.Albacall është call center i tretë në listën e më të mëdhenjve, me rreth 1,700 të punësuar, me një rënie të lehtë prej 1.4% me bazë vjetore. Të tre sipërmarrjet e call center janë prej disa vitesh në listën e 10 kompanive më të mëdha punëdhënëse në vend, duke u bërë një alternativë për shumë të rinj që nuk arrinin të gjenin punë në profilin e tyre.

9.Lotto Sport është subjekti tjetër me aktivitet në fushën e lojërave të fatit, që i është gëzuar rritjes së shpejtë tre vitet e fundit. Punonjësit e saj janë dyfishuar në 2016-n, në rreth 1400 persona.

10.Raiffeisen Bank vijon të mbetet ndër dhjetë punëdhënësit më të mëdhenj, ndonëse numri i punonjësve të saj ka ardhur në ulje të vazhdueshme. Në 2016-n, banka deklaroi 1250 të punësuar, me një tkurrje prej 14% me bazë vjetore.

Hyrjet e reja me pikatore

SPIECAPAG Transadriatica është një hyrje e re në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, me 996 të punësuar. E krijuar më korrik 2016, ajo ka si objektiv aktiviteti, ndërtimin e linjës furnizuese të gazsjellësit TAP.

SPIECAPAG, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë (Fier). Por, kjo është një hyrje e përkohshme, pasi gazsjellësi TAP, një nga projektet më të mëdha në vend, do të përfundojë në 2019-n.

Rritje të numrit të punonjësve raportojnë kompanitë e ndërtimit, që kanë pasur aktivitet pozitiv dy vitet e fundit, si rrjedhojë e rigjallërimit të ciklit të këtij sektori.
Në listë vitet e fundit janë shtuar dhe kompanitë që ofrojnë aktivitetin e sigurisë fizike, teksa ky shërbim po kërkohet gjithnjë e më shumë nga bankat e sipërmarrje të tjera. Më e madhja prej tyre është Nazeri 2000, me 816 të punësuar, 200 më shumë se një vit më parë.

Nethex BPO është një sipërmarrje call center, që në 2016-n ka hyrë në listën e më të mëdhenjve, duke deklaruar 555 punonjës. PARR është një tjetër call center në listën e më të mëdhenjve, me 787 punonjës, rënie me 14% në raport me një vit më parë.

Sektorët ku shqiptarët punësohen më shumë

Të shesësh më lirë e të blesh më shtrenjtë është padyshim puna që dinë të bëjnë më mirë shqiptarët. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT, gati një e katërta e të punësuarve apo vetëpunësuarve në qytet, e fitojnë jetesën përmes tregtisë, ku në total llogariten mbi 114 mijë persona.

Hapja e dyqaneve në çdo cep të lagjes, që tregtojnë nga produktet ushqimore te mallrat e tjera, ka qenë alternativa më e thjeshtë për të fituar, në mungesë të vendeve të punës në sektorë të tjerë.

Tregtia është e vetmja që pa një rënie të lehtë të vendeve të punës në 2016-n, në një dëshmi të riorganizimit të tregtisë, por edhe të modelit të paqëndrueshëm ekonomik të punësimit të vendit. Tregtia ka përqindjen më të madhe të të vetëpunësuarve, me 40% të totalit, nga 23% që ishte mesatarja për Shqipërinë. Ka qenë pikërisht kjo kategori që ka raportuar për humbje të vendeve të punës në 2016-n.

Sektori i dytë janë shërbimet. Edhe në këtë rast, parukeritë, apo këpucarët janë të përhapur kudo. Në total, janë 101 mijë të punësuar në shërbime, 63% e të cilëve në shërbime të thjeshta dhe pjesa tjetër në shërbime profesionale, agjenci të pasurive të paluajtshme, agjenci turistike, edukim etj. Të vetëpunësuarit zënë 20% të totalit të kësaj kategorie.

Së treti, vijnë baret e lokalet, që dhe ato janë të përhapura kudo. Në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor janë të punësuar rreth 51 mijë persona. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar-restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante).

Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë. Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e madh të bar-kafeve për banorë, me 592 bar-kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE-së.
Ndërtimi është një sektor që punëson 40 mijë persona, por ka tendencë të rritet, për shkak të hyrjes së tij në një cikël të ri rritës.
Në transport, informacion dhe komunikacion ka rreth 35 mijë të punësuar.

Industria përpunuese me nënsektorët e saj është një faktor i rëndësishëm në punësim, me rreth 95 mijë të punësuar në total. Ajo ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e punësimit në 2016-n, me rritje 13% (ose 11 mijë persona më shumë). Vendin kryesor e zënë tekstilet dhe këpucët, të cilat së bashku kanë rreth 47 mijë të punësuar. Kjo industri punon kryesisht në regjimin e përpunimit aktiv (me material porositësi) dhe ka si avantazh krahun e lirë të fuqisë punëtore.

Maqedonia ka zhvilluar industrinë, paga shumë më të larta sesa ne

Ndërsa Shqipëria mbështetet shumë në tregti dhe vetëpunësim, shteti fqinj, Maqedonia, ka një nivel më të qëndrueshëm zhvillimi, ku është industria përpunuese ajo që kryeson për vendet e punës në sektorin jobujqësor, me 23% të totalit, sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës të vitit 2016, të publikuar nga Zyra Shtetërore e Statistikave të Maqedonisë.

Shteti fqinj ka qenë shumë agresiv në tërheqjen e investimeve të huaja në industrinë mbështetëse automotive apo sektorë të tjerë me vlerë të shtuar të lartë, përmes zonave të lira ekonomike dhe incentivave fiskale.

Vetëm Johnson Doel, që prodhon katalizatorë automjetesh, ka mbi 1,000 të punësuar dhe kryen mbi 1 miliard euro eksporte në vit (Shqipëria eksporton në total rreth 1.9 miliardë euro mallra në vit).

Kujtojmë që në Shqipëri, në industrinë përpunuese, mbizotërojnë tekstilet e këpucët, ku sidomos në tekstile, Shqipëria kryen vetëm disa procese dhe nuk ofron cikël të mbyllur.

Në tregti, në Maqedoni punojnë rreth 17% e të punësuarve. Maqedonia nuk është e varur as nga vetëpunësimi, pesha e të cilit është e papërfillshme në ekonominë e vendit fqinjë.

Në akomodim dhe shërbim ushqimor, në Maqedoni ka 4.2% të të punësuarve, nga rreth 11% që është kjo peshë në Shqipëri.
Zhvillimi i industrisë përpunuese, duke e vënë theksin në rritjen e vlerës së shtuar dhe zhvillimin e teknologjisë, ka mundësuar dhe paga më të larta në shtetin fqinj.

Sipas shifrave të publikuara nga Zyra Shtetërore e Statistikave për dhjetorin 2017, paga mesatare në kategorinë e prodhimit të tekstileve ishte midis 21,306 dhe 31,595 dinarë, ose 350-514 euro, më shumë sesa dyfishi i asaj në Shqipëri, ku punonjësit paguhen me pagën minimale, që është 24 mijë lekë (më pak se 200 euro).

Për të gjithë industrinë përpunuese, paga mesatare është 350 euro. Paga më e lartë në Maqedoni në industrinë përpunuese është në prodhimin e produkteve farmaceutike, me rreth 1000 euro në muaj si dhe për prodhimin e materialeve të transportit me 860 euro në muaj.

Riparimi i makinerive dhe pajisjeve paguhet me 750 euro.
Në sektorin e teknologjisë së informacionit, për programuesit, paga mesatare në dhjetor ishte 80 mijë dinarë, ose rreth 1300 euro.

Mungojnë ndërmarrjet e mëdha

Shqipërisë i mungojnë ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 41 kompani kishin më shumë se 500 punonjës, sipas renditjes së 100 punëdhënësve më të mëdhenj, të publikuar me Tatimet. Ndërsa rreth 100 kompani kanë më shumë se 250 punonjës, (në Shqipëri kishte 108 mijë ndërmarrje aktive në fund të 2016-s).
Sërish renditemi më keq sesa Maqedonia, e cila sipas statistikave zyrtare, ka 233 kompani me më shumë se 250 të punësuar, nga të cilat 70 janë në sektorin e industrisë përpunuese (në Maqedoni kishte gjithsej 71.5 mijë ndërmarrje në fund të 2016-s, sipas statistikave zyrtare).

Për krahasim, ndërmarrjet me më shumë se 50 punonjës në Maqedoni përbëjnë 2.3% të totalit, ndërsa në Shqipëri, vetëm 1% të totalit.

Në total, në Shqipëri, kishte 1,148 biznese që kanë mbi 50 punonjës në vitin 2016, sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT. Ato që dominojnë janë subjektet e vogla, që kanë më pak se 4 të punësuar, që përbëjnë 89% të totalit, ose gati 97 mijë biznese të vogla. Bizneset me 4-9 të punësuar zënë 5.9% të totalit, apo rreth 6,351 ndërmarrje në total. 4.1% e ndërmarrjeve kanë 10-49 të punësuar në vend, ose në total 4,413.

Sfida e call center

Në fund të vitit 2016, sipërmarrjet e call center në Shqipëri u përballën me zemërimin e qeverisë italiane, për vendet e punës që kjo industri po rritej me shpejtësi dhe po ia merrte Italisë. Qeveria italiane vendosi masa të ashpra për delokalizimin, me synim frenimin e zgjerimit të mëtejshëm të call center në Shqipëri.

Rënia e të mëdhenjve ka filluar, si në drejtim të shkurtimit të punonjësve ashtu dhe të ardhurave. INSTAT ka raportuar vazhdimisht në publikimet tremujore për prodhimin e brendshëm bruto se sektori i call center ka raportuar rënie të qarkullimit.
Intercom Data Service, që ishte operatori më i madh në këtë segment dhe çdo vit zgjerohej me ritme dyshifrore, ka deklaruar për herë të parë që kur ka filluar aktivitetin, rënie të të ardhurave me 4%, në 2.6 miliardë lekë. Edhe numri i punonjësve është reduktuar nga 3000 në rreth 2600.

Dy operatorët e tjerë të mëdhenj, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance) kanë vijuar rritjen me përkatësisht me 6.4% dhe 20%. Si rrjedhojë e rritjes së lartë, Albania Marketing Service ka kaluar në operatorin më të madh në treg me 3.2 miliardë lekë të ardhura dhe Albacall, i dyti me 3.1 miliardë lekë.

Përveç tre subjekteve të sipërpërmendura nuk ka hyrje të reja nga ky segment te 200 më të mëdhenjtë. Në përgjigje të presionit italian, sektori ka filluar të rikonfigurohet. Një pjesë e subjekteve po shkojnë drejt ofrimit të shërbimeve më të sofistikuara, si web marketing.

Po zgjerohet dukshëm grupi i kompanive që ofrojnë shërbime Forex (veprime me kursin e këmbimit), ose të ashtuquajturën “binary option” (një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë), veprime këto që janë shpesh spekulative dhe mbeten të pakontrolluara. Disa sipërmarrje call center po marrin tashmë licencë për të vepruar me këto produkte pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.



1 Comment

  1. Me ne fund nje artikull interesant dhe me permbajtje. Kjo eshte ajo per te cilen duhet te filet dhe kjo eshte menyra e diskutimit, me fakte te referuara dhe krahasime . Te gjitha diskutimet e tjera me zhurme shume dhe pa permbajte jane per t’ju mbuluar syte perpara asaj qe po ndodh ne te vertete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *