• |
ide | kryesore

Meta për ‘To Vima’: ‘Vijat e kuqe’ që nuk duhen shkelur në marrëveshjen e detit me Greqinë

Lajme, Të fundit



Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, sqaroi pozicionin e tij në lidhje me negociatat Shqipëri-Greqi për kufirin detar.

Kreu i shtetit theksoi se “vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli nul marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, jo vetëm që argumentonte pse marrëveshja e vjetër ishte e papranueshme nga ana kushtetuese, por vinte edhe piketat për një marrëveshje të ardhshme. Këto piketa tregonin institucionet, hapat, procedurat dhe metodologjinë që mund të implementohej nëse do të negociohej një marrëveshje e re. Askush nuk mund t’i anashkalojë këto hapa. Nëse një prej këtyre elementëve anashkalohet, injorohet, shmanget ose ndryshohet, nga çdo institucion, para ose gjatë negociatave, është një shkelje e Kushtetutës”.

Intervista e plotë e Presidentit Ilir Meta për “To Vima”:

President, Shqipëria kërkon një datë për nisjen e negociatave për hyrjen në Bashkimin Europian në qershor. A keni shpresë se data do të njoftohet, veçanërisht pas raportit të fundit të Komisionit Europian mbi Strategjinë për Ballkanin Perëndimor?

Ambicia e madhe e Shqipërisë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian. Ky projekt strategjik gëzon mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe politikës. Të gjithë aktorët institucionalë dhe politikë kanë mbështetur në mënyrë unanime kërkesën e Shqipërisë për hapjen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur, gjë që unë e konsideroj si shenjë të pjekurisë politike dhe përgjegjësisë së vendit. Nuk është sekret që ne presim një vendim pozitiv për hapjen e negociatave, mundësisht gjatë presidencës bullgare të BE-së. Gjithashtu, jemi të ndërgjegjshëm se kjo do të ishte një prolog për sfida më të mëdha dhe procese që duhet të ndryshojnë rrënjësisht vendin.

Nga ana tjetër, strategjia e Komisionit Europian, e ndjekur nga turi i Presidentit Juncker në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, është një shenjë e qartë e përkushtimit ndaj rajonit. Kam shpresë se Bashkimi Europian do të vazhdojë me këtë përkushtim për të përmbushur premtimin për anëtarësim të plotë dhe të ndihmojë të gjitha vendet në rrugëtimin e tyre.

Pavarësisht disa reformave të përmbyllura, rruga drejt integrimit në BE nuk është ende e qartë. Sipas burimeve të sigurta, korrupsioni mbetet problem, reforma në sistemin e drejtësisë është ende pezull dhe shumë analistë e përshkruajnë Shqipërinë si “Kolumbia e Europës” për shkak të prodhimit të marijuanës. Si i përgjigjeni këtyre?

Strategjia e re është shumë realiste kur thotë se Ballkani Perëndimor është larg të qënurit gati për anëtarësim të plotë në BE. Reformë e thellë dhe e plotë në sistemin e drejtësisë, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë luftën kundër kultivimit të drogës dhe trafikimit, janë sfidat kryesore ku duhen përqendruar përpjekjet. Kam besim se ky trend mund të ndryshojë me sukses, me vullnet të madh politik dhe ndihmë nga partnerët tanë. Padyshim që mundemi dhe duhet të bëjmë më shumë në këtë aspekt, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar, që është një kërcënim serioz për sigurinë dhe që nuk mund të mbahet brenda kufijve. Duhet të fitojmë këtë luftë për t’i vërtetuar qytetarëve tanë që policia është më eficente dhe bashkëpunuese sesa rrjetet e krimit.

Disa analistë shprehin shqetësime serioze se Tirana po kërkon ende të përmbushë vizionin e “Shqipërisë së Madhe”. Ata paralajmërojnë se kjo mund të krijojë paqendrueshmëri në Ballkan. Kohët e fundit, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një President të përbashkët në të ardhmen. Si mendoni?

Më lejoni që t’ju korrigjoj: Tirana nuk ka kërkuar kurrë dhe nuk do të kërkojë të përmbushë legjendën urbane të “Shqipërisë së Madhe”. Si President e kam bërë të qartë gjithmonë se Shqipëria është një partner i besueshëm në rajon. Që kur u rrëzua diktatura komuniste, projektet më ambicioze të vendit tonë kanë qenë NATO-ja dhe BE-ja. Kemi investuar të gjitha burimet politike, institucionale dhe njerëzore për këtë qëllim. Politika jonë e jashtme ka qenë gjithmonë e bazuar në paqe, stabilitet, siguri dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit.

Përsa i përket Kosovës, dua të theksoj se në dekadën e parë të pavarësisë së saj, Kosova ka vërtetuar se nuk është kërcënim për paqen, stabilitetin apo sigurinë e ndonjë vendi tjetër të rajonit. Autoritetet më të larta të Kosovës kanë nisur një proces dialogu me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe të asistuar nga Amerika, duke treguar se janë partnerë të besueshëm që përfaqësojnë interesat më të mira të vendit dhe qyetarëve të tyre. Tirana ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë këtë dialog, që ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sigurisht që Shqipëria ka arsye për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me Kosovën dhe përpjekjet tona reciproke kanë këtë qëllim. Për të njëjtat arsye, ne kërkojmë të kemi të njëjtin nivel mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të rajonit, sepse është në interesin tonë.

Muajt e fundit, Athina dhe Tirana kanë nisur një dialog të gjerë për të zgjidhur çështjet dypalëshe në një marrëveshje-paketë. Një nga çështjet më të ndjeshme ka të bëjë me detin, një marrëveshje e nënshkruar nga të dyja vendet në vitin 2009, por e gjykuar jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Kohët e fundit ju refuzuat t’i jepnit ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, autorizimin për të vazhduar negociatat për një marrëveshje të re me homologun e tij Nikos Kotzias. Pse e bëtë këtë?

E para, kam nënvizuar gjithmonë faktin se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë të një rëndësie të madhe strategjike. Kam dashur gjithmonë që të shikoj një dialog të hapur për të diskutuar të gjitha çështjet me interes. Agjenda aktuale nuk vjen nga një planet tjetër, as nuk është e imponuar, por ka disa çështje, disa të trashëguara nga e kaluara dhe disa nga e tashmja, të gjitha me interes të përbashkët për popujt tanë. E vlerësoj faktin që ka vullnet të mirë për t’u ulur dhe për të diskutuar këto çështje. Shpresoj që të adresohen në mënyrën më eficente të mundshme.

E dyta, Shqipëria dhe Greqia janë të interesuara për të pasur një marrëveshje për kufirin detar. Është shumë e rëndësishme që të dyja palët të hyjnë në procesin e negociatave me një mision të qartë: të arrijnë një marrëveshje që është e ligjshme, e implementueshme dhe e pakthyeshme.

Në këtë kontekst, të dyja vendet janë të ndërgjegjshme se ndërkohë që janë pjesë e Konventës për të Drejtën Detare, duhet t’i nënshtrohemi ligjeve të vendeve përkatëse.

Vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli nul marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, jo vetëm që argumentonte pse marrëveshja e vjetër ishte e papranueshme nga ana kushtetuese, por vinte edhe piketat për një marrëveshje të ardhshme. Këto piketa tregonin institucionet, hapat, procedurat dhe metodologjinë që mund të implementohej nëse do të negociohej një marrëveshje e re. Askush nuk mund t’i anashkalojë këto hapa.

Nëse një prej këtyre elementëve anashkalohet, injorohet, shmanget ose ndryshohet, nga çdo institucion, para ose gjatë negociatave, është një shkelje e Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje e re që nuk respekton “vijat e kuqe” mund të mos pranohet nga Kushtetuesja.

E treta, ju siguroj sërish juve dhe lexuesve tuaj se, pala shqiptare, përfshirë Presindetin e Republikës dhe institucionet e tjera, do të hyjnë në këtë dialog me vendosmërinë për të arritur një marrëveshje finale. Kam qenë krejtësisht transparent me institucionet shqiptare, aktorët politikë dhe opinionin publik për të pasur një marrëveshje siç duhet.

Sipas jush, marrëveshja e vitit 2009 ishte kundër interesave të Shqipërisë? Është e nevojshme një marrëveshje krejtësisht e re apo vetëm disa amendamente në marrëveshjen e vjetër do të mjaftonin? Çfarë aspektesh duhet të mbulojnë këto amendamente?

Kjo nuk është çështje për konsiderata personale ose çështje për opinionin publik. Marrëveshja e vitit 2009 ka qenë subjekt i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që duhet të respektohet. Ka pasur dy alternativa të tjera që vendet tona duhet të zgjidhnin për të përcaktuar kufirin e tyre detar. Mes tyre, të dyja palët vendosën që të rinisnin negociatat për një marrëveshje të re. Më lejoni t’ju kujtoj që Shqipëria e ka përcaktuar kufirin detar me Italinë dhe është e interesuar që ta bëjë këtë edhe me Greqinë, që do të sillte mundësinë për një marrëveshje trilaterale mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, ende pezull nga marrëveshja Shqipëri-Greqi.

Një tjetër çështje delikate është kërkesa e Tiranës për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë. Duket se kjo çështje do të zgjidhet dhe shumë shtetas shqiptare do të marrin pronat e tyre. A e konsideroni këtë një hap të madh përpara?

Ligji grek i luftës është një nonsens politik. Është një paradoks i pashpjegueshëm se si dy vende që janë palë në Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë, pa përmendur këtu që janë aleate në NATO, në të njëjtën kohë janë në një regjim unilateral lufte, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ka edhe një paradoks tjetër. Ndërkohë që Greqia nuk e ka hequr këtë ligj absurd që ndikon te shtetasit e pafajshëm shqiptarë, të cilët nuk marrin dot pronat e tyre në Greqi, i jep të drejtën shtetasve shqiptarë me origjinë greke të marrin pronat e tyre në Shqipëri. Në këtë kontekst, heqja e këtij ligji është një akt pjekurie politike që ngre statusin e vetë Greqisë. Sigurisht që heqja e ligjit do të përmirësojë klimën e besimit të përbashkët dhe do të bëjë që të ecim përpara me çështje të tjera të rëndësishme.

Çfarë mendimi keni për Çështjen Çame, për të cilën disa anëtarë të qeverisë shqiptare vazhdojnë të flasin? A përbën kjo për ju një çështje dypalëshe? Besoj se e dini që qeveria greke nuk e njeh si çështje. A nuk mendoni se përsëritja e kësaj çështjeje i helmon marrëdhëniet bilaterale?

Kam pasur mundësi të takoj homologët e mi grekë, edhe në detyrat e mia të mëparshme, dhe kam diskutuar shumë çështje me ta. Kam vënë re maturi dhe përgjegjësi nga të dyja palët për çështjet që na prekin. Kemi rënë dakord që ka plagë të trashëguara nga e kaluara jonë, që duhet t’i diskutojmë me kujdes, duke iu shmangur protagonizmit spekulativ.

Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Greqia duhet të shpalosin pikëpamjet e tyre në mënyrë të hapur dhe të vazhdojnë një dialog të sinqertë, përfshirë Çështjen Çame. Kemi rënë dakord deri tani që për këtë çështje kemi pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk duhet të ndalojë përpjekjet graduale për të arritur një marrëveshje të përbashkët dhe një zgjidhje për këtë çështje. Kjo gjë kërkon gjakftohtësi dhe një klimë pozitive besimi, në mënyrë që të përballemi me të shkuarën dhe të ardhmen e përbashkët në Europë.

Ka pasur ankesa nga minoriteti grek në Shqipëri se kryeministri Edi Rama ka marrë disa iniciativa kundër tij. Ata ankohen, mes të tjerash, për atë që po ndodh me pronat greke në Himarë. Si përgjigjeni ju? A mendoni se politikat e kryeministrit Edi Rama ndaj Greqisë po i përkeqësojnë gjërat?

Problemet me pronat janë një sfidë e madhe që Shqipëria i ka trashëguar nga e shkuara e saj komuniste. Qeveri të ndryshme kanë pasur qasje të ndryshme ndaj këtij fenomeni, që është bërë edhe më i vështirë pas lëvizjeve të shumta të popullsisë brenda vendit. Kthimi i pronave, kompensimi apo legalizimi është një problem i përditshëm i shoqërisë shqiptare. Kjo nuk është një politikë diskriminuese ndaj minoriteteve. Ligji i ri për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri është një garanci shtesë për minoritetet, duke përfshirë faktin se të drejtat e pronës ndiqen dhe monitorohen nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian.

Gjatë 15 viteve të fundit, Tirana dhe Ankaraja kanë rritur partneritetin e tyre. Turqia ka financuar ndërtimin e shumë xhamive dhe projekteve të tjera. Megjithatë, duket se mes dy vendeve ka pasur “fërkime” pas grushtit të shtetit në Turqi në korrik 2016, kur qeveria turke kërkoi mbylljen e shkollave që i përkisnin rrjetit të Gylenit. Si janë marrëdhëniet sot me Turqinë dhe si e shikoni ndikimin turk në vendin tuaj?

Pas një periudhe të gjatë izolimi, Shqipëria është bërë gjithmonë e më shumë partner i besueshëm në rajon, Europë dhe më gjerë. Shqipëria ka sot numrin më të madh të miqve, partnerëve strategjikë dhe aleatëve që ka pasur ndonjëherë në historinë e saj. Turqia është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe marrëdhëniet tona vazhdojnë të zhvillohen mbi bazën e besimit reciprok dhe bashkëpunimit të ngushtë. Turqia është një partner shumë i rëndësishëm tregtar dhe investues në Shqipëri, me një prezencë të konsoliduar dhe që po rritet më tej.

Shqipëria e ka denoncuar përpjekjen për grusht shteti në Turqi dhe ka shprehur mbështetjen e plotë për Presidentin Edogan, qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rregullin kushtetues të Turqisë.

Në fillim të shekullit XXI, figura të rëndësishme greke dhe shqiptare kanë mbështetur vizionin për të ndërtuar baza të forta mes Greqisë dhe Shqipërisë për të vendosur një ekuilibër në Ballkan. 20 vjet kanë kaluar pa zhvillime. A mendoni edhe ju kështu dhe a besoni se ka ende mundësi për ta ringjallur këtë vizion?

Unë jam mbështetës i ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive mes të gjitha vendeve të rajonit. Faktori shqiptar në rajon ka luajtur gjithmonë një rol kyç në këtë aspekt dhe ka mbajtur ekuilibrin në çdo rrethanë. Shqiptarët kanë krijuar lidhje të ngushta në NATO dhe vendet e BE-së, përfshirë Greqinë. Duam ta ushqejmë marrëdhënien me Greqinë dhe unë jam optimist se partneriteti ynë me fqinjin dhe partnerin tonë strategjik do të rritet dhe konsolidohet më tej.

/tch

 



1 Comment

  1. klasa jone politike 1 shekullore mund te referohet me milona faqe nder gazeta apo rrjetet sociale me ligje ,por nese nuk pyeten 15 milion shqiptare per cdo ceshtje qe rendon mbi ne ,i keshilloj gjitha palet mos ushqeni iluzione ,sepse po nuk u vendos e drejta haku ,historik sejcilit te drejten e tije brenda lle jashte ju vecse po zhgenjeheni se pa kaluar shum kohe ,kjo krize vecse do te degradojne me kofrontime te te paimagjinueshme mes palesh padrejtesia ka cmim dhe kosto qe paguhet ,se kur vec zoti e din por qe pacmangeshem paguhet ,ajo ndalohet vetem me ndjese drejtesi hak ju zoterinje qeveritare ,qe permes korrupsionit arritet ne pushtet ,ku te gjith akuzoni njeritjetrin per korrupsioni ,dhe ligji ju prek per ndeshkim ,dijeni se ju nuk keni mandat na 15 milion shqiptare per te perfaqsuar korrupsion shitur troje shqiptare ,por per te then njezeri ,fjalen e cdo shqiptari brenda dhe jashte perfaqsimin dhe mbrojtjen e te drejtave shqiptare dhe nese e shohim te dobisheme te futemi nje dite ne evrope aty mund te hyjme 15 milion shqiptare me identitetin besimin dhe vlerat tona ,evropa me pare na detyrohet te vere ne vend te drejtat pastaj tjerat jan mirkuptim ,por ju si klas politike keni humbur besimin e keti kombi ju grabitet pronat ishpronareve ne kundershtim me cdo ligj nderkombetare, dhe dhe na mashtuat nuk bete kthimin fizik te prones nderkohe qe ju per vete pronat tuaja i keni marr,ju e kishit kohen e mjaftueshme ne nje shekull qe fjalet ti kishit bere vepra por veprat tuaja keti kombi me shum i kan sjellur dem se dobi ,kushdo me logjiken e shendoshte ,vlerson kedo sipas veprimit jo fjales veprimi juaj ndaj kombit tuaj ne politike ligje dhe ju si ligjvenes jane bere burim krimi eshte padrejtesi ,keshtu qe ju nuk jeni xhenerata produktive e dobise qe perfaqsoni shqipfoles 15 milion banore ne bote,ketu jan kriminalizuar me dhun nje komb i tere duke i grabitur cdo te drejte mundesit e jetes te ardhmes ,dhe tani ky komb eshte per nje analize te thelle vlersim ralitetit ndarje problemi dhe orientim zgjilljesh pa rekomandime nga askush por nga vetja ,te konfirmojne ullheqesit e drejte qe perfaqsojne dhe mbrojne me dinjitet interesat e tije brenda perbrenda dhe ne raport me tjeret ky eshte mendimi im ,i vlefshem per studiuesit e thelle qe kerkojne zgjillje adekuate ,te dobisheme pa efekte ansore me respekt mendimi eshte si nje harte memece ku kap disa gjera kryesore ku virtytin dhe dobin e merr me vlersim plotesim permirsim dhe percaktim perkrahje , mbasi un jam ne kendveshtrim i thjeshte jo ne pergjegjsin e angazhimit dhe veprimit me respekt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *