• |
ide | kryesore

Grupi i trafikut të drogës së Met Kananit hetohej prej 1 viti

Lajme, Të fundit



Prej një viti, grupi i trafikut të drogës të Met Kananit, ndiqej nga policia shqiptare dhe ajo turke. Procedimi që prej një viti është regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka autorizuar policinë për të kryer edhe një sërë përgjimesh ambientale dhe telefonike të pjesëtarëve të dyshuar të grupit.

Grupi i Met Kananit u arrestua të martën, më 20 mars në Turqi, teksa po priste ardhjen e një sasie prej 1.1 ton kanabis me vlerë 5.2 milion euro. Mediat turke e kanë përshkruar Met Kananin si “Escobarin shqiptar”, me lidhje të forta politike.

Sipas TvKlan, oficerë të zyrës së Antidrogës së Policisë së Shtetit, dorëzuan këtë të premte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, materialet hetimore të grumbulluara për llogari të hetimit të grupit të drejtuar nga Met Kanani, apo i njohur ndryshe edhe baroni i drogës “Met Shqiptari”.

Burimet e policisë thonë se ka së paku edhe një ngarkesë tjetër e cila është kapur nga policia turke më parë, gjatë hetimit të rrjetit të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Turqisë.

Gjatë kësaj kohe burimet thonë se kanë mundur të identifikojnë me tepër se 10 shtetas shqiptarë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe Turqi. I njëjti grup dyshohet se është përfshirë në importimin e heroinës nga Afganistani e Turqia drejt Shqipërisë me destinacion vendet e BE-së.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *