• |
ide | kryesore

Rusi, zjarr në qendrën tregtare/ Të paktën 64 të vdekur, shumica fëmijë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Të paktën 64 persona kanë humbur jetën në një zjarr që përfshiu një qendër tregtare dhe kompleks argëtimi në qytetin siberian të Kemerovos, të njohur për qymyrgurin.

Shumica e viktimave janë fëmijë, ndërsa 10 persona të tjerë vijojnë të rezultojnë të zhdukur.

Zjarri nisi në katin e sipërm të kompleksit “Winter Cherry”, gjatë pasdites së të dielës me orën lokale. Dyqanet, kinematë dhe ambientet e tjera argëtuese të qendrës tregtare ishin të mbipopulluara në momentin e tragjedisë.

Videot e publikuara nëpër rrjetet sociale treguan njerëz që hidheshin nga dritaret për t’iu shpëtuar flakëve.

“Sipas të dhënave paraprake, çatia është shembur mbi dy kinema”, thotë Komiteti rus i Hetimit, në një deklaratë.

Shkaku i zjarrit nuk dihet ende, por autoritetet kanë nisur një hetim për ta përcaktuar atë.

Deri më tani janë arrestuar 4 persona për t’u marrë në pyetje, përfshi kreun e kompanisë që menaxhonte qendrën tregtare, sipas asaj që bën të ditur Komiteti Hetimor. Pronari i kompleksit “Winter Cherry” është mes të arrestuarve.

Zjarri nisi rreth orës 17 të pasdites së të dielës me orën lokale, ndërsa një personel emergjencash prej 660 vetësh u dërguan në vendngjarje në përpjekje të ethshme shpëtimi. Zjarrfikësit thanë se ndërtesa ishte ende duke u djegur edhe sot, teksa shihnin tym që dilte nga struktura e mbetur e godinës, që rrezikon madje edhe shembjen.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *