• |
ide | kryesore

Në bllok kundër Putinit/ Mesazhi që dha bashkimi i Perëndimit përreth Britanisë

F1, Planet



Çfarëdo qofshin motivet pas tentativës së vrasjes së ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe ato mund të mos përcaktohen kurrë saktësisht, diçka mund të merret në konsideratë. Kjo është dobësia e Britanisë së Madhe, e cila nuk reagoi fort kur një tjetër ish-agjent rus, Aleksandër Litvinenko u helmua në Britani. Dobësi e cila lidhet edhe me daljen e saj nga Bashkimi Europian, me menaxhimin e marrëdhënieve transatlantike që duket më e vështirë se kurrë. Britania, ashtu si aleatët e tjerë të SHBA-ve, duhet të merren me një president jo të qëndrueshëm amerikan, i cili ka shfaqur simpati të jashtëzakonshme për homologun e tij rus, dhe fushata e të cilit është nën hetim për bashkëpunim të mundshëm me Kremlinin.

Pavarësisht këtyre fakteve, më shumë se 20 aleatë perëndimorë po dëbojnë mbi 100 diplomatë rusë, të cilët besohet se janë spiunë. Kryeministrja britanike e quajti këtë dëbim si më të madhin kolektiv të zyrtarëve të inteligjencës ruse në histori. Dëbimi erdhi disa ditë pasi krerët e BE-së ranë dakord që ishte shumë e mundshme që Rusia të ishte përgjegjëse për helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. Ajo që bën më shumë habi është dëbimi i 60 diplomatëve rusë nga SHBA-të. Donald Trump po lejon administratën e tij të marrë një qëndrim vendimtar, ndoshta edhe pse ka kuptuar se nuk ka zgjidhje tjetër, edhe pse ai heziton të kritikojë Vladimir Putinin ose heziton të pranojë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Këta masa janë gjerësisht simbolike. Megjithëse mund të dëmtohet mbledhja e informacionit nga inteligjenca ruse, këto dëbime nuk mbulojnë spiunët që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa mbulim diplomatik. Disa nga vendet e përfshira po përjashtojnë vetëm një zyrtar të vetëm. Jo të gjithë vendet anëtare të BE-së po dëbojnë zyrtarë rusë. Një rast i tillë është Austira, e cila thotë se është një ‘vend neutral’, dhe dëshiron të mbetet një ndërtues komunikimi mes lindjes dhe perëndimit, duke hapur kanalet e komunikimit.

Sidoqoftë, gjerësia e kësaj përgjigjeje është shumë më e madhe nga sa mund të ishte parashikuar. Moska ka kërkuar të thyejë perëndimin dhe të minojë multilateralizmin. Kjo shfaqje e unitetit i përket më së shumti kryeministres dhe ministrisë së Jashtme, të cilët e kanë arritur atë përkundër disa qëndrimeve joproduktive në Britaninë e Madhe.

Homologët e Theresa May kanë qenë të gatshëm për ndihmë, pavarësisht shqetësimeve se lojtarë kryesorë si Franca mund të ngurronte të binte dakord për masa të tilla.

Deklarata e përbashkët nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, se nuk kishte asnjë shpjegim alternativ të besueshëm për helmimin, ishte pika kthyese. Aleatët vepruan nga interesi i arsyeshëm kombëtar. (përktheu lapsi.al) Mesazhi kolektiv tregon të gjithë zemërimin e akumuluar ndaj veprimeve të Rusisë, e cila i ka shënjestruar vitet e fundit, me mënyra të ndryshme, siç janë sulmet kibernetike. Përdorimi i një arme kimike në rrugët e një qyteti është tepër e rëndë. Kalohet një vijë e kuqe që askush nuk do t’a injoronte.

Por, asnjë masë e tillë nuk vjen pa kostot e veta. Këto dëbime mbyllin kanale komunikimi, që edhe tani ishin shumë të kufizuara. Këto masa sëpaku forcojnë mbështetjen e brendshme për Vladimir Putin, pasi legjitimojnë pretendimet e tij se Rusia është e rrethuar nga armiq. Në Rusi, shumë pak persona mendojnë se Moska është përgjegjëse për helmimin e Sergei Skripal në Britani. Por, rusët padyshim që do të informohen për dëbimet e perëndimit dhe përgjigjen e vendit të tyre. Vladimir Putin e kupton fuqinë e reaksioneve asimetrike. Por, edhe perëndimi ka opsione të tjera në gatishmëri.

Një pyetje kritike do të ishte nëse këto opsione të perëndimit do të shënjestronin pasuritë e miqve oligarkë të zotit Putin. Ka plot ankesa se Londra, edhe pse kërkon mbështetje nga aleatët, ngurron të ‘paguajë çmimin e lartë’ të sfidimit të Moskës. Edhe në SHBA goditja e oligarkëve rusë është parë si një problem nga administrata amerikane. Ruajtja e unitetit në çdo përgjigje ndaj Rusisë në këto rrethana do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Por, në një botë ku opsionet janë më së shumti jo të përsosura, masat kolektive të kësaj jave kanë dërguar një mesazh të rëndësishëm.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *