• |
ide | kryesore

Flet Duka: E vërteta e zgjedhjeve në FSHF dhe dënimi Skënderbeut

F1, Sport



Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku presidenti Armand Duka fitoi mandatin e katërt në krye të organit të futbollit vendas, vazhdojnë të kenë jehonë pas vendimit të gjykatës për të kthyer regjistrimin e veprimtarisë së Asamblesë, për shkak të mungesës së disa dokumenteve.

“Na kanë kërkuar disa dokumente shtesë, që ne po i bëjmë gati. Nuk ka asgjë kaq të madhe sa është bërë, e sigurisht nuk do të ketë asnjë ndryshim”, – tha Armand Duka në një intervistë për TCH. Pavarësisht regjistrimit në gjykatë apo ankimimit të rivalit të tij, presidenti Duka kujton edhe njëherë vlerësimin që iu bë këtij procesi zgjedhor nga organizmat europianë dhe botërorë, si UEFA dhe FIFA.

“UEFA dhe FIFA kanë pasur një vlerësim maksimal për këto zgjedhje, menjëherë pas përfundimit të tyre. Madje, edhe bashkëpunimi i tyre vazhdon. Brenda këtij viti do të vijë në Tiranë edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino për të parë projektet tona”, – tha më tej Duka.

Lajmi më i bujshëm i ditëve të fundit ka qenë dënimi i Skënderbeut me 10 vite pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare, si dhe një milion euro gjobë, penalizimi maksimal që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s.

“Më vjen keq. Ky është një lajm i rëndë për klubin dhe vet futbollin vendas. Nëse këto janë të faktuara, atëherë drejtësia të bëjë punën e saj, ndërkohë që nëse jo, klubi duhet të gjejë rrugën për t’u mbrojtur”, – deklaroi Duka.

Gjithsesi, edhe nëse vendimi i UEFA-s për të dënuar Skënderbeun do të mbetet në fuqi, ai nuk do të ketë asnjë efekt në kampionatin vendas.

“Ne e kemi marrë njëherë vendimin për ta dënuar Skënderbeun. Vendimi i UEFA-s nuk na detyron neve që ta dënojmë sërish”, – u shpreh ndër të tjera Armand Duka.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *