• |
ide | kryesore

Policia e Klement Balilit ruan Prokurorinë e Gjirokastrës, ‘Eskobari’ vazhdon të marrë para nga buxheti i shtetit (FOTO)

Lajme, Të fundit



Ndonëse Klement Balili, i cilësuar si ‘Eskobari i Ballkanit’ është në kërkim nga policia për trafik droge, bizneset e tij vazhdojnë të marrin para nga buxhetit i shtetit. Kompania e ruajtjes dhe sigurisë fizike, ‘Balili & Co’, ka fituar së fundi tenderin për ruajtjen e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me një vlerë rreth 21 milionë lekë të vjetra. Siç shihet në dokumentet që siguron Lapsi.al, shpallja e kësaj kontrate është bërë në buletinin e datës 4 prill 2018. Kompanisë ‘Balili & Co’, iu hoq licenca në fund të muajit dhjetor nga Haki Çako, një muaj para se ai të largohej nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Çako urdhëroi që të pezulloheshin 4 licenca të bizneseve të ruajtjes fizike që kishte familja Balili. Por, Gjykata Administrative nuk e ka parë me vend këtë vendim duke pezulluar urdhrin e Çakos dhe duke lënë licencat e 4 shoqërive që janë në pronësi të vëllezërve të Klement Balilit. Gjykata e argumentoi vendimin e saj, se me heqjen e licencave ngelen të papunë 360 persona të punësuar nga Balilët. ‘Eskobari i Ballkanit’ vazhdon të jetë në arrati prej gati dy vjetësh, ndërsa në shumë raste autoritetet shqiptare, Policia dhe Prokuroria, kanë neglizhuar qëllimisht veprimet për arrestimin e tij, duke i lënë në këtë mënyrë hapësirë që ai të largohej.

©LAPSI.al 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *