• |
ide | kryesore

Si po zhbëhet Stambolli europian

F1, Planet



Rexhep Taip Erdoan, i cili nga zgjedhjet e vitit 2019 dëshiron të dalë si presidenti i parë me kompetenca sulltani, po luan lojën e tij më të dashur: të përçajë dhe polarizojë shoqërinë për të konsoliduar bazën elektorale. Në këtë lojë të rrezikshme ai nuk e luan më rolin e atij që qeveris vendin për një kohë. Ai sillet thua se shteti është pronë e tij private. Ditëve të fundit ai ka thënë se nuk do të durohen më në universitete studentët që janë kritikë ndaj qeverisë dhe tipat që atij nuk i pëlqejnë do «të kapen për veshi dhe do të shporren nga aty».

Për të fituar më 2019 një votë më shumë se 50 për qind Erdoani ka provuar gjithçka. Ai ndërroi ligjin zgjedhor. Ai shpalli një aleancë elektorale me MHP-në ultranacionaliste. Për të nxitur nacionalizmin në vend ai filloi ofansivën ushtarake kundër Afrinit (në Siri). Por të gjitha këto Erdoanit nuk i garantojnë fitore më 2019. Asnjë nga anketat e deritanishme nuk parashikon se ai do të marrë numrin e nevojshëm të votave.

Erdoan e di se në Turqi ka një shtresë të gjerë të djathtë, konservatore, fetare. Ai po kthehet në truallin e bekuar të kësaj shtrese. Urrejtjen e qarqeve të gjera ai po e orienton ndaj atyre grupeve që nuk u pëlqejnë konservatorëve. Në një fjalim në një kongres rajonal të partisë së tij ai drejtoi shigjetat kundër Beyog­lu, qendrës së jetës intelektuale të Stambollit. Kjo lagje – për bizantinët Pera, për osmanët Beyog­lu – ngaherë është qendër e artit dhe kulturës. Këtu gjenden skenat më të rëndësishme të teatrit, qendrat e kulturës, libraritë, pikëtakimet e intelektualëve si dhe butikët e bukur. Prej se ka ardhur në pushtet (partia e Erdoanit) AKP, kjo lagje ka humbur shumë nga atraktiviteti. Restoranteve u bëhet presion, festivalet anulohen, artistët nga Perëndimi e kanë fshirë Turqinë nga plani i turneve të tyre. Shkëlqimi i Beyog­lu po zbehet.

Në videot për Stambollin ju me siguri e keni parë rrugën e famshme Istiklal me tramvajin e kuq. Butikët në këtë bulevard po mbyllen njëri pas tjetrit, në vend të tyre po hapen restorante të ushqimit të shpejtë apo dyqane të elektroteknikës. Me rënien e numrit të turistëve nga Perëndimi arabët që vërshojnë Stambollin janë shndërruar në grupin më të madh të vizitorëve. Me ndryshimin e vizitorëve ka ndryshuar edhe atmosfera në qytet. Istiklal është bërë rrugë me tabela në arabisht, nëpër të cilën shëtisin turistët nga Lindja e Afërt, të cilët vijnë në Stamboll për të mbjellë flokët.

Ndonëse po tkurret, Beyog­lu ende është qendra e qarqeve kulturore. Këtu kalon marshi i homoseksualëve, të cilin shteti përpiqet ta pengojë. Këtu më 8 mars shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave. Këtu qe 23 vite, çdo javë, vijnë nënat e së shtunës, fëmijët e të cilave i ka zhdukur shteti. Edhe protestat e Gezit, kryengritja deri më tani më e madhe kundër Erdoanit, filluan në Beyoglu. Për këto arsye Beyoglu është halë në sy të Erdoanit. Ngaherë po ushtrohet presion dhe dhunë, tani Erdoan i kërcënoi të padëshirueshmit e tij me dëbim: «Për aq kohë sa njerëzit periferikë, të cilët i shohim duke u shfaqur herë pas herë në rrugicat e Beyoglu, sillen mirë, ata mund të mbesin një ngjyrë e këtij vendi. Por nëse u shkon mendja të ushtrojnë presion, të bëhen të padurueshëm ndaj njerëzve, të cilët janë ndryshe nga ata, të ngrenë krye apo të përdorin dhunë, më vjen keq, por atëherë do t’i kapim për veshi dhe do t’i përzëmë atje ku e kanë vendin».

Në një fjalim para anëtarëve të partisë Erdoan goditi edhe një grup studentësh të Universitetit të Bosforit, të cilët protestuan kundër ofensivës së Afrinit: «Po ndërmarrim gjithçka sa i përket këtyre komunistëve të rinj, tradhtarëve dhe terroristëve. Nuk do t’u japim të drejtë të studiojnë në këtë universitet». Ditën tjetër policia zbatoi urdhrin. Ndërsa në shumë vende po shënohet 200 vjetori i lindjes së Karl Marksit, pesëmbdhjetë të rinj të «Bashkësisë Ideore Marksiste» u arrestuan herët në mëngjes në banesat e tyre. Tani ata ndajnë fatin e qindra akademikëve të tjerë.

Kush nuk ka qenë pjesë e «listave të terroristëve» të përpiluara nga Erdoani? Jo vetëm gazetarët si Deniz Yucel dhe Ahmet Shik apo shkencëtarë, të cilët kanë nënshkruar një peticion për paqe. Edhe ata që gjatë referendumit deshën të votojnë kundër, presidenti i ka quajtur «terroristë». 48,8 për qind kanë votuar kundër. Në listë u futën edhe njerëz, të cilët përballë fundosjes së lirës turke paratë e tyre i shkëmbyen në deviza. «Mes një terroristi me armë në dorë dhe njërit me deviza nuk ka dallim», tha Erdoan. Nga shifrat zyrtare të publikuara së fundi shihet se përkundër këtyre kërcënimeve gjysma e kursimeve bankare përbëhet nga devizat. Deri më tani gjysma e popullsisë llogaritet si pjesë e «terrorizmit». Të presim se kush do të futet ende në këtë listë prej 40 milionë njerëzish.

Nga Bulent Mumay, përgatiti Dialogplus.ch



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *