• |
ide | kryesore

Gazetari: Përplasja mes klaneve kriminale largoi kryeprokurorin e Elbasanit

Lajme, Të fundit



Dorëheqja (për arsye personale) e drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit, Ardjan Nezha i komanduar atje nga Arta Marku nuk ka qenë një histori kaq rozë. Gazetari Artan Hoxha tha në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, se Nezha nuk ka dhënë dorëheqjen, por është larguar nga detyra, për shkak se guxoi të vërë dorën “në plagët” e qytetit. Ai thotë se prokurori “i persekutuar” nga Adriatik Llalla nisi të hapë dosje të bujshme të klaneve kriminale në qytet.

“Ai ka hetuar disa çështje të rëndësishme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe është një nga njerëzit që “u internua” nga Llalla në Pukë. Që kur u vendos në Elbasan e deri më sot kemi pasur hetime të shumta nga kjo prokurori. Ai rihapi një pjesë të dosjeve të vjetra të rëndësishme të grupeve kriminale, ato grupe që kontrollonin trafikun e heroinës, që vjen nga Maqedonia e Greqia e përfundon në portin e Durrësit, por që destinacionin e vet ka Elbasanin.

Ai rihapi dhe u hoqi pluhurin dosjeve të bllokuara. Arrestimet më të rëndësishme sot në Shqipëri, që nga drejtorët e rrugëve, që kanë kaluar nëpër duar qindra miliona euro, sot janë të arrestuar falë ndryshimeve në Prokurorinë e Elbasanit” – tha Hoxha.

Por çfarë ndodhi me prokurorin Nezha?

“Nuk është e vërtetë ajo që thuhet. Atë “e kanë dorëhequr”, nuk është dorëhequr. Di që është kthyer në kryeqytet. Nuk e di nëse kjo ka ndodhur për shkak të kërcënimeve apo trysnisë. Në dijeninë time lëvizja e tij është bërë për shkak të hetimeve që po kryente në Elbasan. Kishte bërë hetime për 30 kampione ADN-je, që u janë marrë personave të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale, ose familjarëve të tyre.

Tjetër veprim, ndryshe nga lista e paraardhësit ka rihapur çështjet e vjetra që kanë të bëjnë me klanet e këtij qyteti. Ne kemi folur për klanin “Çela”, por në dijeninë time është dërguar letërporosi për një grup tjetër të njohur, klani “Çapja”.

Nga prokuroria e Elbasanit u është dërguar letërporosi autoriteteve italiane, britanike dhe vendeve të ulëta ku dyshohet se pjesëtarë të këtij grupi kanë trafikuar sasi të mëdha të lëndëve narkotike. Në momentin që gjendet një dënim nga jashtë prokurorisë tonë i lind e drejta t’i sekuestrojnë asetet e këtyre grupeve” – tha Hoxha. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *