Policia e Fierit ka bërë identifikimin e tre viktimave të aksidentit tragjik në fshatin Varibop. Një makinë me tre persona, që kishin qenë në një dasëm, u aksidentuan rrugës së kthimit për në shtëpi në fshatin Kutë të Mallakastrës. Shoferi 32-vjeçar Fisnik Murataj humbi jetën, ashtu sikurse dhe i kusheriri i tij Agustin Murataj 30 vjeç.
Me ata në makinë, e veshur me fustanin festiv të dasmës, ishte edhe një shtetase e huaj franceze. 34-vjeçarja Noza Ahmout, e cila jetonte në Greqi. Shtetasja e huaj dyshohet të ishte e fejuara e Fisnik Murataj, e po ashtu mësohet se automjeti ishte në pronësi të saj.
Aksidenti ndodhi rreth orës 08:10, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në fshatin Varibop, ku makina tip “Suzuki” me targa IHZ 1755 ra në kanalin me ujë në anë të rrugës. Policia thotë se grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.