• |
ide | kryesore

Apologjia e Mark Zuckenberg/ Gjigandi i Facebook i frikësuar para senatorëve

Kryesore

Jashtë ndërtesës së senatit amerikan dhjetëra pankartat e protestuesve e vizatonin Mark Zuckerberg, shefin ekzekutiv të Facebook, veshur me bluzën e tij të zakonshme ku shkruhej “Fix fakebook”, një lojë fjalësh për përgjegjësitë që i duhet të mbajë 33 vjeçari pas skandalit të Cambridge Analytica.


Brenda godinës, Zuckenberg u shfaq para senatorëve dhe trupës gjyqësore i veshur me kostum dhe kollare, ashtu siç është në të vërtetë: lideri bilioner i një prej sipërmarrjeve më të fuqishme në botë.

Të dyja palët, si demokratët ashtu dhe republikanët e sulmuan Facebook, për dështimin në mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve, për faktin që nuk i ndali dot ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, duke ngritur dilemën nëse duhet rritur kontrolli ligjor mbi Facebook në të ardhmen.

Ashtu siç pritej, 33 vjeçari erdhi i përgatitur për pyetjet e vështira. U përgjigj në mënyrë direkte dhe i sigurtë në ato që thoshte. Një performancë e transmetuar nga mediat më të mëdha të botës, që ndikoi direkt në aksionet e Facebook në bursa. Ditën e kaluar Facebook e mbylli me një rritje prej 4.5%.

Zuckenberg u detyrua të pranojë gabimet dhe të marrë përgjegjësitë për veprimet e kompanisë së tij- të njëjtën gjë kanë bërë drejtues të tjerë të korporatave si ato të duhanit, farmaceutiket, apo drejtues të bankave kur janë thirrur në ëashington.

“Mendoj se është e pamundur, besoj, që ta krijosh një kompani nga dhoma jote e gjumit dhe ta rrisësh, të bëhet aq e madhe sa ç’është sot, pa bërë asnjë gabim” ishte justifikimi i Zuckenberg.

Ishte senatori demokrat, Riçard Darbin, që qëlloi në shenjë me pyetjen e tij direkte, kur kërkoi të dijë se në çfarë hoteli fjeti Zuckenberg një natë më parë. Ose kur pyeti, nëse do të ndjehej mirë shefi i Facebook t’i tregonte të gjithë të pranishmëve në sallë emrat e njerëzve me të cilët shkembeu mesazhe javën e fundit.

“Jo! Me shumë mundësi nuk do ta thoja publikisht këtë informacion” tha Zuckenberg.

“E pra, për këtë po flasim sot” i tha senatori Durbin. “E drejta për privatësi. Kufiri i të drejtës për të pasur privatësi. Dhe sa informacion shpërndan ti në Amerikën moderne në emër të asaj që thua, po të citoj, “të lidhësh njerëzit kudo nëpër botë”.

Facebook është kritikuar së fundmi për të dhënat që përdori Cambridge Analytica dhe për reagimin e dobët që pati ndaj skandalit. Pak kohë më parë nisi fushata #DeleteFacebook që u pasua me rënien e aksioneve të kompanisë për gati 15%.

“Mos ndoshta jeni rritur shumë?” ishte pyetja e senatorit republikan Dan Salivan, para se të propozonte se Facebook kishte nevojë të frenohej, në një mënyrë apo tjetër për ta mbrojtur, edhe nga vetvetja.

Një senatore tjetër republikane, Lindsey Graham ngulmoi në idenë e saj se Facebook ishte një monopol duke kontestuar tezën se “Facebook duhet lënë të vetërregullohet”

Nga ana tjetër Zuckenberg tha se mirëpriste çdo nismë ligjore, për sa kohë kjo do të ishte “nisma e duhur ligjore”.

Përgjigjet lanë të pakënaqur disa prej senatorëve, që në fund të dëgjesës ngulmuan se “vetërregullimi nuk është përgjigjia e duhur, kur sheh abuzimet që bëhen me të dhënat personale në Facebook”.

Riçard Blumental i tha gazetarëve se “Duhet të ketë një ligj. Nëse nuk ka ligj, modeli i tyre i biznesit do të vazhdojë të rrisë fitimet në kurriz të privatësisë së përdoruesve të njerëzve”

Dalja e Zuckenberg përpara 40 senatorëve erdhi pas javësh përgatitjeje nga shefi i Facebook, që duket se ia doli të ketë një rezultat të kënaqshëm. Përgjigjet ishin të qeta dhe Zuckenberg u shfaq i përgatitur. Në disa raste, ai bëri humor bashkë me senatorët, kërkoi të vazhdonte me përgjigjet kur i propozuan të bënte pushim, duke shkaktuar të qeshura tek stafi i ngushtë që e asistoi në dëgjesë.

Gjithsesi kur u çua nga karrigia e tij, Zuckenberg harroi në tryezë shënimet e tij që u fotografuan menjëherë. Aty kishte shkruar pikat kryesore të diskutimit përfshirë “Mbro Facebook”, “Përmbajtje shqetësuese” dhe “Integriteti i zgjedhjeve”

Zuckenberg pranoi në dëgjesë se pikëpamjet idealiste që ai kishte për botën kishin vënë në rrezik 2.2 bilion përdorues të Facebook.

Mes tyre: Facebook nuk ia doli të parandalojë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale, një moment që Zuckenberg e quajti “një nga keqardhjet e mia më të mëdha”
Zuckenberg gjithsesi u tregua i kujdesshëm kur iu kërkua të flasë për kompaninë, dhe qasjen për ligjet e reja.

Facebook, sipas tij është përgjegjës për përmbajtjen e materialeve në rrjetet sociale, por në fund të fundit ishte thjesht një kompani teknologjike dhe jo një botues.

“Jam dakort që ne jemi përgjegjës për përmbajtjen në rrjet, por nuk jemi ne që e prodhojmë atë” u shpreh Zuckenberg.

Disa pyetje të vështira erdhën nga senatorja Kamala Harris që kërkoi të dijë nëse Facebook mori vendim të mos informojë përdoruesit, për të dhënat e vjedhura nga Cambridge Analytica.
Zuckenberg nuk pranoi e kishte një vendim për këtë çështje, por tha se përdoruesit nuk u informuan që të dhënat e tyre ishin vjedhur dhe ky ishte një gabim.

Tema dominuese në dëgjesë ishte dilema se si duhet të përballesh me këtë gjigand, kompleks teknologjie që edhe vetë krijuesit e tij e kanë të vështirë t’i japin një përcaktim të saktë.

Kishte raste kur ligjvënësit amerikanë- shumë prej të cilëve janë rritur në një kohë kur rrjetet sociale nuk ekzistonin- u përpoqën të kuptonin të gjitha nuancat e modelit të biznesit që përfaqëson Facebook, si për shembull ndryshimi mes shitjes së të dhënave për reklamuesit dhe lejimi i reklamuesve për të shpërndarë mesazhe promocionale mbi një grup të caktuar përdoruesish.

Në një moment, Zuckenberg hodhi poshtë për të disatën herë një mit, sipas të cilit Facebook praktikisht i përgjon përdoruesit, i dëgjon nëpërmjet mikrofonit të celularit dhe në bazë të bisedave servir reklamat.

Zuckenberg ishte stërvitur për disa javë për pyetjet e senatorëve nga një grup ekspertësh. Qëndroi i qetë dhe kur pyetjet ishin vërtet të forta përsëriti formulën e gatshme se “skuadra ime do të ndjekë këtë çështje dhe do të përgjigjem sapo të kem informacion”.

Në fund të seancës, mesazhi i ligjvënësve amerikanë ishte i qartë: Nëse nuk do ligje të forta që të parashikojnë masa të renda ndëshkuese, Facebook duhet t’i japë fund shfajësimeve, të marrë në dorë situatën dhe të bëjë një ndryshim.

“Kjo ngjarje na ka dëmtuar” tha Zuckenberg “Na duhet të punojmë shumë për të rikthyer besimin e humbur”‘.

1 Comment

  1. E paskan sulmuar Facebook-un nder te tjera dhe se “nuk ndali dot nderhyrjen ruse ne zgjedhjet amerikane”!
    Kjo i shpjegon te gjitha, akoma vazhdon kjo komedi me “nderhyrje ruse” sa here qe gjeran nuk shkojne sipas hullise sorosiane! Por c’fare jane amerikanet apo europianet dele qe u ndikokan neper zgjedhje nga nderhyrjet e Rusise? Pse kur behen zgjedhjet ne Rusi u tund mbare perendimi kunder Putin, por askush ne Rusi nuk e paditi per nderhyrje? Pse kjo nderhyrje u quaka e tille vetem kur e perdor Rusia, kurse perendimi e paska te ligjshme te beje thirrje hapur ne prag zgjedhjesh kunder Putinit, Orbanit, Zemanit, Salvinit, Le Penn-it etj etj?
    Kjo propagande bajate ne shqiptareve na kujton kohen e komunizmit kur per gjithcka fajesohej armiku i jashtem imperialisto-revizionist qe na pengonte “te shkonim ne socializem”!
    Dhe propaganda perendimore sot vuan po nga ajo semundje, kerkon qe deshtimet e veta ti fshehe pas nje “nderhyrje te Rusise”, qe natyrisht nuk mjafton per te bindur njeri. Ashtu si nuk bindi propaganda komuniste me gogolin e “armikut te jashtem”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu