• |
ide | kryesore

VIDEO/ SHBA dhe aleatët nisin sulmin me raketa ndaj Sirisë

Kryesore, Lajme



Pas paralajmërimit të presidentit Trump, se do të marrë një vendim mbi Sirinë, pritja ka marrë fund tashmë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur ofensivën ndaj Sirisë, para pak minutash.
Në mbështetje të SHBA-ve janë rreshtuar edhe Britania e Madhe me Francën, të cilat po marrin pjesë në këtë ofensivë, ndërsa Theresa May e konfirmoi edhe zyrtarisht praninë e flotës britanike në sulmin ndaj Sirisë.

Vetë presidenti Trump lajmëroi se ka urdhëruar një sulm ajror me goditje precize, për të mos dëmtuar qytetarët sirianë, ndërsa besohet se kjo do të jetë ofensiva më e madhe e aleatëve, kundër regjimit të Assadit. “Një operacion i kombinuar me forcat e armatosura të Francës dhe Britanisë së Madhe, është duke u zhvilluar tani”, – deklaroi presidenti Trump para pak minutash.

Objektivi i raketave të aleatëve për momentin janë vetëm bazat ku dyshohet se regjimi i Assadit ruan armët kimike, ndërsa raportohet se shpërthimet janë ndjerë edhe pranë Damaskut.
Ky sulm vjen vetëm disa ditë pasi SHBA-të akuzuan Sirinë për përdorim të armëve kimike në qytetin e Doumës, ndërsa ende pritet me interes reagimi i Rusisë, që kërcënoi me luftë, nëse sulmohet Siria.

Ndërkohë, për këtë sulm ka reaguar edhe Rusia. Sipas mediave ruse, shumica e raketave të hedhura në Siri nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Franca u interceptuan nga sistemet siriane të mbrojtjes ajrore, bëhet me dije të jetë shprehur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore nuk ishin përfshirë në aksion kundër sulmit. Avionët luftarakë dhe anijet e SHBA dhe aleatëve të saj nisën mbi 100 raketa të lundrimit dhe raketa ajrore në objektet civile dhe ushtarake siriane, tha ministria.

Po ashtu, pas sulmit në Siri, ku Franca iu bashkua aleatëve të saj SHBA-ve dhe Britanisë, vjen reagimi nga Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian. Përmes një deklarate për shtyp ministri tha se sulmet ishin “të ligjshme”, “proporcionale” dhe “të precizuara”.

Ndërkohë ministrja e Mbrojtjes, Florence Parly tha se një flotë e marinës franceze në Mesdhe dhe avionë luftarakë nga bazat në Francë ishin ato që vunë në shënjestër qendrën kryesore kërkimore të armëve kimike në Siri, shkruan Reuters.

Mes të tjerash Florence Parly pohoi se Franca nuk do donte konfrontim dhe përshkallëzim të situatës, duke shtuar se Rusia ishte paralajmëruar për sulmin.
Ndryshe nga Franca, qëndrimi i Iranit ka qenë diametralisht i kundërt. “SHBA dhe aleatët e saj nuk kanë prova për sulmin me armë kimike që ndodhi në Siri. Ndaj janë përgjegjës për pasojat që do ketë në rajon, ndërsa sulmi erdhi pa pritur inspektorët e OPAC që të merrnin një qëndrim”. – deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghasemi.







Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *