• |
ide | kryesore

Ish-drejtori i FBI-së, Comey: Trump i papërshtatshëm për të drejtuar SHBA

F1, Planet



Ish-drejtori i FBI-së, James Comey dha një intervistë të dielën, në të cilën ai e quajti Donald Trump-in “moralisht të papërshtatshëm për të qenë president” dhe një gënjështar që me shumë mundësi ka penguar drejtësinë.

Comey, në një intervistë për ABC News, foli për shumë prej skandaleve që kanë prekur administratën Trump gjatë 16 muajve të fundit, duke përfshirë dosjen e Rusisë dhe akuzat për sjellje të pahijshme seksuale të presidentit.

“Një person që sheh ekuivalencë morale në Charlottesville (protesta raciste), i cili flet dhe i trajton gratë si copa mishi, i cili gënjen vazhdimisht për çështje të mëdha ose të vogla dhe insiston që populli amerikan t’a besojë, ky lloj personi është i papërshtatshëm moralisht për të qenë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – u shpreh Comey.

Pikat kryesore nga intervista përfshijnë:

– Trump mund të preket nga shantazhi rus. “Mendoj se është e mundur. Nuk e di. Këto janë fjalë të cilat kurrë nuk kam menduar se do ti them për një president amerikan, por është e mundur”.

– Presidenti “i trajton gratë si copa mishi”.

– Lidhur me kërkesën e Trump ndaj Comeyt për të ndaluar hetimin ndaj ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, kjo është “sigurisht një provë e pengimit të drejtësisë”.

– Comey tha se Trump ka “një inteligjencë mbi mesataren, dhe është i aftë të ndjekë bisedat dhe të dijë se çfarë po ndodh”.

“Unë nuk mendoj se ai është i papërshtatshëm nga ana shëndetësore për të qenë president. Unë mendoj se ai është moralisht i papërshtatshëm për të qenë president”.

– Comey u shpreh se Trump “do të njollosë të gjithë njerëzit pranë tij. Pyetja është, deri sa do t’i njollosë”.

– Trump u fiksua që të hidhte poshtë pretendimet se ai pagoi disa prostituta për të urinuar në shtrat në një dhomë hoteli në Moskë. Comey u shpreh: “A të dukem si një djalë që ka nevojë për prostituta?” 

Kjo intervistë vjen vetëm disa ditë para daljes në shitje të librit të tij shumë të përfolur, “A Higher Loyalty: Truth, Lies, and Leadership” (Një Besnikëri më e Madhe: Të vërteta, Gënjeshtra, dhe Udhëheqje). 200 mijë kopje të këtij libri janë prenotuar që tani.

Në vazhdim të intervistës, Comey duket se nuk ka fare simpati për njeriun që e shkarkoi atë muajin e kaluar.

“Sfida e këtij presidenti është se ai do të njollosë çdo person rreth tij. Pyetja është sa do t’i njollosë. Dhe sa duhet të jesh njollosur për të qenë përfundimisht i pamundur për t’i shërbyer vendit tënd”.

Megjithatë, ish-drejtori i FBI-së u shpreh se ai do të vazhdonte të punonte për qeverinë nëse nuk do të ishte shkarkuar. “Unë u frikësova. Do të ishta një drejtor i pakënaqur i FBI-së, por në një farë mënyre krenar për organizatën dhe rolin tim në përpjekjen për ta mbrojtur atë”.

Comey gjithashtu kujtoi bisedën e tij me Trump, ku ai tha se presidenti i kërkoi që të ndalonte një hetim mbi këshilltarin e atëhershëm të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn. Trump është shprehur se ky është një pretendim i pavërtetë i Comeyt. Trump gjithashtu kërcënoi me publikimin e regjistrimeve të bisedës mes tij dhe Comeyt, për të provuar se nuk ka kërkuar nga ish-shefi i FBI-së të ndalonte ndonjë hetim.

Comey përsëriti se ai shpresonte se regjistrime të tilla ekzistonin. Ai u shpreh se natyra e fshehtë e takimit mund të nënkuptojë se Trump e dinte që po kundërshtonte konventën me një kërkesë të tillë.

“Nëse ai nuk e dinte se po bënte diçka të pahijshme, pse i përjashtoi Kryeprokurorin, zv.presidentin e SHBA-ve dhe drejtuesit e agjencive të inteligjencës nga takimi. Dua të them, pse isha vetëm unë aty?

Do të isha një person i çmendur nëse po e sajoja të gjithë këtë ngjarje” – u shpreh James Comey.

Ish-drejtori i FBI-së u pyet nëse besonte se presidenti ka penguar drejtësinë. Ai u përgjigj: “Ndoshta”.

“Dua të them, sigurisht që është një provë e pengimit të drejtësisë. Do të varet nga gjëra të tjera që reflektojnë qëllimin e tij. Unë nuk jam hetues ose prokuror në këtë rast, jam vetëm një dëshmitar”.

Ndër temat më spekulative që u diskutuan në intervistë, ishte dosja famëkeqe “Steele”, që u hartua nga një ish-spiun britanik, ku pretendohet se ekzistojnë filmime të Trump që sheh prostituta që urinojnë, në një suitë të një hoteli në Moskë. Comey e informoi Trump-in lidhur me këto akuza privatisht disa herë, dhe ai shkruan në librin e tij se Trump ishte i fiksuar të mos i pranonte ato.

Të dielën, Comey u shpreh se nuk ishte i sigurt nëse thashethemet ishin të vërteta, por theksoi se presidenti mund të jetë i shantazhueshëm nga qeveria ruse.

“Unë sinqerisht kurrë nuk kam menduar se do të thoja këto fjalë, por nuk e di nëse presidenti i SHBA-ve ishte me prostituta që urinonin mbi njëra tjetrën, në Moskë, në vitin 2013. Është e mundur, por nuk e di” – u shpreh Comey.

Intervista u pasua nga reagime të menjëhershme nga udhëheqja republikane.

“Turneu i publicitetit të James Comey riafirmon se besnikëria e tij e vërtetë është vetëm me veten e tij” – u shpreh Ronna McDaniel, kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan.

“E vetmja gjë më e keqe se historia e sjelljes së keqe të Comey është gatishmëria e tij për të thënë gjithçka që të shesë librin e tij sa më shumë. Ai nuk është i besueshëm dhe presidenti Trump pati të drejtë kur dëgjoi thirrjet nga të dyja partitë, që t’a pushonte Comeyn nga puna” – u shpreh republikanja Ronna McDaniel. (përktheu lapsi.al)

Trump iu përgjigj mënjehërë Comeyt në Twitter. Ai e quajti Comeyn një “gënjështar të rrezikshëm” dhe u shpreh se ai duhet të burgoset për veprimet e tij në krye të FBI-së. Zëdhënësja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders u shpreh më vonë se Comey “do të njihet gjithmonë si një i turpëruar që theu besimin e tij të shenjtë me presidentin e Shteteve të Bashkuara”.

Trump vazhdoi me sulmet në Twitter të dielën, duke e akuzuar ish-shefin e FBI-së se vetëm flet gënjeshtra dhe parashikoi se Comey do të hynte në histori si “drejtori më i keq i FBI-së”.

Comey iu përgjigj sulmeve të Trump duke thënë se libri i tij ishte për “lidershipin etik dhe që nxjerr në pah histori nga jeta ime dhe leksione që mora nga të tjerët.”

Comey vazhdoi: “Në librin tim janë 3 presidentë: 2 ndihmojnë të ilustrojnë vlerat në zemër të udhëheqjes etike, ndërsa 1 shërben për të ilustruar të kundërtën.

Unë shpresoj që njerëzit t’a lexojnë të gjithë librin dhe ai të jetë i dobishëm për ta”.

Huffington Post, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *