• |
ide | kryesore

Kulisat/ Pse diplomatët amerikanë i janë qepur me bukë në trastë Tom Doshit?

Arkiva, Kryesore



Vendimi i sotëm i Departamentit të Shtetit për të mos lejuar hyrjen në SHBA të Tom Doshit dhe familjes së tij, nuk përbën një risi. Ai është pjesë e një historie jo të shkurtër mes deputetit shqiptar dhe diplomatëve amerikanë. Ai shpërtheu me gjithë fuqinë e tij pas skandalit Meta- Doshi dhe përjashtimit të këtij të fundit nga radhët e PS-së.

Selia e rrugës së Elbasanit deklaroi në faqen e saj në Facebook se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Tom Doshin, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale”.

Sikur të mos mjaftonte ky njoftim i fortë ambasada nuk u mjaftua me kaq.

Lexo më tej:

Tom Doshit dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA

Tom Doshi sfidon SHBA: Më vërtetoni që jam i korruptuar

I pyetur nga Tv Klan nëse kishte prova kur e cilëson deputetin Doshi si të përfshirë në veprimtari kriminale, një zëdhënës i Ambasadës tha se këto shqetësime janë ngritur prej vitesh. Ndërsa pyetjes se përse nuk ia kanë dorëzuar qeverisë shqiptare këto prova, zyrtari i Ambasadës iu përgjigj duke thënë se i kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me Doshin pranë autoriteteve shqiptare. Po nga i njëjti burim u shqiptua edhe reagimi se ata as nuk do ta pranonin video- faktin e ofruar nga Doshi, për mënyrën se si ishte ideuar vrasja e tij.

Lapsi.al qysh më parë ka bërë një investigim të marrëdhënieve të koklavitura të deputetit të Shkodrës me ambasadën amerikane. Ato nisin herët, që në marsin e vitit 2008, kur nga ambasadori Uidhers, Doshi fshikullohet me emër dhe mbiemër. Atëherë Toma ishte prej më shumë se një viti e gjysmë deputet. Ishte zgjedhur në vitin 2005 në zonën 7 të Velipojës me siglën e Partisë Socialiste. Por nuk kaloi as një vit dhe ai e kishte braktisur grupin e majtë për t’u vetëshpallur demokristian, sipas traditave të familjes së tij. Përpos traditave të familjes do te ishte dhe interesi vetiak që do e shndërronte Doshin në demokristian. Partia e atëhershme e Nard Ndokës do të merrte nga Berisha, ministrinë e Shëndetësisë, pikërisht atë që do t’i lihej në mbikëqyrje edhe nga Edi Rama 7 vite më pas.

Pikërisht në atë kohë, një gazetar i rrjetit ballkanik BIRN, Besar Likmeta, po investigonte për një shkrim për deputetët e Parlamentit që mbanin diploma fallco. Ai la takim për këtë temë në 2 mars të vitit 2008 në barin e hotelit Sheraton edhe me Tomë Doshin. Në vend që të merrte të dhënat që i duheshin, Likmeta u dhunua fizikisht dhe u godit nga vetë Doshi.

Menjëherë për këtë çështje u mobilizua ambasadori amerikan Uidhers, i cili e bëri të madhe edhe pranë ish kryeministrit Berisha, aktin vandal të këtij deputeti të së djathtës. Ky akt do të zinte vend edhe në raportin e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut. Raporti e etiketonte atë si një rast tipik të dhunës ndaj mediave. Tom Doshi ishte shënuar me rreth të kuq nga amerikanët.

Se ç’mendonin vërtet ata për të, do të kuptohej pas skandalit të Uikiliks-it dhe zbulimit të kabllogrameve të famshëm të nisur nga ambasada e Tiranës në drejtim të Uashingtonit. Në një raport të saj pas zgjedhjeve të vitit 2009, Ambasada thotë se dhe Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 2009-s ka disa trafikantë droge si dhe të përfshirë në pastrim parash, një pjesë e të cilëve janë të trashëguar edhe nga Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2005. Ambasada Amerikane e nis renditjen e deputetëve të lidhur me krimin me Tom Doshin nga PS për të cilin shkruhet: “Ai është deputet i Shkodrës nga PS. I njohur si më i pasuri nga deputetët e Kuvendit me një pasuri të deklaruar prej 15 milionë dollarësh. I dyshuar për trafik lëndësh narkotike”.

Po në një kabllogram tjetër, të shkruar në të njëjtën linjë, ambasadori u referohet dëshmive të deputetit socialist Ben Blushi. Kabllogrami është shkruar nga Uidhers në 28 korrik 2009, pra menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të kontestuara nga socialistët. Ishte koha kur Doshi ishte rikthyer në PS dhe kur Rama pati deklaruar se po të humbte zgjedhjet do të largohej. Ja ç‘thotë kabllogrami: “Blushi u ankua për kandidatët “rrugaçë” e “truproja”, si për shembull Tom Doshi nga Shkodra dhe të tjerë të diskutueshëm në Lezhë apo zona të tjera, për të cilët Rama kishte vendosur pa marrë mendimin e të tjerëve. Ai tha se PS-ja nuk mund të tolerojë tipa të tillë që po e çojnë atë 20 vjet prapa. Sipas tij, Doshi i kishte thënë Ramës se nuk mund të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit, pasi Doshi kishte investuar 500,000 euro për zgjedhjen në Shkodër dhe i donte paratë mbrapsht. Blushi tha se paratë ishin shpenzuar më kot”.

Ky pra është, në fillim të vitit 2009, qëndrimi që amerikanët kanë për deputetin Doshi. Ai do të nxihet edhe më shumë pas radikalizmit të PS-së dhe tentativave të dhunshme për të shkaktuar trazira në 21 janar. Fillimisht diplomatët amerikanë, që vunë shenjën e barazimit mes protestuesve dhe vrasësve, e akuzonin në biseda informale Doshin si njeriun që kishte paguar dhe nxitur grupet e gatshme të dhunës. Shumë deputetë socialistë, kundërshtarë të Ramës, ishin ankuar në selinë e rrugës së Elbasanit se Doshi i kishte kërcënuar fizikisht për qëndrimet politike anti Ramë që ata mbanin. Në arkivat e Ambasadës ishte arkivuar edhe rasti i kërcënimit me armë në një mbledhje të Grupit Parlamentar, që Doshi i kishte bërë deputetit kokëshkretë Taulant Dedja.

Lexo më tej:

Tom Doshi pranon rikthimin tek miqësia me Edi Ramën

Për të gjitha këto fakte, Doshi ishte futur në listën e zezë të amerikanëve dhe më shumë se një zyrtar i këtij shteti i ka kërkuar në mënyrë eksplicite Edi Ramës të ndahej nga “shoku i tij i ngushtë”. Madje në atë kohë përflitej edhe fakti se, ashtu si dikur Gramoz Ruçi, edhe Doshi gjendej në një listë jo zyrtare të personave që nuk merrnin vizë për në SHBA.

Por ndërrimi i pushtetit në 23 qershor 2013, e ndryshoi përkohësisht faqen e historisë edhe për Tom Doshin. Me lidhje okulte dhe ftesa të dyshimta, ai arriti ta marrë vizën për në SHBA, të takojë kongresmenë, madje, sipas mediave pranë tij, të arrijë të vizitojë edhe Shtëpinë e Bardhë.

Ja ç’shkruante në 30 tetor 2013 Gazeta Shqiptare: “Deputeti socialist, Tom Doshi mori dje vizë njëvjeçare amerikane. Ishin pikërisht kabllogramet e të famshmit Uikileaks, të cilat ngjallën gati dy vjet më parë debate për disa nga politikanët që “janë të lidhur me krimin e organizuar”. Ndaj edhe emri i deputetit të PS-së u lakua në atë kohë si një prej tyre, bashkë me emra të tjerë. Madje nga zyrtarë të Partisë Demokratike u tha se pikërisht për shkak të këtyre informacioneve, atij i ishte refuzuar viza amerikane dhe nuk lejohej të shkonte në SHBA. Por dje, deputeti ka marrë vizën e shtetit më të madh dhe jo pak, por një vizë njëvjeçare me shumë hyrje- dalje, duke hedhur poshtë zërat për një refuzim të Amerikës ndaj tij. I kontaktuar nga Gazeta Shqiptare, Doshi pohoi marrjen e vizës amerikane dhe tha se: “Mua nuk më është refuzuar asnjëherë viza amerikane. Është hera e parë që aplikoj dhe e mora njëvjeçare me shumë hyrje dalje”.

Faktet pse u fut Tom Doshi në listën e zezë të SHBA'së
Dhe vërtet Doshi udhëtoi drejt Amerikës, udhëtim nga i cili ai postoi edhe një foto me kongresmeni Eliot Engell (lart). Por ajo që çuditi më shumë, ishte fakti se ai arriti të ketë edhe një intervistë në Uashington në Zërin e Amerikës, një media që është gjithnjë në të njëjtën linjë me qëndrimet e qeverisë amerikane. Dhe për më tepër se kaq, ai bëri edhe një deklaratë të fortë. Ishte koha kur në vend kishin plasur protestat kundër armëve kimike dhe Tom Doshi bëri thirrje për t’i pranuar ato në Shqipëri.

Deputeti i fortë, që dikur kishte çuditur shumëkënd duke qenë i vetmi në sallë që nuk kishte duartrokitur fjalimin e Hillari Klintonit në Parlamentin Shqiptar, tani po shndërrohej në proamerikan. Kur u kthye në Shqipëri, Doshi shkroi në faqen e tij në Facebook se elektorati i tij në Shkodër duhej të ndihej krenar për këtë vizitë. Dhe kështu, për disa kohë u duk se faqja e errët e Doshit pranë amerikanëve ishte fshirë, se emri i tij ishte hequr nga lista e zezë. Deri sa ndodhi përplasja në PS, që tregoi edhe njëherë se në Uashington mund të vonojnë, por nuk harrojnë.

Kjo thënie u vërtetua edhe tani kur Zëri i Amerikës shpalli lajmin se Tom Doshit dhe familjarëve të tij i është ndaluar hyrja në SHBA.

©Lapsi.al



10 Comments

  1. Diplomatet amerikane i qenkan qepur Tom Doshit? Ku i bie mendja atje ne Dep.Shtetit se ka nje cop malok deputet ne Shqiperi qe paska bere korrupsion apo jo! Keto jane egzibicionet e Donald Lu-se! Per ti krijuar nje garniture emrash perreth A. Llalles, fut dhe emrin e Tomes!
    Ne se vertet Amerika do kish teleskopin ne politiken shqiptare ahere do ishte Saimir Tahiri i pari qe do ti ndalej hyrja atje. Por sa kohe qe administrata e re Trump ka 1001 halle e probleme tjera, listen e personave qe nuk duhet hyjne ne Amerike e perpilon Lu (sipas shijes tij, por dhe sipas oreksit natyrisht).

  2. Sa te lezecem qe jane jenkit, per keto e rendesishme eshte qe leket t pastrohen me Usa me firma mermeri, fshatra ose kokplekse banimi ne Konektikat apo tjeter kund, ik mer Lu se tu corr maska dhe ty

  3. mut rama mut lu edhe ma mut negjmije ps.me komunist kinez si lu,jkomunist serbo jugosllav si majko,milo,braqe,dokle,ruqi,vllahutin jo shtet por as qenef nuk ben.

  4. Po Toma ! Eshte njishi me nipat ne Amsterdam! Gjithe europen e ka mbushe me byrek! Ate e dine ai shume mire ! Prandaj dhe rama eshte I kape prej toma !

  5. E po mire toma iken ne Australi.
    Kurse ruci iken ne Amerike.
    O fshataret e amerikes pranojeni edhe tomen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *