• |
ide | kryesore

Fatmir Xhafaj mes forcës së ligjit dhe forcës së propagandës

Kryesore, Lajme



Prej mesit të muajit prill po shohim shfaqjen teatrale të radhës nga qeveria. Skenari dhe regjia janë të Edi Ramës, ndërsa udhëheqësi i shfaqjes është ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. ‘Forum qytetar për sigurinë publike’ quhet fushata e cila nisi një javë më parë në qytetin e Elbasanit dhe do të vijojë në çdo qark të vendit. Në panel shfaqet në çdo rast Ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardian Veliu,  drejtori i policisë sipas qarkut dhe përfaqësues të qeverisjes vendore. Audienca përbëhet shpesh nga nëpunës të administratës, të nxjerrë aty nën presion, por edhe nga qytetarë të zakonshëm të shtyrë mbase nga kureshtja.

Në çdo rast flet ministri për rreth 30-45 minuta. Herë kërkon ndjesë për gabimet e së shkuarës, herë pranon dështimin e qeverisë me rendin dhe sigurinë publike, si dhe në disa raste shfaqet kërcënues. Në Elbasan fjala vjen, u përbetua se do ‘t’u nxinte jetën kriminelëve’, ndonëse ky zotim i tij zhvlerësohej për aq kohë sa në krah të ministrit qëndronte Qazim Sejdini, kryebashkiaku i akuzuar si ‘kumbari’ i lidhjeve politikë-krim në Elbasan.

Por përtej kësaj, pyetja që shtrohet është kjo: Përse duhet një fushatë e tillë? Përgjigjja është vetëm një; ajo i shërben propagandës së Edi Ramës për të pastruar sadopak imazhin e policisë së bërë palë më kultivuesit e kanabisit në çdo anë të vendit.

Kjo fushatë është një tentativë e Ramës dhe Xhafajt për të rikthyer besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, në një kohë kur ish-ministri Saimir Tahiri, është nën hetim për trafik ndërkombëtar droge, në një kohë kur tre ish drejtues të lartë të policisë në jug të vendit janë në arrati pasi akuzohen si pjesë e grupit të Habilajve, në një kohë kur 128 oficerë dhe drejtues policie përmendeshin në raportin konfidencial të SHISH si të përfshirë në kultivimin e kanabisit.

“Ky është një proces dialogimi për çështjet e rendit dhe sigurisë, por është edhe një proces transparence e llogaridhënie për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e Shtetit’. Sot është vetëm hapi i parë i një marrëdhënie të re që ne duam të vendosim midis policisë dhe komunitetit. Ne duhet të jemi më shumë në vëmendje dhe në kërkesë llogarie nga ana e qytetarëve në mënyrë që ta bëjmë më mirë punën tonë, që të jemi shumë më të përgjegjshëm në punën që bëjmë”, përsërit Fatmir Xhafaj nga njëri takim në tjetrin. Sigurisht që e gjithë kjo është thjesht propagandë dhe ka shumë patetizëm në fjalët e Ministrit të Brendshëm.

Të gjithë e dinë se nuk janë qytetarët ata që pengojnë Policinë e Shtetit të godasë bandat kriminale. Dihet po ashtu se qytetarët nuk e refuzojnë një jetë më të sigurt, por refuzojnë një Shqipëri ku policia arreston vetëm atë që nuk paguan energjinë elektrike apo ndërton çatinë pa leje, por nga ana tjetër bëhet palë me kultituesit dhe trafikantët e drogës. Thënë këto, ‘Forumi qytetar për sigurinë publike’ ngjan të jetë fund e krye hipokrizi, fasadë që s’ka se si të shtojë besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, por ndoshta shton frikën se epoka Xhafa në Ministrinë e Brendshme do të jetë thjesht një ‘Déjà vu’ e asaj që pamë kur ky institucion drejtohej nga Saimir Tahiri.

Besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit, vjen vetëm kur të çohen pas hekurave Klement Balili, Florian Habilaj, Jaeld Çelaj, Sokol Bode, Gjergji Kohila, Arbër Çekaj e shumë të tjerë në radhët e trafikantëve, por edhe në radhët e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Në këtë kuptim, Fatmir Xhafaj nuk ka çfarë dialogu të zhvillojë me qytetarët, kur ai e di fare mirë që për të luftuar krimin duhet vullnet politik, jo evente propagandistike që transmetohen live në ERTV dhe në media të tjera.

Krimi i organizuar në Shqipëri vjen për shkak të lidhjeve okulte me politikën, jo për shkak se ka munguar kërkesa e llogarisë nga ana e qytetarëve për Policinë e Shtetit. Në këtë kuptim, ky është problemi që mbetet: A e ka ndarë mendjen Fatmir Xhafaj të luftojë krimin, apo do të vazhdojë të jetë protagonisti i shfaqjeve propagandistike që i orkestron Edi Rama?

©LAPSI.al 



3 Comments

  1. Xhafa do mbahet mend si ministri i fjaleve, dhe asnje pune konkrete. Te gjithe i dine kush jane bandat e verteta ne kete vend. Askush nuk goditet. Operacioni “forca e ligjit” eshte bere qesharak. Kushdo qe arrestohet i faturohet ketij operacioni per ta bere te besueshem. Nuk duket ndonje fillim i mbare. Nese si nr jane 40 grupe kriminale te rrezikshmerise se larte, te skeduar, asnje prej tyre nuk eshte prekur. Z.Xhafaj per ata qe e njohin eshte nje njeri me integritet. Kontribuesi me i madh, i reformes ne drejtesi. Me nje perkrahje shume te madhe amerikane. Fakti qe asgje spo ben, tregon qe i ka duart e lidhura. Nese duhet te godase ne dr duhet te marr leje te gjushi, nese duhet te godase ne El, duhet te marr leje te qazo, ne fr duhet te marr leje te gramozi e keshtu me rradhe. Nese nuk do arrij te bej ate qe ai mund te bej, do jete nje zbehje e figures se tij. Dhe kjo eshte deshire e Rames me shoke. Nese nuk do pranonte te behej min i brend, sot me shume mundesi mund te ishte kryeminister.

  2. Ju dijetaret e lapsit ndrroni ndonjehere laps se u bajatoset… boll me tahirin dhe drejtoret e tij merruni me drejtoret e xhafes qe pervecse jane hajdute jane edhe injorante… mos harroni po ata drejtore jane qe kishte tahiri.. gezim zhupa, alban cela, altin qato, vehbi bushati, alfred cepe… e te tjere e te tjere

  3. KETYRE QEVERITAREVE TANE DUHET QE VETINGUN TIA BEJNE SH,B,A ja PO KAQ PA FYTYRE E PROPOGANDISTE KOMUNISTE JANE SA QE ME MARIFETE TE TILLA DUAN QE EUROPES TI MBUSHIN MENDJEN SE KETA LUFTOJNE KRIMIN, KONTRABANDEN, DROGEN. RREALITETI PER KETE POLICI FLET NDRYSHE AMA, SIDOMOS ME ARRESTIMET E KUKESIT QE DOLI MBI PROKURORINE, OSE QE E URDHERON ATE.ME TE TILLE AKROBACIRA E MASHTRIME NUK ECET GJATE. BOLL KENI MASHTRUAR, ESHTE AFER FUNDI JUAJPER LARGIMIN E SE KEQES QE IA KENI BERE KETIJPOPULLI.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *