• |
ide | kryesore

Vettingu në polici: Shpallen vende të lira pune për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit

Lajme, Të fundit



Ministria e Brendshme ka njoftuar ditën e sotme se janë shpallur vendeve të lira për 5 anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit si dhe 15 anëtarëve të Sekretariatit Teknik.

Afati për dorëzimin e dokumenteve të kërkuara për personat e interesuar për t’u bërë pjesë e Komisionit është 15 ditë nga shpallja..

NJOFTIMI
Bordi i Përzgjedhjes së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit Kalimtar dhe Periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka zhvilluar mbledhjen e konstituimit, në zbatim të ligjit.

Vendimi i parë i Bordit ishte shpallja e vendeve të lira për 5 anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe 15 anëtarëve të Sekretariatit Teknik.

Afati për dorëzimin e dokumenteve të kërkuara për personat e interesuar për t’u bërë pjesë e Komisionit është 15 ditë nga shpallja.

Bordi i Përzgjedhjes rezervon të drejtën për të kryer verifikimin e të dhënave të deklaruara nga kandidatët në aplikimin e kryer.

Më poshtë gjeni kriteret për kandidatët, dokumentacioni i kërkuar dhe formulari i vetëdeklarimit për ta.

VENDIM PËR SHPALLJEN E VENDEVE TË LIRA PËR ANËTARË TË KOMISIONIT TË JASHTËM TË VLERËSIMIT DHE ANËTARË TË SEKRETARIATIT TEKNIK

Në mbështetje të pikës 1 të nenit 11 dhe pikës 3 të nenit 12, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, Bordi i Përzgjedhjes

SHPALL

Konkurimin e hapur për:

Pesë (5) vende të lira për anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Mund të aplikojë kandidati që:

a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare;

b) ka eksperiencë pune jo më pak se 10 vjet në profesion;

c) nuk ka ushtruar funksione politike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 3 viteve të fundit;

ç) ndaj tij nuk është nisur një hetim penal dhe ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtjeje penale me dashje;

d) nuk ka qenë subjekt i ndalimeve të parashikuara në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;

dh) ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila nuk është parashkruar, sipas legjislacionit që rregullon marrëdhëniet e punës, në momentin e aplikimit;

e) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Për të drejtën e informimit me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

ë) është nën moshën 65 vjeç

Gjithashtu, në kërkesë kandidati për vendet e lira për anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit duhet të deklarojë se, plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 10, pika 1, gërma “c”, “dh” dhe “e” të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”.

Pesëmbëdhjetë (15) vende të lira për anëtarë të Sekretariatit teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Mund të aplikojë kandidati që:

ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, ekonomi, financë, matematikë ose shkenca sociale ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
ka eksperiencë pune jo më pak 5 vjet;
ndaj tij nuk është nisur një hetim penal dhe ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtjeje penale me dashje;
ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila nuk është parashkruar, sipas legjislacionit që rregullon marrëdhëniet e punës, në momentin e aplikimit.

Dokumentacioni shoqërues

Kandidatët për vendet e lira më sipër, së bashku me kërkesën duhet të depozitojnë dokumentet e mëposhtme:

jetëshkrimin profesional, që përmban detajet e arsimimit, të punësimit dhe eksperiencave të tjera studimore, profesionale dhe personale, të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare;
kopje të dokumentit të identitetit;
formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu, në kërkesë kandidati për vendet e lira për anëtarë të Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit duhet të deklarojë se, plotëson kriterin e përcaktuar në nenin 12, pika 1, gërma “ç”, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”.

Afati për paraqitjen e aplikimeve dhe dokumentacionit shoqërues

Në zbatim të pikës 2 të nenit 11, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, afati për paraqitjen e aplikimeve dhe dokumentacionit shoqërues është 15 ditë nga publikimi i thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit.

Vendi i paraqitjes së aplikimeve

Apikimet do të paraqiten pranë Bordit të Përzgjedhjes, në Ministrinë e Brendshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *