• |
ide | kryesore

Patriarku i Moskës Kirill vjen sot në Tiranë, zbulohet axhenda e takimeve të tij

Lajme, Të fundit



Kisha Ortodokse Shqiptare ka bërë të ditur se është zyrtarizuar vizita e Patriarkut të Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillit, në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Nëpërmjet një postim i në faqen zyrtare Kisha Ortodokse bën me dije të gjithë axhendën e kësaj vizite.

Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist. Mesohet se Kirill do të takohet edhe me presidentin Ilir Meta, por edhe zyrtarë të tjerë, të lartë shtetërorë. “Këtë herë ai do të vizitojë kishën martirike të Shqipërisë, e cila vuajti shumë në shekullin e 20 dhe praktikisht u shkatërrua”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kishës Orthodokse Ruse.

Axhenda e plotë:

Vizitë paqësore e Shenjtërisë së Tij, Patriarkut të Moskës  dhe të Gjithë Rusive, Kirillit, në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
28-30 prill 2018
Nga data 28-30 prill, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të presë Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin. Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist.
Të shtunën, më 28 prill 2018, ora 16:00, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, do të presë Patriarkun Kirill në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Më pas do të vijojë Dhoksologjia zyrtare në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Ditën e diel, më 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.
Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare në MAK Albania Hotel.
Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.
Në mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.
Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë, me Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin, z. Edi Rama. Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999. Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepiskopi Anastas është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).
Tiranë, 25 prill 2018
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *