• |
ide | kryesore

Reagon Ilir Meta: E vërteta e shkrimit të “Mother Jones” kundër LSI

Arkiva



Në një intervistë dhënë për Fax News, presidenti i Republikës Ilir Meta është pyetur për shkrimin e revistës amerikane “Mother Jones” e cila hidhte dyshime për financimin e lobimit të LSI-së në SHBA në fillim të vitit 2017 kohë kur ai qëndronte në krye të kësaj partie. Gazeta shkruante se kishte dyshime për një pagesë në emër të LSI-së të bërë një kompani me bazë në Qipro e lidhur me oligarkë rusë. Por Ilir Meta i ka anashkaluar akuzat për të cilat thotë se u ka dhënë përgjigje zyra e shtypit e LSI-së.

“Mendoj se nuk keni gjetur personin më të përshtatshëm apo edhe kohën më të përshtatshme për të bërë një pyetje të tillë. Gazetari që ka bërë një pyetje, ka marrë edhe një përgjigje, që pjesërisht është botuar, nga Drejtori i Kabinetit të Presidentit.

Kam lexuar me vëmendje përgjigjet e pyetjeve që i ishin drejtuar zëdhënësit apo drejtorit për shtypin të LSI-së, zotit Shaban Sulçe, të cilat çuditërisht nuk ishin publikuar, pra përgjigjet e këtyre pyetjeve. Dhe mund t’ju them që përgjigje mjaft të sakta, mjaft transparente, dhe me një fjalë mund të them që kemi të bëjmë me një “zero” të vërtetë për sa u takon të gjitha aludimeve dhe insinuatave për atë periudhë” – thotë Meta.

Vizitën e tij në SHBA në inaugurimin e Presidentit Donald Tramp, Meta nuk e lidh me lobimin e bërë nga kompania e paguar.

“Është një mashtrim pasi unë kam marrë pjesë, së bashku me zotin Vasili, si kryetar i Parlamentit me ftesë të komitetit organizator të ceremonisë dhe është gjithçka e verifikueshme, edhe për shkak të kamerave të sigurisë që ne nuk kemi pasur asnjë lidhje. As unë dhe as zoti Vasili me rastin në fjalë” – thotë kreu i shtetit.

Por a mendon edhe Ilir Meta njëlloj si LSI se pas artikullit të Mother Jones qëndron Endri Fuga, këshilltar i kryeministrit Edi Rama.

“Mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë jashtëzakonisht shteruese dhe transparente. Të ashtuquajturat fakte apo lidhje që nuk ekzistojnë meritojnë gjithmonë të shumëzohen me “zero” – përgjigjet Meta. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *