• |
ide | kryesore

Trump shokon aleatët perëndimorë, tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin

F1, Planet



Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se po tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke hedhur poshtë arritjen e politikës së jashtme të paraardhësit të tij Barak Obama dhe duke izoluar Shtetet e Bashkuara nga aleatët e saj perëndimorë.

“Kjo ishte një marrëveshje e tmerrshme e njëanshme që kurrë nuk duhej të ishte bërë,” tha Trump në Shtëpinë e Bardhë në njoftimin e vendimit të tij.

“Kjo nuk solli qetësi, nuk solli paqe dhe kurrë nuk do të sillte paqe.” – u shpreh Trump.

Njoftimi i Trump i zhyt marrëdhëniet e Amerikës me aleatët evropianë në pasiguri të thellë. Ata janë zotuar të qëndrojnë në marrëveshje. Pritet të ketë përplasje diplomatike dhe ekonomike, pasi SHBA-të do të rivendosin sanksione të rrepta mbi Iranin.

Gjithashtu mund të tensionohen marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, të cilat janë gjithashtu palë të marrëveshjes.

“Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i vjen keq për vendimin e SHBA për të dalë nga marrëveshja bërthamore iraniane” – shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në një postim në Twitter pak pas konferencës për shtyp të Trump.

Një person i njohur me negociatat për të mbajtur marrëveshjen e vitit 2015 me Iranin u shpreh se bisedimet morën fund pas këmbënguljes së Trump që të kufizohet ashpërsisht prodhimi i karburantit bërthamor të Iranit pas vitit 2030. Marrëveshja e nënshkruar nga Obama nuk i parashikon këto kufizime.

Si rezultat, Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur që të rivendosin të gjitha sanksionet që i kanë hequr si pjesë e marrëveshjes bërthamore, dhe të vendosin gjithashtu kufizime ekonomike shtesë, sipas një personi tjetër të informuar mbi vendimin e Trump.

Tërheqja nga kjo marrëveshje përmbush një nga premtimet e shpeshta të fushatës së Trump dhe erdhi përkundër lobimit të fuqishëm personal nga liderët evropianë, dhe përpjekjeve të shumta për të përpunuar rregullat e marrëveshjes në mënyrë që Trump të mbetej i kënaqur. (përktheu lapsi.al) Pjesërisht, Presidenti amerikan u nxit nga bindja se një qëndrim i ashpër ndaj Iranit, do t’i vinte në ndihmë në bisedimet që pritet të zhvillojë javët e ardhshme me Kim Jong Un.

Ai gjithashtu njoftoi se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kishte shkuar në Korenë e Veriut për të vazhduar diskutimet me Kim Jong Un për takimin. I pyetur nëse tre shtetasit amerikanë që mbahen në Korenë e Veriut do të kthehen në SHBA së bashku me Pompeon, presidenti sinjalizoi se kjo edhe mund të ndodhte.

Vetë ndihmësit e Trump i kishin kërkuar këtij të fundit tre herë që të mos tërhiqej nga marrëveshja e Iranit.

Por, Trump bëri të qartë se i kishte humbur durimi lidhur me këtë marrëveshje. Me një grup të rinj këshilltarësh të kryesuar nga Mike Pompeo, Presidenti u përball me një rezistencë të brendshme më të dobët.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk mund t’a ndalonin Iranin që të ndërtonte një armë bërthamore “nëpërmjet strukturës së kalbur të marrëveshjes në fuqi”.

“Marrëveshja e Iranit ishte e dëmtuar në themel të saj” – u shpreh Trump.

Vendimi i Donald Trump mbylli një periudhë katërditore të furishme në të cilën diplomatët amerikanë dhe evropianë bënë një përpjekje të fundit për të kapërcyer dallimet e tyre dhe për të ruajtur marrëveshjen.

Të premten, Sekretari i Shtetit, Pompeo thirri homologët e tij në Europë për t’u treguar atyre se Trump po planifikonte të tërhiqej, por që po përpiqej të fitonte një afat dy-javorë për Shtetet e Bashkuara dhe Europën për të vazhduar negociatat.

Njerëz pranë bisedimeve thanë se vetë Pompeo favorizonte një tërheqje të ashtuquajtur të butë, në të cilën Trump do të tërhiqej nga marrëeshja, por nuk do të rivendoste të gjitha sanksionet.

Evropianët kishin rënë dakord për një kompromis të rëndësishëm: të vendosnin sanksione nëse kishte një bindje se iranianët ishin vetëm 12 muaj larg prodhimit të një arme bërthamore. (përktheu lapsi.al) Por zyrtarët thanë se as kjo nuk e kënaqi Donald Trump-in, dhe evropianët nuk ishin të gatshëm të ofronin më shumë.

Nga e hëna, Shtëpia e Bardhë filloi të informojë aleatët se Trump do të tërhiqej nga marrëveshja dhe do të rivendoste sanksionet e naftës dhe sanksionet dytësore kundër Bankës Qendrore të Iranit.

Trump gjithashtu ka udhëzuar Departamentin e Thesarit të zhvillojë sanksione shtesë kundër Iranit, një proces ky që mund të zgjasë disa javë.

Sipas këtyre sanksioneve financiare, kompanitë evropiane do të kenë midis 90 deri në 180 ditë për të rrëzuar operacionet e tyre në Iran, ose ata do të sulmojnë sistemin bankar amerikan. Sanksionet e naftës do të kërkojnë që vendet evropiane dhe aziatike të ulin importet e tyre nga Irani.

Për të gjitha këto manovra të tërbuara, Trump duket se e kishtë ndarë mendjen disa javë më parë. Kur Emmanuel Macron e takoi atë dy javë më parë, zyrtarët thanë se Trump i kishte thënë Presidentit francez se ai planifikonte të tërhiqej nga marrëveshja më 12 maj, duke shtuar se: “Ende nuk i kam thënë Melanias”.

The New York Times, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *