Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është i bindur se Rusia do t’i mbështesë qartazi qëndrimet e saj për Kosovën dhe do të ndjekë tërë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
Vuçiçi është ndër të paktët liderë të huaj që do të marrin pjesë në manifestimet e 9 majit në Moskë, të cilat po bojkotohen nga shumë udhëheqës botërorë për shkak të tensioneve diplomatike të lidhura me helmimin e spiunit rus në Londër, Sergei Skripal, dhe veprimtaritë ruse në pjesë të ndryshme të botës.
Vuçiçi e siguroi Presidentin rus sërish se Serbia do ta ruajë neutralitetin ushtarak, nuk do të jetë pjesë e NATO-s e asnjë aleance tjetër ushtarake dhe nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë. Pa Rusinë, u shpreh ai pas takimit, është e pamundur të arrihet çfarëdo zgjidhjeje për Kosovën.