• |
ide | kryesore

Thellohet hetimi për deputetin e PS-së, tre akuza për tokën në Dhërmi

Lajme, Të fundit



Nga  Lindita Çela, BIRN

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar një procedim penal ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Alket Hyseni, thuajse pesë muaj pas dorëzimit të një kallëzimi kundër tij për përvetësimin e 11 mijë metra katrorëve tokë në Dhërmi. Procedimi penal nisi mbi bazën e kallëzimit të dorëzuar në dhjetor 2017 në Prokurori nga shtetasja Irini Bua, e cila e akuzon deputetin Hyseni për përvetësimin e pronës së saj.

Një zyrtar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i tha BIRN se procedimi penal kundër Hysenit është regjistruar për tre vepra penale: falsifikimi i dokumenteve, korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe shpërdorimi i detyrës.

I pyetur nga BIRN, deputeti Alket Hyseni tha se nuk ishte në dijeni të regjistrimit të procedimit penal nga Prokuroria, ndërsa u shpreh i hapur për t’u hetuar ndaj çdo akuze që ngrihet në emër të tij.

“Natyrisht kur ka kallëzim, organi ku ushtrohet kallëzimi kryen veprime hetimore për të vërtetuar nëse qëndron apo jo kallëzimi. Nuk kam asnjë dijeni për procedim ndaj emrit tim,” tha Alket Hyseni për BIRN.

“Unë kam qenë dhe jam i gatshëm të jap çdo sqarim dhe kam ftuar Prokurorinë të hetojë plotësisht çdo akuzë ndaj meje, edhe kur janë të pavërteta apo me ngarkesë politike. Ligji është i barabartë për të gjithë, edhe kur disa individë abuzojnë me të drejtën duke shpifur apo duke u instrumentalizuar politikisht,” shtoi deputeti, duke iu referuar kallëzimit të zonjës Bua.

Pronësia e deputetit Hyseni mbi 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi u vendos në pikëpyetje pas akuzave publike të shtetases Irini Bua se kjo tokë ishte përfituar përmes shpërdorimit të detyrës. Në vitet 2014-2016, Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të verifikuar tjetërsimit e paligjshëm të pronave shtetërore.

BIRN zbuloi në një investigim të mëparshëm se mbi dy parcelat me sipërfaqe 11 mijë metra katrorë po ndërtohet aktualisht resorti turistik “Ionian Olea”. Kjo pronë është pjesë e një sipërfaqeje më të madhe të fituar nëpërmjet ligjit 7501 nga familja Bua, e cila është transferuar përmes një serie transaksionesh financiare fillimisht te shtetasit Ilia Taka dhe Arjan Hasani dhe më vonë është shkëmbyer me deputetin Alket Hyseni për 2 apartamente dhe 3 garazhe. Pasi është bërë pronar i tokës, Hyseni ia ka shitur atë firmës ligjore të regjistruar në pronësi të të atit me një çmim prej 30 milionë lekësh.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se origjina e tokës me sipërfaqe totale 11 mijë metra katrorë, për të cilën ‘Hyseni & Associates’ ka lidhur një kontratë sipërmarrje me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’ dhe pritet të përfitojë sipërfaqe ndërtimi me vlerë miliona euro është e dyshimtë, ndërkohë që verifikimi i mënyrës së tjetërsimit të saj ka qenë detyrë e task-forcës së drejtuar nga Hyseni.

Nga kontrata e sipërmarrjes me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’, firma ligjore “Hyseni & Associates” pritet të përfitojë minimalisht 1100 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në resortin turistik, e cila ka një vlerë tregu prej 1.1 milionë euro. Në varësi të koeficentit të ndërtimit dhe vlerës së shitjes së pronave, përfitimet mund të shkojnë në disa milionë euro.

Në një intervistë të mëparshme për BIRN, deputeti Hyseni i hodhi poshtë akuzat, duke nënvizuar se prona që ai ka blerë nuk është ajo që i referohet Znj.Bua, e cila sipas tij është nën sekuestro. Deputeti socialist pretendon se nuk kishte qenë në dijeni të problemeve që toka kishte, pasi nuk e kishte blerë atë direkt nga familja Bua.

Tjetërsime të tilla me tokën bujqësore kanë qenë dhe arsyeja pse në korrik të vitit 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama krijoi një task-forcë për verifikimin e titujve të pronësisë, e cila udhëhoq për dy vite nga deputeti Alket Hyseni.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *