• |
ide | kryesore

Berisha: Agron Xhafajn e kërkojnë për ekstradim edhe në Venezuelë, Rama mori 1.3 milion euro

Lajme, Të fundit



Vlerësimet që kryeministri Edi Rama bëri për Agron Xhafajn si “baba i dy fëmijëve me një punë të ndershme”, Sali Berisha e shpjegoi me 1.3 milion euro që ai thotë se ka marrë Edi rama për të fshehur kërkesën për ekstradim nga Venezuela.

Në gusht të para dy viteve, Berisha citonte një shkrim të Shqiptarja.com ku flitet për një raport nga Venezuela për trafikantët e kokainës ku përmendej emri i Agron Xhafajt, si anëtar i një rrjeti ndërkombëtar të drogës të përbrë nga polakë, italianë dhe shqiptarë. Agron Xhafaj është një nga pronarët e kompanisë së lojërave të fatit “Apex”, thotë Berisha, sipas të cilit Agron Xhafaj ishte “ringlider” (kreu) i organizatës së trafikut të kokainës në Bolonja.

Shkrimi i plotë më poshtë:

Se cilin person ka liruar Gjykata e Apelit Vlorë, duke sjellë dështimin e ekstradimit të tij në Itali për shkak të arratisjes, e tregon ky vendim i vitit 2011 i Gjykatës së Lartë të Venezuelës. Gjykata e vendit të Amerikës së Jugut duke shqyrtuar një çështje ekstradimi të një trafikanti polak që kërkonte drejtësia italiane, ka shtjelluar edhe veprimtarinë kriminale të Gramos Murataj.

Trafikanti vlonjat për të cilin drejtësia italiane kishte kërkuar arrestimin dhe ekstradimin me çdo kusht në Itali, nga Shqipëria, rezulton i përfshirë në një grup të madh droge, që trafikonte heroinë, hashash, marjuanë dhe kokainë në shumë zona të Italisë. Banda e drejtuar nga shqiptarët, kishte planifikuar të trafikonte drogë në Amerikën e Jugut dhe Kanada. Madje për të vënë në jetë planin, në Shqipëri ka mbëritur dhe një shtetas kanadez, me qëllim ndarjen e detyrave. Vendimi i Gjykatës Venezueliane, nxjer në skenë dhe një dokument të gjykatës së Leçes, e cila tregonte të gjithë dinamikën e veprimtarisë kriminale të këtij grupi. Mes personave të implikuar në këtë rrjet janë dhe shtetas italianë.

Ndërsa tepër aktiv tregohet dhe roli i vëllezërve Gramos dhe Besnik Murataj. Këta dy të fundit rezultojnë në Shqipëri të dy biznesmenë dhe aksionerë në një kompani bastesh sportive, që nga verifikimet ka rezultuar se quhet “Eccobet”. Vendimi i Gjykatës së Lartë Venezuliane, ka marrë spunto nga një kërkesë për ekstradimin e shtetasit polak Piekarniak Tomazs, i cili është dënuar nga gjykata e Leçes me 9 vite burg. Vendimi është marrë nga gjyqtarët Ninishka Kuipo Brisenjo, Deyanira Nieves Bastidas, Blanca Rosa Mármol De Leon, Eladio Ramón Aponte Aponte, Héctor Coronado Flores Dhe Gladys Hernandez Gonzalez.

Deklaratë e gjyqtares venezueliane

Në 24 mars të vitit 2011 u depozitua kërkesa për ekstradim e qytetarit polak Piekarniak Tomazs, datëlindja 11.2.1975 në Varshavë dhe rezident në Jesolo të Venecies, nga ana e Ambasadës së Italisë, që kërkohej nga prokuroria e Leçes. Ndaj këtij personi ishtë shpallur dënim me 9 vjet burg nga Gjykata e Leçes.

Sipas Gjykatës, ai kishte kryer krimin e shitjes së substancave narkotike në bashkëpunim me qytetarët: Agron Xhafaj, Ervin Qezi, Tomasz Piekarniak, Gramos Murataj, Besnik Murataj, Rino Gerardi, Altin Maci, Fadil Papa, Edison Sali, Orges Seferaj. Droga ishte e llojit heroinë, marihuanë dhe hashash. Sipas autoriteteve italiane, Fadil Papa, sillte në Itali drogën, duke e shitur edhe në Jug të Italisë, në zonën e Alentos.

Ndarja e zonave

Një pjesë e saj trafikohej në Venecia dhe Trevizo, ku operonte Besnik Murataj, në bashkëpunim me Tomasz Piekarniak, Rino Gerardi dhe Ervin Qezi. Ndërkohë në Bolonja operonin Agron Xhafaj dhe Orges Seferaj, në Parma, Altin Maci dhe në Imperia, Edison Sali. Sipas hetimeve, qytetari polak Tomasz Piekarniak bënte pjesë në një grup të organizuar krimi, që ishte vërtetuar nga përgjimet telefonike.

Kanadezi në Shqipëri

Ky grup importonte hashash, heroinë dhe marihuanë nga Shqipëria dhe kishte planifikuar trafikim të heroinës dhe kokainës ndërmjet Italisë, SHBA, Kanadasë dhe Shqipërisë. Piekarniak përdori hashash dhe marihuanë për ta trafikuar nga Emilia Romanja e Italisë në Poloni përmes qytetarit shqiptar Besnik Murataj dhe atij kanadez Frank Morello, i cili kishte udhëtuar edhe në Shqipëri. Besnik Murataj ishte lidhur me italianin Paolo lo Sasso, që jetonte në SHBA dhe ishte shumë aktiv në shkëmbimin e kokainës të prodhuar në Amerikën e Jugut me heroinë që vinte nga Shqipëria, e destinuar për tregun amerikan.

Roli i kunatit

Fadil Papa, me pseudonimin Ndriçim Haxhiaj (Çimi) furnizonte drogat nga Shqipëria për në Salento, në Bolonjë e shiste Agron Xhafaj (Goni) me Orges Seferajn (Gesi), në Parmë Altin Maci (Miu), në Imperia Edison Sali (Soni) dhe në Venecia Besnik Murataj. Fadil Papa ishte kunati i Besnik Muratajt. Ky i fundit siguronte të gjitha drogat, sipas përgjimeve telefonike. Hetimet nxorrën në pah faktin se Besnik Murataj dhe Paolo lo Sasso, që ishte mik i Gramos Muratajt, vëllai i Besnikut, kishte realizuar shkëmbime heroine-kokainë.

Prangosja në 2000

Më 2 dhjetor 2000 Frank Morello mbërriti në Venecia. Vëllai i tij Antony Morello ishte në Vlorë, ku më datë 4 u takua me Fadil Papën, që i gjeti një kg heroinë, por u arrestua nga policia shqiptare më 7 dhjetor 2000. Përgjimet konstatuan se ishte përfshirë në trafik babai i tij.

Ndërkohë, Gramos Murataj, vëllai i Besnikut, doli nga burgu në Zvicër, ku mbahej për akuzën e tentativës së vrasjes dhe menjëherë tentoi të trafikonte 40 kg heroinë, më 3 tetor 2001 në Stamboll. Nisur nga këto konstatime, autoritetet italiane kanë nxjerrë urdhër arresti me burg për këta persona, të implikuar në trafikun ndërkombëtar të drogës: MURATAJ Besnik, GERARDI Rino, KACI Naltin, LO SASSO Paolo, MACI Atin, MORELLO Anthony, MORELLO Frank, MURATAJ Gramos, PAPA Fadil, PIEKARNIAK Tomasz, QEZI Ervin, SALI Edison, SEFERAJ Orges, SZAMBOROËSKI Adam, TORO Julian, XHAFAJ Agron. Besnik Murataj kishte një punë “mbuluese” në picerinë “Bucintoro” në Jesolo, Itali. Murataj dhe Tomasz banonin në të njejtën shtëpi.

16 URDHËR ARRESTE
Besnik Murataj
Rino Gerardi
Altin Kaci
Paolo Lo Sasso
Atin Maci
Anthony Morello
Frank Morello
Gramos Murataj
Fadil Papa
Tomasz Piekarniak
Ervin Qezi
Edison Sali
Orges Seferaj
Adam Szamboroëski
Julian Toro
Agron Xhafaj

Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)



3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *