• |
ide | kryesore

Flet ish-specialisti i aviacionit: Si i sollëm fshehurazi nga Rusia avionët “Mig-15”

Dossier



Flet 85-vjeçari Skënder Dusha, ish-specialist i njohur i aviacionit luftarak, i të vetmit bombardues Il-28: “Ne erdhëm në atdhe bashkë me 12 avionë luftarakë MIG-15 dhe me teknikët rusë. Nga Odesa deri në Durrës, na u bashkëngjit edhe Dhimitër Shuteriqi, i cili kishte qenë për vizitë në ish-Bashkimin Sovjetik”

Një nga katër specialistët e parë shqiptarë të teknikës së aviacionit luftarak të Shqipërisë që u kualifikuan në ish-Bashkimin Sovjetik dhe që në shkurt të vitit 1955 sollën avionët e parë “MIG” (të paketuar) në portin detar të Durrësit.

Ky është 85-vjeçari Skënder Dusha, i cili në një rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press” tregon detaje nga ky udhëtim. “Ne u nisëm nga ish-Bashkimi Sovjetik me transoqeanikun e njohur në atë kohë, që quhej “Obi”. Si dhe herën e parë, ne jemi habitur me vaporë të tillë sa një qytet. Ku kishim parë ne në Shqipëri vaporë të tillë”, pohon ai…

Intervistoi Albert Zholi

Z. Skënder, si ju lindi dëshira për t’u lidhur me aviacionin. Kur ke parë avion për herë të parë dhe ku?

E mbaj mend si sot kur kam parë avion luftarakë për herë të parë, duke përcjellë ato vite lufte 1943-1944, kur kam qenë 10-11 vjeç. Saktësisht, në muajin mars të vitit 1943. Ishte koha kur lufta partizane ishte acaruar me pushtuesit dhe ata të egërsuar bënin çmos që të ruanin pushtimin duke djegur dhe vrarë çfarëdo që u dilte para. Pikërisht, në mars të vitit 1943 ndodhi dhe djegia e plotë e Ballshit. Kjo situatë erdhi pas betejës së njohur të Greshicës, ku forcat e ushtrisë italiane, kur nuk e prisnin pësuan humbje të mëdha dhe të pariparueshme. Gjatë tërheqjes në hyrje të qytetit, autokolona italiane u ndesh sërish me pritën e partizanëve. Filloi një betejë e ashpër. Vendi përreth po dridhej. Çdo gjë përreth mori zjarr dhe flakë. Të ndodhur në këtë situatë, ushtria italiane u hakmor egër. Çdo gjë që i dilte para, e digjte me zjarr dhe hekur. Benzina iu vu çdo gjëje që haste në rrugën e ushtrisë italiane. Qyteti u dogj krejtësisht nga forcat pushtuese italiane, e qielli lart nxinte nga avionët që fluturonin mbi të. Nuk kisha parë kurrë avionë, aq më tepër aq shumë, të cilët me zhurmën dhe me ngjyrën e tyre të përcillnin frikë dhe tmerr. Ata zbraznin nga barku i tyre lloj-lloj bombash, të cilat kur binin në tokë përhapnin zjarr dhe tym. Në vendet ku binin krijoheshin gropa të mëdha. Kur shikoja sesi ishte bërë vendi, mendoja se sikur të isha edhe unë aviator, do u sulesha nga pas dhe nuk do t’i lija të bombardonin qytetin tim të lindjes. Pra, ishte ky moment kur brenda meje shpërtheu dëshira për t’u bërë aviator. Një dëshirë fëminore kur ajo kohë shënoi dhe ndarjen tonë të dhimbshme si familje nga qyteti dhe largimin në jug të vendit, pasi im atë, si intelektual e farmacist që ndihmonte partizanët, lëvizte, u jepte ilaçe, përndiqej e do të vritej nga pushtuesit. Ishin momente të vështira. Zija e bukës ishte prezente kudo. Vendi ishte shumë i shkatërruar. Kudo shikoje vetëm gropa, shtëpi të rrënuara, toka të mbetura djerrë, pyje të djegur. Thjesht, Shqipëria ishte shndërruar në një vend gërmadhë. Me këto pamje u largova nga qyteti i lindjes, Ballshi.

Një largim i detyruar, në zjarrin e luftës dhe mes bombardimeve të aeroplanëve. Ku vendosi babai që të shkonit për të jetuar?

Të mbetur në mes të katër rrugëve, babai vendosi që të shkonim në Vlorë, pasi aty ai kishte disa miq që mund të ndihmonin. U nisëm siç ishim, pasi nuk kishim asgjë për të marrë. Ishim me rrobat e trupit dhe me ato disa lekë xhepi që babait i kishin mbetur nga puna në farmaci. Ai kishte në Vlorë një farmacist shumë të njohur mik, me emër dhe me reputacion, i cili kishte mbaruar shkëlqyeshëm në Itali. Ai quhej Dhimitër Pinguli dhe babai na kishte folur shpesh për të. Pra, babai tek ai i kishte varur shpresat për të rifilluar jetën. Kur mbërritëm ne u vendosëm në lagjen ‘Karabash’ të këtij qyteti. Qysh të nesërmen babai filloi punë në farmacinë e zotit Dhimitër, i cili ishte një burrë zotni dhe tepër i mbajtur. Kjo gjë na e lehtësoi jetën pasi tashmë kishim mundësi të strehoheshim dhe të ushqeheshim. Edhe Vlora ishte e rrënuar, gjurmët e luftës ishin kudo pasi ajo ishte dhe një bazë detare ku vinin shpesh herë luftë anije italiane. Të dy, si z.Dhimitër, edhe babai, ishin shumë atdhetarë dhe shumë të lidhur me luftën. Ndihma e tyre në luftë nuk ishte e drejtpërdrejtë me armë në dorë, por dhe kjo ndihmë ishte shumë e madhe, pasi nuk mund ta jepte kushdo. Shumë spitale partizane në zonë furnizoheshin me ilaçe vetëm nga farmacia e z. Dhimitër.

A kishte tjetër farmacist me influencë në Vlorë?

Po. Ka patur. Nuk mund të le pa përmendur një farmacist-grosist të njohur në Vlorë Rexhep Hitajn. Historia e jetës së tij është shumë interesante. Ai ka qenë një intelektual i shkolluar në Perëndim. Ai njihej si një farmacist e grosist me emër, pasi ishte shquar për ndjenja patriotike. Një nga tiparet e tij ishte se ai ishte kundër regjimit të Zogut, ndaj ai ishte në shënjestër të Ahmet Zogut dhe u burgos në vitin 1928, e u internua më pas. Pasi iku nga internimi, u vendos në Vlorë ku vazhdoi aktivitetin privat si farmacist. Rexhepi mbetet një nga themeluesit e drejtuesit e “Ballit Kombëtar”, por pa patur aktivitet kundër luftës dhe as bashkëpunim me pushtuesit. Thjesht, ai ishte kundër komunizmit dhe për këto bindje me ardhjen në pushtet të komunizmit, nuk u pa me sy të mirë. Por duhet thënë se gjatë luftës edhe ai kishte ndihmuar shumë partizanët me ilaçe dhe falë njohjeve me Hysni Kapon e drejtues të luftës në jug, ai jo vetëm nuk u dënua, por u ndihmua. Madje, më vonë, po me ndihmën e Hysni Kapos ai e transferoi aktivitetin e tij në Tiranë, ku vdiq në vitin 1955. Babai im, Sherif Dusha e mbajti miqësinë deri në fund me të.

Të vijmë tashmë tek shkollimi juaj, si rrugëtoi ky arsim?

Eh, shkollimi im nuk ishte si sot. Shqipëria pas lufte ishte tërësisht e shkatërruar. Nuk kishte rrugë, ura, makina, hekurudha. Por edhe buka ishte me racion, triskë. Sëmundjet ishin nëpër këmbë. Jetë tepër e vështirë. Shkollën fillore e mbarova në Kuç dhe pastaj fillova Shkollën Industriale në janar të vitit 1948, në profilin mekanik. Fill pas shkollës, më emëruan në minierën e Selenicës në Vlorë si mekanik, përkatësisht në centralin elektrik, e cila ishte ndër më të mëdhatë në vend dhe ndër më të njohurat në rajon. Ishte krijuar e administruar në fillim nga francezët në vitet 1930. Gjeta qindra të punësuar atëherë në këtë minierë. Unë drejtoja transportin me lokomotorë, transport që bëhej brenda përbrenda por bëhej edhe jashtë uzinës. Kujtoj aty me respekt një nga specialistët e mrekullueshëm, që ishte sjellë si i internuar, Petro Semarkon. Ndërkohë, që pas dy vitesh punë intensive më dërguan thirrjen për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. U mobilizova nën armë dhe më çuan në Tiranë. Më pas, nga karantina (kohë disamujore ku përgatiteshin ushtarët e sapoveshur), meqë isha me shkollë dhe mekanik, pa mbushur një muaj, më dërguan në kurs për teknikë avionësh. Sa u gëzova. Më vinin ndërmend ëndrrat e fëmijërisë dhe dëshira për t’u bërë aviator. E prita me shumë gëzim këtë dhe ditën e nisjes sa nuk fluturoja nga gëzimi. Po niste një jetë e re, një jetë ndryshe, një jetë që më hapte shumë hapësira…

Ju në disa biseda, më keni thënë se keni studiuar për teknik avionësh në ish-BS. Kur dhe si shkuat, e sa veta ishit në këtë degë për të studiuar? Ku ishte shkolla edhe çfarë kujtimesh ruani?

Ne në grupin që shkuam për të mësuar si teknikë avionësh në ushtri ishim një grup të rinjsh, por që unë e pak të tjerë patëm fatin të niseshim për shkollim në ish-Bashkimin Sovjetik. Mes grupit të shkollës ku ishim në Tiranë, u zgjodhëm gjithsej 7 veta dhe u bëmë gati për nisje. Përveç meje, ishin dhe Namik Spaho nga Devolli; Ylson Agolli, po nga Devolli; Nasi Themeli nga Korça; Stefan Statoborda, po nga Korça; Thime Mërtiri nga Narta e Vlorës dhe Lipe Koruni. Në ish-Bashkimin Sovjetik u nisëm në vitin 1954 dhe studiuam atje një vit. Ne gjashtë të parët do përgatiteshim për teknikë avionësh reaktivë, ndërsa Lipe Koruni për teknik avionësh. Na instruktuan mirë duke na porositur që të bënim maksimumin për t’u përgatitur praktikisht dhe teknikisht për teknologjinë e re ajrore që do të sillej në Shqipëri. Shkolla ushtarake për avionë ku shkuam ne studentët shqiptarë për t’u përgatitur si teknikë për avionë reaktivë ishte në Volsk, qarku Saratov në Vollgë. Ishte shkolla e parë e aviacionit që ishte hapur në ish-Bashkimin Sovjetik që në vitin 1932. Kishte krijuar një emër të mirë dhe kishte një staf mësimdhënës teorik e në praktikë ndër emrat më të njohur të aviacionit rus. Por të jem i sinqertë, që në ditët e para, ne u përballën me vështirësi të shumta. Së pari, ajo ishte një shkollë e madhe ku përgatiteshin specialistë të aviacionit për gjithë republikat e ish-Bashkimit Sovjetik. Ishte sa Tirana dhe nuk ambientoheshim. Kishte gjithashtu dhe studentë nga ish-vendet socialiste, ku përfshiheshim dhe ne nga Shqipëria. Së dyti, ne duhet të mësonim të shkruanim e të përdornim mirë gjuhën ruse në një kohë shumë të shkurtër. Kjo sepse tekstet, mësimet dhe gjithë aktiviteti tjetër i procesit mësimor teorik e praktik zhvilloheshin në gjuhën ruse. Për këtë, ne detyroheshim të realizonim një program shumë të ngjeshur, para dite dhe pas dite, ku kuptohet, ngarkesa ishte shumë e madhe…

Ia dolët së fundi?

Sigurisht. Ishim të rinj dhe kishim shumë ëndrra. Falë përkushtimit, përpjekjeve e sakrificave të shumta, ne ja arritëm të ishim në lartësinë e kërkesave dhe të ishim ndër më të mirët e shkollës së aviacionit luftarak në Volsk. Atje pamë dhe u ambientuam me një jetë ndryshe, pamë një popull e vend të kulturuar, që jetonin shumë mirë, e nuk kishin të krahasuar me Shqipërinë. Kujtoj me mall e nostalgji jetën e gjallë kulturore, ku dua të veçoj këngët napolitane të përkthyera e të përshtatura rusisht dhe përfituam shumë edhe në këtë drejtim. Pas diplomimit, u kthyem në Shqipëri, por tashmë me teknikë luftarake, me avionë reaktivë me të cilët Shqipëria pajisej për herë të pare. Ishim ndër studentët që morëm vlerësime maksimale dhe me disiplinë shembullore. Tashmë ne ishim specializuar si teknikë të aviacionit Bombardues të Frontit. Nuk ishte e lehtë.

Kur i përfunduat mësimet? Me se u kthyet dhe kush ishte e veçanta e kthimit tuaj? Si e kujtoni udhëtimin e kthimit?

Mësimet i përfunduam në shkurt të vitit 1955. Ishte një gëzim i madh. Një pjesë e ëndrrës ishte realizuar. Tashmë prisnim kthimin në atdhe për të shpalosur dijet tona. Largimi nga ish-Bashkimi Sovjetik u bë po në muajin shkurt të vitit 1955. Në bazë të marrëveshjeve midis dy vendeve, ne erdhëm në atdhe bashkë me 12 avionë luftarakë MIG-15 dhe 4 avionë mësimorë UT-MIG me dy kabina. Por ardhja kishte peripeci më vete, pasi erdhëm në linjë detare e ndaluam në Durrës, avionët ishin të çmontuar dhe të paketuar në arka. Dua të them se paketimi i avionëve MIG në arka dhe ardhja në linjë detare u bë për shkak të distancës, pasi MIG-ët nuk mund të fluturojnë kaq gjatë pa mbushje me karburant. Atëherë nuk ishte eksperimentuar mbushja në ajër. Pra për kohën, kjo zgjidhje ishte e detyrueshme dhe normale.

Me se u nisët atë kohë, me cilin vapor dhe në cilën rrugë detare udhëtuat? Sa ditë zgjati udhëtimi dhe si e mbani mend atë? Kush ju shoqëronte?

Ne u nisëm nga ish-Bashkimi Sovjetik me transoqeanikun e njohur në atë kohë, që quhej “Obi”. Si dhe herën e parë, ne jemi habitur me vaporë të tillë sa një qytet. Ku kishim parë ne në Shqipëri vaporë të tillë. Ky transoqeanik që shkonte në çdo cep të botës pa asnjë problem ishte një nga tre transoqeanikët që rusët sapo kishin blerë në Hollandë. Madje thuhej se, kishte ardhur vetëm transoqeaniku i parë “Obi”, ndërsa dy të tjerët do t’i merrnin më vonë. Udhëtimi zgjati plot 4 ditë, nga Odesa në Durrës. Ishte një mjet lundrues i rëndë, shumë i shpejtë dhe i sigurt. Por dua ta theksoj se me ne erdhën edhe teknikë e pilotë rusë.

Përse erdhën ata?

Sigurisht për punë, sepse do të montonin e do të përgatisnin së bashku me ne avionët bombardues për fluturime. Ne ende nuk kishim përgatitur nga arkat montimin e një avioni. Pra, si hera e parë duheshin dhe ata pasi kishin montuar qindra të tillë.

Çfarë të veçante kishte ky udhëtim?

E veçanta që po i vë theksin fort ishte se në atë udhëtim me ne nga Odesa deri në Durrës, na u bashkëngjit edhe Dhimitër Shuteriqi, i cili kishte qenë për vizitë në ish-Bashkimin Sovjetik, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ishin gjithashtu dhe katër gra ruse që ishin martuar me shqiptarë e burrat i kishin në Shqipëri. I kam takuar më vonë ato gra, fati i të cilave, pas prishjes së marrëdhënieve, ishte i dhimbshëm. Njërën, Tarasovën, e futën në burg duke e akuzuar për spiunazh; një tjetër, doktoreshë Basha, punoi gjatë gjithë jetës si mjeke e intelektuale në Shqipëri. Pra, ishte një udhëtim shumë i bukur, shumë i çuditshëm. Kalonim shtete të tërë dhe nuk e besonim se sa e vogël dukej bota me lëvizje të tilla me mjete lundruese nga më të mëdhatë në botë. Transoqeanikë të tillë ishin luks, ishin tepër komod, me ushqim të mirë, me ambiente luksi, me dhoma lojërash dhe dëfrimi. Pasi erdhëm në Durrës, avionët në arka i shkarkuam në port.

Nga Durrësi ku i çuat? Me se i transportuat dhe a ishte i vështirë transporti?

Sigurisht që transporti atë kohë ishte shumë i vështirë, pasi nuk kishte vinça modernë apo makineri transporti shumë të rënda. Me mjetet e kohës ishte shumë vështirë t’i transportoje, pasi ishte dhe elementi rrugë, që ishin pa asfalt dhe gjithë gropa. Pra, nga porti detar i Durrësit, pajisjet në arka u transportuan me automjete të rënda të kohës dhe u shkarkuan në hangarët e aviacionit, aty ku është sot pallati i sportit “Asllan Rusi”. Atë kohë ishte si një zonë e veçantë për avionët e parë. Shkarkimi u bë nën mbikëqyrjen e 4 teknikëve rusë të uzinës ku ishin prodhuar avionët. Ata ishin seriozë dhe shumë të aftë dhe së bashku me specialistët rusë, ne që u kualifikuam dhe diplomuam në Odesë, i montuam avionët brenda një muaj. Avionët e montuar në fillim të prillit të vitit 1955 ishin gati…

BILANCI

Gjithsej, të montuar ishin 28 avionë rusë

MIG 15

“Gjithsej, të montuar 28 avionë, pasi ndërkohë, që ne po montonim kishin ardhur dhe të 9 avionë të tjerë. Ato ditë ne punonim me shumë përgjegjësi pasi duhej të mësonim shumë gjëra që dilnin gjatë montimit. Kjo ishte një lloj eksperiencë e re dhe shumë me përgjegjësi. Por nga ana tjetër ishte një punë voluminoze, pasi ishte hera e parë që bënim diçka të tillë dhe nga ana tjetër, pas këtij momenti edhe Shqipëria do të kishte avionët e saj luftarakë dhe do të formonte një flotë luftarake me avionë që e bënte prestigjioze në sytë e botës. Pas këtij momenti erdhi dhe një moment tjetër momenti i provave me këta avionë të rinj që sapo u montuan. Ishim në ankth. Ishim në ethe pasi si do të kalonte prova. Në ajër do dukej cilësia e punës sonë… “



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *