• |
ide | kryesore

Falsifikimi i ushqimeve dhe pijeve në Shkodër, Prokuroria çon në Gjykatë dosjen për 9 persona

Lajme, Të fundit



Sektori i hetimit të Veprave Penale në fushën e Krimit Ekonomiko-Financiar dhe korrupsionit në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim një prej çështjeve më të bujshme dhe sensitive  të kësaj Prokurorie, duke marrë si të pandehur 9 persona  prej të cilëve  8 persona fizik dhe 1 person juridik.

Pas shfaqjes së pamjeve filmike  nga emisioni investigativ “Stop” dhe denoncimeve të shumta për një periudhë prej 8 muajsh nga ana e kësaj Prokurorie janë kryer hetime në lidhje me prodhimin e kundraligjshëm të produkteve ushqimore nga shoqëria “Briland” shpk  dhe administratorit të saj shtetasit Xhavit Kasemi. Në përfundim të tyre ka rezultuar se kjo shoqëri prodhonte pije të ndryshme alkoolike dhe jo alkoolike si dhe produkte të tjera ushqimore jashtë çdo lloj standardi të parashikuar nga ligji Nr. 9863 datë 28 Janar 2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar, dhe Udhëzimi Nr. 20, datë 25 Nëntor 2010 “Për zbatimin e programeve paraprake të praktikave të mira të higjenës, praktikave të mira të prodhimit dhe procedurave në analizën e risqeve dhe pikave kritike të kontrollit HACCP në stabilimentet ushqimore”  në kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme duke rrezikuar kështu shëndetin dhe jetën e konsumatorëve. Për muaj me radhë shoqëria është kontrolluar nga inspektorët e Autoritetit Rajonal të Ushqimit, Shkodër të cilët në kundërshtim me ligjin e kanë paraqitur situatën dhe ambientin si të përshtatshëm për prodhimin e produkteve ushqimore duke mos konstatuar asnjë shkelje.

Ngjarja

Në 20 Shator emisioni “Stop”denoncoi skandalin e fabrikës të kompanisë “Briland” ku prodhonte pijeve alkoolike, freskuese dhe energjike të falsifikuara.

Një ditë më pas (21 Shtator 2017) 8 persona u arrestuan:

Syrri Caku, 70 vjeç, punonjës  në fabrikën Briland

Fatjon Bushati, 29 vjeç, punonjës  në fabrikën Briland

Sami Haxhija, 59 vjeç, punonjës  në fabrikën Briland

Hilmi Erkoçaj , 65 vjeç, inspektor në A.K.U. Shkodër

Abdyl Bajraktari, 52 vjeç, inspektor në A.K.U. Shkodër

Elvis Rraboshta, 32 vjeç, inspektor në A.K.U. Shkodër

Adnan Gradeci, 50 vjeç, inspektor në A.K.U. Shkodër

Edmond Fortuzi, 65 vjeç, inspektor në A.K.U. Shkodër

Ndërsa në 7 Maj 2018 u vu në pranga pronari Xhevat Kasemi pas arratisjes prej disa muajsh Kasemi ndodhej në punishte kur policia e arrestoi.

Njoftimi i Prokurorisë

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër  nëpërmjet një kërkese prej 55 faqesh ka kërkuar dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të shtetasit Xhavit Kasemi duke e akuzuar atë për kryerjen e veprave penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a i Kodit Penal, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë” parashikuar nga neni 288/a/2 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal;  të shoqërisë së tij “Briland” shpk akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a i Kodit Penal, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë” parashikuar nga neni 288/a/2 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal; të punonjësve të shoqërisë Syrri Çaku, Fatjon Bushati dhe Sami Haxhija akuzuar “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë” parashikuar nga neni 288/a/2 i Kodit Penal si dhe  të inspektorëve të Autoritetit Rajonal Të Ushqimit, Shkodër shtetasve Abdyl Bajraktari, Edmond Fortuzi, Elvis Raboshta dhe Hilmi Erkoçaj të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”  në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *