• |
ide | kryesore

Gruaja e 27-vjeçarit që vdiq në komisariatin e Korçës: Në trupin e tij pashë…

Lajme, Të fundit



Në shtëpinë e marrë me qira, familjarët e Enea Ftoit presin ngushëllime sipas traditës. 27-vjeçari u përcoll, me protestë pasditen e së premtes për në banesën e fundit, duke lënë në mjerim bashkëshorten dhe tre vajza të mitura, 6, 5 dhe 1 vjeçe. Varfëria e familjes Ftoi peshon po aq shumë sa vdekja e 27-vjeçarit, për të cilën të afërmit akuzojnë efektivët e policisë së Komisariatit të Korçës. E papunë dhe pa profesion, bashkëshortja 21-vjeçare e Ftoit, thotë se asistenca prej 2.500 lekë të reja, nuk mjafton as për qiranë e apartamentit.

“Jemi pa shtëpi, pa katandi. Ku të mbytem me tre fëmijët, ku të mbytem. Nuk vranë vetëm jetën e tij. Më vranë edhe fëmijët dhe mua” – thotë Entela Ftoi.

Në Drejtorinë e Policisë së Korçës, bashkëshortja e Eneas ka bërë kallëzim, për tre efektivët, të cilët i konsideron përgjegjës për dhunën dhe keqtrajtimin e 27-vjeçarit, gjatë tre ditëve të qëndrimit në Komisariat.

“Për Alqin, Kreshnikun dhe Gurin, që ai iu bënte gjilpërat. Guri që është shefi i dhomave të sigurisë atje. Këta ditën e parë që e kishin zënë e kishin rrahur në Pazar. Janë policë. Ai përveç shenjave të të rrahurës kishte dhe tre shenja gjilpërash” – shton ajo.

Prokuroria e Korçës thotë se po vijon hetimet për rastin dhe është në pritje të përgjigjeve të ekspertizës mjeko-ligjore dhe ekspertimit të pamjeve të kamerave të sekuestruara në Komisariat. Edhe pse rastet e dhunës në Komisariatin e Korçës janë të përsëritura, ndaj efektivëve përgjegjës për episodet e dhunës ndaj të shoqëruarve nuk është marrë asnjë masë administrative nga Drejtoria e Policisë./abcnews/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *