• |
ide | kryesore

Eksperimenti italian/ Kush është profesori që katapultohet nga universiteti në krye të qeverisë

Kryesore, Planet



Një profesor i jurisprundencës me zero përvojë politike është përzgjedhur si kryeministri i ardhshëm i Italisë.

Giuseppe Conte, i cili është pedagog i ligjit të administratës publike në Universitetin e Firences, është arsimuar në Yale, në Sorbonne dhe shkurtimisht, për një muaj, në Universitetin e Kembrixhit.

Conte u zgjodh si një kandidat neutral, i pranueshëm nga Luigi Di Maio, kreu i Lëvizjes Pesë Yje dhe Matteo Salvini, kreu i Legas, partisë së djathtë, të cilët përjashtuan veten nga ky post.

Por, kjo ishte një zgjedhje e çuditshme sido që ta shohësh. Conte është ‘lloji’ i establishmentit, etilistit dhe akademikut “teknokrat”, që sidomos Lëvizja Pesë Yjet ka shigjetuar për vite me rradhë.

Ai do ta ketë të vështirë të veprojë si ndërmjetës mes Legas dhe Pesë Yjeve, që ndryshojnë në disa çështje kyçe, madje edhe personalitetet e liderëve, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini, janë shumë të ndryshëm.

Profesor Conte nuk është deputet, as anëtar i asnjërës prej partive, por thuhet se është afër Lëvizjes Pesë Yjet.

(Kreu i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio në të majtë duke shtrënguar duart me Giuseppe Conten) 

I njohur për shijen në veshje dhe dëshirën për xhaketa, kopsa dhe shamitë e xhepit, 54-vjeçari është i ndarë nga gruaja, me të cilën ka një djalë 10-vjeçar.

Ai ligjëron në Universitetin e Firences dhe Universitetin Luiss në Romë, ku edhe jeton.

Sipas biografisë së tij zyrtare prej 12 faqesh, në shtator 2001 ai kreu “kërkime shkencore” në Girton College, Kembrixh.

Ai vjen nga një sfond i majtë.

“Në të kaluarën kam votuar për të Majtën. Sot, megjithatë, mendoj se kornizat ideologjike të shekullit të 20-të nuk janë më të përshtatshme” – është shprehur Giuseppe Conte.

Lexo më tej nga LAPSI.AL: 

Ç’po ndodh në Itali? Kush është kryeministri i ri i populistëve? 

Presidenti italian shtyn mandatimin e qeverisë së re, BE kundër mandatimit 

I lindur në vitin 1964 në një fshat të vogël në rajonin jugor të Pulias, ai ka pasur një karrierë të gjerë në fushën e drejtësisë dhe botën akademike.

Pas diplomimit në vitin 1988, Conte vazhdoi shkollimin e tij në universitete në mbarë botën.

Ai drejton një firmë ligjore në Romë, sikurse punon edhe në Firence.

Giuseppe Conte ka qenë më parë anëtar i bordit të drejtuesve të Agjencisë Hapësinore Italiane dhe konsulent ligjor në Dhomën e Tregtisë së Romës.

Telegraph, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *