• |
ide | kryesore

Pro dhe kundër/ Të gjitha pikëpyetjet për vërtetësinë e përgjimit të Agron Xhafajt

Arkiva, Kryesore

I gjithë debati për audio përgjimin që e ka ndarë opinionin publik në dy kampe, është reduktuar në një pyetje themelore politike: A ka bërë trafik droge Agron Xhafaj ndërkohë që vëllai i tij ishte ministër i Brendshëm? Për të ndriçuar këtë dilemë, përplasja po zhvillohet rreth një fakti që nuk mund të jetë i ndërmjetëm: a është origjinal apo i manipuluar incizimi i zërit të Agron Xhafës në bisedën e tij 5 minutëshe me ish të dënuarin tjetër, Albert Veliu. Në pamundësi të disponimit të një prove shkencore, që e zgjidh këtë çështje përfundimisht, Lapsi.al ka bërë një bilanc me të gjitha dyshimet që rëndojnë mbi versionet e palëve, asaj që mbron PD dhe e vërteta që mbron PS.


Lexo më tej:


Një rrugë për të kuptuar të vërtetën për dosjen Xhafa

Ato që çalojnë në versionin e qeverisë…

Pse u dorëzua?

Pse Agron Xhafaj që nuk ishte dorëzuar në Itali për 15 vite me radhë për të kryer dënimin, vendosi të shkojë menjëherë drejt gadishullit Apenin, sapo doli përgjimi. A është kjo një provë se ai nuk mund të qëndronte më këtu për t’u ballafaquar me këtë fakt të ri? Pse ai shkoi në prokurori pa i hyrë gjemb në këmbë, bëri denoncimin për Albert Veliun, depozitoi zërin e tij dhe u largua drejt vendit fqinj, pa kryer asnjë nga proceduart e dorëzimit që duhet të kryejë një i dënuar në vend tjetër? Të gjitha këto ngrenë dyshimet se ai u zhduk nga qeveria për të mos krijuar më shumë probleme sesa kishte krijuar deri më tani.

Ku e njihte policia Albert Veliun pa i dalë ende emri?

Një dyshim tjetër flagrant është ndalimi nga policia i Albert Veliut, ende pa u shfaqur nga PD me zë dhe figurë emri i tij. Kjo gjë tregon se policia e dinte që sapo u transmetua audiopërgjimi se njeriu që pretendohej se kishte folur me Agron Xhafën ishte ai. Një burim i Lapsi.al konfirmon se prokurori, ku Agroni kishte depozituar kallzimin për përgjim të rremë, ishte informuar nga Xhafa se ate e kishte bërë Veliu. Kjo shton ndjeshëm dyshimet se Xhafa e dinte mirë se kush kishte tentuar ta fuste në kurth dhe se ndoshta me kë ka biseduar realisht. Kjo pandehmë e bën edhe më të dobët pretendimin për një përgjim të manipuluar.

Si e bëri Rama ekspertizën e përgjimit?

Shumë skepticizëm ka ngjallur edhe këmbëngulja e Ramës për të bërtitur i pari se regjistrimi është i manipuluar. Kryeministri vazhdon të mos e tregojë emrin e laboratorit të huaj, që ka mbërritur në këtë përfundim dhe, as mënyën se ku i ka gjetur për t’i krahasuar zërat e personazheve që kryen bisedën.

Në një intervistë në ABC news ai pretendoi se i ashtuquajturi laborator ka arritur në këtë përfundim nga analizimi i asaj që ishte incizuar nga trasmetimi televiziv. Por specialistë të fushës thonë për lapsi.al se një përgjigje shekencore është e pamundur të dalë nga një mostër e tillë. A mos ka gënjyer edhe këtu Rama, ashtu siç ka bërë edhe në raste të tjera, për të fituar kohë pas valës së parë të sulmit?

***

Të gjitha sa më lart janë disa dyshime që lindin po ta vendosësh kamerën për të qëmtuar defektet e versionit të qeverisë. Por nga ana tjetër, edhe po ta drejtosh atë për të parë defektet e versionit që mbron PD, tabloja e saj nuk është pa të meta.

A është tërhequr pak PD-ja?

Së pari, për sa i përket metodës së komunikimit, duket sikur opozita që e shpërtheu këtë çështje me bujë, duke nxjerrë në tribuna Bashën, Bardhin, Alibeajn, është tërhequr pak dhe po e trajton si një investigim mes gazetarit Jetmir Olldashi dhe dëshmitarit Albert Veliu.

Loj gazetarësh apo politikanësh?

Së dyti, ajo që pretendohet si një investigim gazetaresk, është më tepër një aksion me shtysë politike. Ajo ka lindur nga PD dhe u publikua pres saj. Kjo natyrisht nuk përjashton automatikisht vërtetësinë e pohimeve, por fakti se kur një gjë kërkohet të shitet për një tjetër, i shton dyshimet.

Edhe vetë versionet që tregojnë Albert Veliu dhe Olldashi, shpesh janë kontradiktore. Emblematike mbetet intervista e mes tyre kur i pari e pyeste të dytin: “Kush e bëri përgjimin?”. Dhe vetëm një ditë më pas pohuan se e kishin bërë bashkë.

Kush i pa duke folur Xhafën me Veliun?

Së treti, dyshimet më të mëdha janë në faktin se gazetari Jetmir Olldashi ka pranuar të hënën në “Opinion” se ai nuk ka qenë prezent në momentin kyç të ngjarjes, pra në atë kur pretendohet se takohen së bashku Xhafaj me Veliun. Megjithëse ai konfirmon bisedën telefonike me numrin e Xhafës, futjen në lokalin e këtij të fundit dhe faktin që Veliu aty ishte i njohur, ai nuk vë dorën në zjarr se i ka parë të dy personazhet të flasin me njëri- tjetrin. Kështu që deri sa të zbardhet vërtetësia e përgjimit nga një agjensi e besueshme ndërkombëtare, ne do të kemi fjalën e një të dënuari për trafik, kundër fjalës së një të dënuari tjetër për trafik. Të dy kanë nga mbrapa dy partitë më të mëdha të vendit.

©Lapsi.al

4 Comments

  1. Jo po kush eberi pulen-pula e beri vezen -apo veza e beri pulen.Ne qofte se eshte ndonje prokuror qe nuk ndikohet nga c’do lloj krahu politik kam bindjen se do dali dicka .Ne te kundert neqofte se ndikohet inga –Nafije–Markuci–ose nga –nafije -PRELA-qe u katapultua nga -Markuci-ne krimet e renda mos prisni te dali dicka ne drite .

  2. Jo po kush eberi pulen-pula e beri vezen -apo veza e beri pulen.Ne qofte se eshte ndonje prokuror qe nuk ndikohet nga c’do lloj krahu politik kam bindjen se do dali dicka .Ne te kundert neqofte se ndikohet nga –Nafije–Markuci–ose nga –nafije -PRELA-qe u katapultua nga -Markuci-ne krimet e renda mos prisni te dali dicka ne drite .

  3. Ju të shkretët jeni gjynah!E nisni artikullin duke deklaruar se video përgjimi e ka ndarë opinionin publik në dy kampe!!!Jeni aq të mjerë sa me opinion publik nënkuptoni militantët e pd dhe ps.Në fakt jeni për të ardhur keq.Imagjinoni në çfarë sikletesh jeni derisa u investuat kaq shumë në k’të sulm të dëshpëruar të mafjes politike ndaj përpjekjes për të filluar instalimin e një sistemi ndryshe drejtësie,jashtë kontrollit absolut të mafjes politike.Hiqeni dhe si të zgjuar tani duke filluar tërheqjen graduale nga flluska e pështirë që “pompuat” për dy javë rresht.Po e mbyll me një këshillë miqësore:përpjekja juaj për të mbajtur gjallë kufomën politike të pd-së,është më qesharake se beteja e don Kishotit me mullinjt e erës.Pd-ja ka vdekur megjithëse nuk duhet të kishte lindur kurr.Gjithësesi sapo të rrëzohet kolona e parë e rregjimit efekti domino do të jetë i pashmangshëm,ps e lsi megjith’ kompani do e pasojnë menjëherë.Ndaj edhe janë kapur me thonjë si “minj” të dëshpëruar pas njëri tjetrit.P.S.Duhet theksuar se fjala minj është në thonjëza pasi është përdorur thjesht si metaforë pasi minjtë kurrsesi nuk mund të krahasohen literalisht me specien e “rregjimsave”,të njohur edhe me termat “militantë” e bagëti”,pasi këto të fundit janë pakrahësimisht më të fëlliqur e të pështirë se të parët.

  4. Kam pershtypjen keni harruar nje fakt shume te rendesishem. Pse opozita bertiti me ze te larte qe eshte Agron Xhafaj kur edhe gazetsri vete nuk e dinte? Nga e vertetuan ata kete gje? A eshte serioze qe ti te mbeshtetesh ne deklaraten e nje personi , i cili paska pasur dhe probleme lifjore ne te shkuaren dhe kredibiliteti i tij esht i dyshimte, per te hedhur shashka te tilla sidomos tani ne kete kohe qe jemi para hapjes se negociatave dhe skepticizmi esht tejet i madh?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu