• |
ide | kryesore

Tërheqja e Trump nga takimi me Kim Jong Un, gafë diplomatike apo përgjigja e duhur?

F1, Planet



Presidenti Donald Trump nuk do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un muajin e ardhshëm, njoftoi Shtëpia e Bardhë duke publikuar një letër që Trump i nisi të enten në mëngjes liderit koreano-verior, duke hedhur poshtë samitin historik diplomatik.

“Unë me të vërtetë desha që të takoheshim bashkë atje. Fatëkeqsisht, duke u bazuar në zemërimin e madh dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në deklaratën tuaj më të fundit, unë mendoj se është e papërshtatshme, në këtë kohë, që të zhvillojmë këtë takim të planifikuar prej kohësh” – shkroi Trump.

Ishte planifikuar se Donald Trump dhe Kim Jong Un do të takoheshin në Singapor më 12 qershor, për atë që do të ishte takimi i parë ballë për ballë midis një udhëheqësi të SHBA-ve dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.

Ky vendim mbyll muaj të tërë të përparimeve diplomatike midis SHBA-ve dhe Koresë së Veriut, që Trump e paralajmëroi në mënyrë të përsëritur si pararendësin e mundshëm të një marrëveshjeje historike të paqes dhe denuklearizimit të Koresë së Veriut.

Tani, çlirimi i tensionit mes Uashingtonit dhe Penianit është në rrezik për tu kthyer në retorikën luftarake që ka përcaktuar marrëdhënien SHBA – Kore e Veriut për pjesën më të madhe të presidencës së Trump-it.

Në letrën e tij, Trump sinjalizoi një kthim në retorikën e hidhur bërthamore, që ngjalli ndërveprimet e tij me Kim-in, para hapjes diplomatike.

“Ju flisni për afësitë tuaja bërthamore, por aftësitë tona janë aq të mëdha dhe të fuqishme sa që unë i lutem Zotit që ato të mos përdoren kurrë” – i shkroi Trump në këtë letër Kim-it.

Sidoqoftë, Trump sinjalizoi biseda të drejtpërdrejta me Kim Jong Un, duke shkruar se ai ndjeu se një “dialog i mrekullueshëm” po ndërtohej mes tyre, dhe se ai shpreson që të takojë Kim-in “në një ditë”.

Çfarë ndodhi 

Trump u tërhoq nga takimi pasi ditën e djeshme, një zëvendës ministre e Jashtme e Koresë së Veriut, e quajti zv.Presidentin amerikan, Mike Pence një “budalla politik”.

Trump dhe njerëzit e tij u zemëruan nga deklarata dhe donin të reagonin me forcë. Kështu bëjnë me dije burime brenda Shtëpisë së Bardhë. Shënjestrimi specifik dhe personal i Pence ishte shkaku pse zyrtarët amerikanë u irrituan.

Sulmi ndaj Pence ishte vetëm deklarata e fundit e ashpër e formuluar nga Koreja e Veriut në 10 ditët e fundit. Në fillim të javës së kaluar, Koreja e Veriut anulloi një takim të planifikuar me Korenë e Jugut dhe kërcënoi të tërhiqej nga takimi i Singaporit për shkak të stërvitjeve të vazhdueshme ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump dhe ndihmësit e tij kishin insistuar gjatë javës së kaluar se po vazhdonin të punonin mbi planifikimin e samitit të Singaporit, pavarësisht shpërthimeve nga Peniani. Një ekip logjistike u dërgua në Singapor për të finalizuar detajet me zyrtarët e Koresë së Veriut.

Jo krejtësisht një surprizë 

Megjithatë, kolapsimi i samitit nuk ishte krejtësisht një surprizë, edhe nëse njoftimi i sotëm nga Shtëpia e Bardhë ishte i papritur. Koreja e Veriut ka ofruar disa herë hapje diplomatike me Shtetet e Bashkukara gjatë dekadave të fundit, vetëm për t’u kthyer në stadin e kërcënimeve luftarake më pas. (përktheu lapsi.al) Edhe pasi Trump e pranoi ftesën e Kim për t’u takuar në mars, shumica e zyrtarëve të administratës kishin bindjen se shanset që takimi të zhvillohej realisht ishin më pak se 50%. Zyrtarët e administratës u bënë gjithnjë e më skeptikë gjatë javës së kaluar.

Gjithashtu, zyrtarët amerikanë u bënë edhe më skeptikë për angazhimin e Penianit për denuklearizimin. Të mërkurën, CNN njoftoi se administrata Trump po kërkonte të kishte bisedime të nivelit të lartë që të merreshin garanci nga Kim Jong Un se denuklearizimi do të përfundonte plotësisht përpara fillimit të samitit të liderëve.

Disa orë më vonë, një zyrtar i Koresë së Veriut sulmoi Mike Pence dhe tha se Pyongyangu është gati për një shfaqje bërthamore nëse dialogu me Shtetet e Bashkuara dështon.

Choe Son Hui, zv.ministrja e Jashme e Koresë së Veriut, tha se nëse SHBA do të vazhdojë me rrugën që po ndjek deri tani, ajo do t’i sugjerojë udhëheqësit të Koresë së Veriut që të rishikojë samitin e planifikuar mes Trump dhe Kim.

“Nëse Shtetet e Bashkuara do të na takojnë në një dhomë bisedimi ose do të na ndeshen në përballjen bërthamore, kjo varet tërësisht nga vendimi dhe sjellja e Shteteve të Bashkuara” – tha Choe në komentet e bëra nga agjencia shtetërore e lajme KCNA e Koresë së Veriut, ditën e sotme.

Choe ishte duke iu përgjigur komenteve të Pence të bërë disa ditë më parë në Fox Neës, se ajo konsiderohet si “e shfrenuar dhe e pavlerë”.

CNN, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *