• |
ide | kryesore

Inceneratorët/ Rama shpërthen kundër Zërit të Amerikës: Krijon panik me qëllim, bën propagandë armiqësore!

Lajme, Të fundit



Kronika e transmetuar në Zërin e Amerikës ku denoncohej afera e dyshimtë e inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë ka marrë një përgjigje tjetër, akoma më agresive nga Edi Rama.

Kryeministri shkoi vetë në inceneratorin e Tiranës, në Sharrë i shoqëruar nga ministrat dhe nga nënkryetari i Bashkisë, Arbi Mazniku për të lëshuar një lumë akuzash dhe fyerjesh për gazetarët e Zërit të Amerikës.

“Flasin broçkulla, krijojnë panik me qëllim, bëjnë propagandë armiqësore” ishin disa nga shprehjet e kryeministrit për investigimin e Zërit të Amerikës,  të cilin më parë e kishte quajtur “një kënetë mediatike”.

“E gjithë rezistenca ndaj landfillit të Fierit është injorancë dhe nga ana tjetër krijon një panik komplet të paarsyeshëm te njerëzit që kujtojnë se duke mos u ndërtuar termo-rivalorizatori në Fier janë më të mbrojtur, ndërkohë që sot në të gjithë zonën e Fierit për shkak të situatës së trashëguar është ndotje permanente. Mirëpo në momentin që vjen fabrika për përpunim, krijohet një ide se erdhi kompania tani do të na ndosi, ndërkohë që është e kundërta. Parametrat e Elbasanit janë parametra europianë. Është katastrofë. Nxitja e njerëzve për shkak të… edhe mungesës së dijes mbi këtë proces, por për shkak edhe të dyshimeve që krijohen nga propaganda është armiqësore, është krijim paniku me qëllim. Është skandal” shprehet Rama në materialin video që shpërndau zyra e shtypit në kryeministri.

Pavarësisht se Rama thotë që inceneratori i Elbasanit është i niveleve europiane, Zëri i Amerikës veçoi një paragraf nga progres-raporti i Komisionit Europian, që përdorte një cilësim tjetër.

“Ndërtimi i një incerneratori në Elbasan, i cili filloi të operojë vitin e kaluar dhe planet për investime të mëtejshme në incerneratorë përbëjnë një shqetësim në termat e respektimit të parimeve të BE-së,” shkruhet në progres-raportin e fundit të BE-së.

“Groposja dhe incernerimi janë opsionet më pak të pëlqyera të menaxhimit të mbetjeve,” shtohet aty.

Bie në sy se kryeministri, gjatë vizitës së tij në Sharrë shoqërohej nga të gjitha ata përfaqësues të institucioneve që nuk kishin pranuar të jepnin asnjë përgjigje për këtë çështje, megjithëse gazetarët kishin kërkuar një reagim.

“E pyetur mbi barrën që tre projektet do të kenë mbi buxhetin e shtetit, Ministria e Infrastrukturës së Energjisë ia kaloi përgjegjësinë Ministrisë së Mjedisit si institucioni kontraktor. Ministria e Mjedisit dhe kreu i saj, Blendi Klosi refuzuan gjithashtu të komentonin.

Edhe Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment se sa do t’i kushtonte trajtimi i mbetjeve në inceneratorin e Sharrës” thuhej në investigim.

 

Një tjetër pikë që denoncoi Zëri i Amerikës ishte rrjeti i kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, që përfituan qindra miliona euro pa garë përmes konçensioneve.

“Dokumentet e siguruara tregojnë se fituesit pa garë të këtyre koncesioneve janë një rrjet kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën si dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale me pronarë të panjohur” raportoi Zëri i Amerikës.

Nuk ka asnjë koment mbi këtë pikë të investigimit, gjatë prononcimit që shpërndau për mediat zyra e shtypit e kryeministrit.

“Inceneratori i Tiranës, më i madhi dhe i kushtueshmi ndër të tre u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës. Ndonëse në Tiranë u ekspozuan si përfaqësues sërish Klodian Zoto, biznesmeni italian Ernesto Granelli si dhe kompania e njohur në prodhimin e impianteve, Paul Wurth, është e paqartë se kush e zotëron aktualisht kompaninë koncesionare.
Të dhënat e siguruara nga databaza e kompanive në Holandë tregojnë se Klodian Zoto ka dhënë dorëheqjen nga Integrated Energy në mars 2018. Më parë, ai është zëvendësuar nga një kompani guackë e quajtur Almares Management B.V me seli në Amsterdam, me drejtorë të emëruar dhe pronësi të panjohur.
Zëri i Amerikës nuk mundi të kontaktonte me Klodian Zoton. Ndërsa Kompania koncesionare “Integrated Energy”, e cila pranoi të përgjigjej vetëm përmes postës elektronike tha se Zoto nuk ishte i përfshirë në projektin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë.
Kompania i devijoi pyetjes së kush ishin aksionerët e saj apo të kompanisë “Almares Management B.V”, duke sugjeruar që t’u drejtoheshim autoriteteve në Shqipëri dhe në Holandë” raportoi Zëri i Amerikës.

Rama iu përgjigj ambjentalistëve që thonë se incenerimi i mbetjeve shkakton ndotje të ajrit nga metalet e rënda dhe mbetjet e rrezikshme. “Që të djegë inceneratori 30 vjet, 1 milion ton plehra në Shqipëri kjo do të ishte një ndotje shumë e madhe për këtë vend të vogël,” ishte shprehur Lavdosh Feruni.

“Kemi të bëjmë me një përmbysje, që në rastin më të mirë është një naivitet vendimarrës dhe në rastin më të keq, një korrupsion masiv,” ka thënë ai.

Ndërkohë për kryeministrin këndvështrimi është krejt i kundërt.

“Ky është një model me avantazhe të mëdha në raport me landfillet tradicionale ndryshe nga çfarë broçkullohet këtu te ne. Landfillet tradicionale shtrihen pa fund në terren, nga anan tjetër procesi i trajtimit është shumë më i kualifikuar dhe më kualitativ këtu” shprehet Rama në materialin video që shpërndau për mediat dhe që mund ta ndiqni të plotë më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=6QbYoUwa79k&feature=youtu.be



7 Comments

  1. Te na marrin te keqen amerikanet, tiger prej letre, se ne kemi Partine.
    Ata ne griken e pushkes, ne ne griken e topit

  2. Imperializmi Amerikan eshte armiku numur nje i vendit tone.Si nuk te ha nje overdoze e te vesh mu ne tufine o psikopat .Ata qe te vine pas mendjes tende si –LULUJA-nuk bejne pune armiqesore.

  3. Problem shqetesues perben jo vetem dhenia disa firmave fantazme koncesionet jo transparente, por ne se Rama do te lejoje keto firma fantazme te importojne si “lende te pare” plehrat e Europes qe Kina nuk i merr me. Importimi i plehrave te huaja do te ishte nje krim ndaj popullit dhe tokes sone.

  4. Si perfundim, F. LUBONJA e ka pershkruar dhe diagnostikuar qarte. Ky eshte nje narcizist malinj! Ky ka gjithmone te drejte. Te gjithe te tjeret, pa perjashtim, e kane gabim! Edhe kur nuk e kane gabim ne fillim, me vone del qe kane qene vemje njerezore…….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *